Limak Kosovo
Fillimi / Institucionet / Berisha: Mësuesit të kenë trajtim dinjitoz, e jo greva

Berisha: Mësuesit të kenë trajtim dinjitoz, e jo greva

Organizuar nga Drejtoria për Arsim dhe Edukim, në Malishevë është shënuar 7 Marsi-Dita e Mësuesit, ndërsa në këtë aktivitet janë shpallur edhe më të mirët në fushën e arsimit dhe edukimit në Komunën e Malishevës, ku mësues i vitit është shpallur Adem Kastrati, nga Turjaka, për sukseset e arritura në fushën e arsimit. Shënimi i Ditës së Mësuesit, u mbajt në shtëpinë e kulturës, ndërsa krahas veteranëve të arsimit, mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave, në këtë aktivitet morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, drejtor i inspektoratit, Dibran Kastrati dhe zyrtarët e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim në Malishevë. Në fjalën e rastit, pasi i ka përshëndetur dhe i ka uruar të gjithë mësimdhënësit e Komunës së Malishevës, nënkryetari Hajdin Berisha, foli për vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar arsimi në përgjithësi. Fillimisht, nënkryetari Berisha, foli për “Epopenë e UÇK-së”, sakrificën sublime të komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari, sakrificën dhe mundin e të gjithë ushtarëve të UÇK-së, dhe këtë e lidhi edhe me sakrificën e mësimdhënësve ndër vite. “Këto kategori, mësimdhënësit dhe dëshmorët e veteranët, meritojnë respekt dhe vend të merituar edhe nga shoqëria edhe nga institucionet. Edhe arsimtarët, meritojnë respekt, e jo sikur po ju ndodh sot që mësimdhënësit të futen në greva për realizimin e të drejtave të tyre”, tha Berisha, duke bërë thirrje për respekt dhe trajtim të dinjitetshëm për mësimdhënësit. Drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim në Malishevë, Blerim Thaçi, në fjalën e tij drejtuar mësimdhënësve, tha se “ju bëni punën më fisnike, pasi ju jeni ata që i arsimoni dhe edukoni fëmijët tanë dhe rrjedhimisht edhe ndërtoni shtetin”. Ai, foli në mënyrë kronologjike për 7 Marsin, që nga hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë, e deri më sot, për vështirësitë për mbijetesën e shkollës shqipe, për të ardhur në ditët e sotme. “Ne sot i nderojmë të gjithë ata breza të mësimdhënësve, të cilët u flijuan dhe dhanë çdo gjë nga vetja e tyre, për ngritjen e arsimit shqip, ndërsa ne tani obligim që të krijojmë kushte sa më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie, gjë të cilët jemi duke e bërë çdo ditë e më shumë”, tha drejtori Thaçi, i cili në fund i uroi të gjithë mësimdhënësit e Komunës së Malishevës, me rastin e 7 Marsit-Ditës së Mësuesit. Në këtë aktivitet janë ndarë mirënjohje për mësimdhënësit më të mirë në të gjitha nivelet, drejtorët më të mirë të shkollave, për shkollat më të suksesshme në aktivitetet edukative dhe kulturore, si dhe për shkollat me ambientin më të pastër. Po ashtu, sot janë ndarë shpërblimet edhe për recituesit më të mirë në garat për recitim, që janë mbajtur, gjithashtu në kuadër të shënimeve me rastin e 7 Marsit-Ditës së Mësuesit.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Ramosaj, priti në takim Ministrin e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Ramë Likaj

Në kuadër të vizitave në të gjitha qytetet e Kosovës, Ministri i Arsimit Shkencës dhe ...