Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka komentuar nisjen e fazës përmbyllëse të procesit historik në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar këtë si momentin vendimtar për të mbrojtur të vërtetën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Haxhiu paralajmëroi se në Hagë po tentohet të rishkruhet historia përmes shpifjeve dhe dokumenteve të fabrikuara, me qëllim që agresori të paraqitet si viktimë, e çlirimtarët si fajtorë. Sipas tij, kjo nuk është thjesht një betejë ligjore, por një betejë për drejtësi, për të vërtetën dhe për ekzistencën e shtetit të Kosovës. “Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare. Ajo u mbështet fuqishëm nga NATO dhe u bë për liri, për mbijetesë dhe për dinjitet njerëzor,” shkroi Haxhiu, duke theksuar se e vërteta nuk mund të shtrembërohet nga propaganda dhe akuzat e rreme të Serbisë. Ai bëri thirrje për unitet kombëtar, zë të fortë dhe angazhim shtetëror, për të nderuar viktimat, të zhdukurit dhe heronjtë që ranë për lirinë e Kosovës: “Liri për çlirimtarët. Drejtësi për luftën e drejtë të popullit të Kosovës. E vërteta nuk gjykohet, ajo mbrohet.”
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
