Besim Rexhep Muleta (11.12.1971 – 25.9.1998)

Besim Rexhep Muleta (11.12.1971 – 25.9.1998)

Fshati Karraticë i Drenicës, lutës së UÇK-së i ka dhënë dëshmorët:  Besim Rexhep Muleta, Ramadan Islam Muleta, Bashkim Tahir Muleta, Qazim Shaban Doberdelani dhe martirët: Tahir Muleta, Hajrullah Pecani, Zenel Hoxha, Mustafë Pecani, Fatime Hoxha dhe Lendita Hoxha. Ndërkohë që gjatë luftës  në këtë fshat janë vrarë nga forcat serbe edhe Sadri Topalli nga Baica e Elshanit, Muhamet Krasniqi nga Negroci dhe Sadri Muçolli nga Pakleku i Vjetër.

Familja Muleta, e këtij fshati, ndër më të vjetrat e kësaj ane, ka pasur traditë, trimërinë e bujarinë por edhe qëndresën e heroizmin, në të gjitha betejat shekullore, në luftë kundër pushtuesve të ndryshëm. Babai i dëshmorit, Islam Muleta ka qenë bashkëluftëtar i Shaban Palluzhës.  Luftës së UÇK-së kjo familje e i ka dhënë dëshmorët: Besimin, Ramadanin e Bashkimin  dhe eprorë e ushtarë  si Rrahim Muleta, Hashim Muleta, Petrit Muleta e të tjerë.

Besimi lindi më 11 dhjetor të vitit 1971, në fshatin Karraticë. Babai Rexhep Muleta dhe  nënë, Fatimja, lindën dhe rritën bijtë: Besimin, Petritin, Kushtrimin dhe bijat: Besën e Shpresën. Besimi shkollën fillore e kreu në vendlindjen e tij në karraticë, ndërsa të mesmen, drejtimin teknik e ka mbaruar në Qendër Shkollore “Skënderbeu” të Drenasiut, ( ish-Gllogoc).

Për shkak se familja ishte e varfër ekonomikisht besimin nuk i vazhdoi studimet.

Me rastin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Besimi ashtu sikur edhe mijëra të rinj liridashës shfaqin gatishmëri për t u inkuadruar në radhët e UÇK-së. Sapo ishte krijuar pika e UÇK-së në Karraticë, në qershor të vitit 1998, besimi ishte ndër vullnetarët e parë që u paraqit në pikë. Edhe pse ishte një numër i madh vullnetarëve të paraqitura, në mungesë të armatimit të gjithë vullnetarët nuk patën mundësi të bëhen ushtarë aktivë. Megjithatë, u formuan tri togje, të cilat morën për sipër shumë detyra që u parashtruan nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Në kuadër të këtyre togjeve ishte edhe Ramadan Muleta,epror i Skuadrës 3 të togut të Parë, Bashkim Muleta e Besim Muleta, ushtarë që të tre dëshmorë. Ishin këta pjesëtarë në mesin e afro 102 pjesëtarëve të UÇK-së që kishte ky fshat, që me seriozitetin dhe përkushtimin e ushtarëve  banorëve të kësaj  kontribuuan që rrjedhat e luftës në këtë anë të merrnin kahen e dëshiruar.

Luftëtarët  e këtij fshati ishin mjaftë aktivë në vëzhgim dhe përcjellje të çdo lëvizjeje të armikut, në Magjistralen Prishtinë- Pejë, por edhe në përcjelljen e  bashkëluftëtarëve që vinin nga Shqipëria, me armatim, e që shkonin në zona të ndryshme të Kosovës.

Në mesin e korrikut të vitit 1998, Besimi me Ramadanin bashkimin e luftëtarë të tjerë iu shkojnë ndihmë ushtarëve në pikën e quajtur “Sërnishta”.

Pas rezistencës së fuqishme, forcat serbe kishin vënë re përqendrimin e pjesëtarëve të UÇK-së në këtë fshat, sepse disa herë ishin  zhvilluar edhe përleshje të armatosura. Një ditë nga “Pylli i Rrezës” që ndodhet përballë lagjes së Muletëve në distancë rreth 500 metra, forcat serbe godasin  me snajper nëntë-vjeçarin, Betim Muleta, të cilin e plagosën rëndë. Policia serbe, mbase kishte informacione se në këtë lagje ishin aktivë gjashtë pjesëtarë të UÇK-së, andaj u  hakmorën, meqë edhe pas plagosjes së Betimit, kanë shtënë edhe kundër fëmijëve të tjerë, të cilët u kanë shkuar në ndihmë të plagosurve.

Periudha prej qershorit e deri në shtator të vitit 1998 ishte e rëndë për fshatin Karraticë, sepse gati tërë makineria bashkë me ushtrinë e policinë serbe kalonin nëpër këtë fshat, kurse herë-herë merrnin edhe sulme të armatosura. Granatimet në shtëpitë e  fshatit ishin, pothuaj, të përhershme.

Në këtë fshat, ndodhi  një përleshje e armatosur më 28 gusht të vitit 1998, me ç rast serbët granatuan dhe dogjën gjashtë shtëpi, pranë të cilave ishin istikamet e UÇK-së. Atë ditë forcat serbe paten humbje, kurse nga radhët e UÇK-së, ishte plagosur, Halil Pecani.

Në shenjë hakmarrjeje për humbjet,  që pësuan në këtë fshat, forcat serbe përfshin edhe Korreticën në ofensivën e shtatorit në periudhën prej 22 deri me 25 shtator.

Më 25 shtator fshati Karraticë u gjend në rrethim. Ditën kritike Besimi së bashku me xhaxhanë,  Ramadanin epror i UÇK-së dhe kushëririn Bashkimin ndodheshin në  përforcim në “Pikën e Gurëthyesit”, sepse luftimet kishin filluar në vijen e frontit Ferronikel, Paklek,Karraticë dhe Fermë  e Zogjve.

Granatimet ishin shumë të fuqishme në drejtim të pozicioneve të UÇK-së. Nga djegiet e shtëpive dhe granatimet, popullata e fshatrave për rreth maleve mësynin në drejtim të maleve të Vasilevës dhe Karraticës, me qëllim  për të depërtuar në drejtim të fshatit Sllatinë. Për t’i shpëtuar nga më e keqja, pjesëtarët  e UÇK-së angazhohen për ta ndihmuar dhe mbrojtur popullatën civile,  e cila ishte nisur në  drejtim të fshatit  Sllatinë. Në këtë mision ishin kyçur edhe Ramadani, Besimi e Bashkimi edhe disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Më të arritur, te vendi i quajtur  “Kodra Ndërmjeme” hasin në pusi të forcave serbe dhe pas një beteje ballë për ballë forcave armike, Besim Muleta, Ramadan Muleta dhe bashkim Muleta  bien heroikisht në altarin e lirisë. Bashkë me ta bien edhe tre pjesëtarë nga radhët e popullatës: Sadri Topalli nga Baica e Elshanit, Muhamet Krasniqi nga Negrovci dhe Sadri Muçolli nga Pakleku i Vjetër.

Besimi ka qenë i martuar dhe ka lënë djalin, Besnikun.

Familja Muleta ka marrë mirënjohje për djalin dëshmor  nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Zona Operative e Drenicës, Ministra e Mbrojtjes e QPK-së dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 - 28.9.1998)

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 – 28.9.1998)

Dëshmori Bajram Sylejmani ka lindur më 3 dhjetor të vitit 1965, në fshatin Sadovinë të …