Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se sot ka nisur faza përmbyllëse e një procesi të gjatë dhe të rëndë gjyqësor në Hagë, duke theksuar se për më shumë se pesë vjet janë rrëzuar një nga një të gjitha akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kryetari Hamza ka thënë se gjatë gjithë këtij procesi, çlirimtarët tanë, ekipet e tyre mbrojtëse dhe dëshmitarët kryesor kanë qëndruar me dinjitet dhe me argumente të fuqishme, duke dëshmuar të vërtetën historike të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
“Tashmë pritet që drejtësia, në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar, të marrë vendimin e saj përfundimtar”, ka theksuar Hamza, duke shtuar se ekziston bindje e plotë në pafajësinë e Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ai ka nënvizuar se ky proces nuk përfaqëson vetëm një akt juridik, por edhe një provë të rëndësishme të ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj së vërtetës dhe drejtësisë.
“Në fund, besimi ynë është i palëkundur, sepse besojmë në të vërtetën historike dhe në luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi” ka përfunduar Hamza.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
