Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka zhvilluar një takim që e cilësoi të përzemërt me kryediplomaten e Shqipërisë, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Hamza theksoi se Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të mbetet një mbështetëse e fuqishme e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke përfaqësuar interesat e saj edhe aty ku Kosova nuk është e pranishme. Ai mirëpriti gatishmërinë për ndërtimin e një agjende të përbashkët strategjike mes dy vendeve, veçanërisht përballë sfidave politike dhe ndërkombëtare. Sipas tij, bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional është thelbësor për avancimin e interesave kombëtare dhe për fuqizimin e pozitës së Kosovës në proceset ndërkombëtare. Hamza shprehu gjithashtu mirënjohje ndaj qeverisë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme dhe për ngritjen e zërit kundër padrejtësive, përfshirë edhe qëndrimet ndaj proceseve të Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat sipas tij po përballen me përpjekje për rishkrim të historisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
