Bislim Latif Zekolli (18.5.1953 - 23.8.1998)

Bislim Latif Zekolli (18.5.1953 – 23.8.1998)

Fshati Bllacë i komunës së Therandës është një fshat i lashtë me mbi 400 shtëpi. Ky fshat u bëri ballë me një stoicizëm të pashoq dallgëve të stuhishme të historisë edhe atëherë kur turqit e dogjën gjysmën e tij edhe atëherë kur e okupuan forcat serbe. Këtë traditë të qëndresë të të parëve të tyre, pas mbi një gjysmë shekulli, e vazhduan edhe bijtë e tyre, duke iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Njëri ndër ata trima që ngjeshi armët e kësaj ushtrie që në orët e para ishte edhe Bislim Zekolli.
Bislim Zekolli lindi më 18 maj 1953 në fshatin Bllacë të komunës së Therandës. Bislimi ishte fëmija i katërt i prindërve, Latifit dhe Faziles (nga gjithsej 14 fëmijët që patën këta dy prindër). I ati i Bislimit, Latifi, kishte përjetuar masakrën e Tivarit. Ai ishte mobilizuar me dhunë në grupin e dytë të kosovarëve që ishin dërguar në atë kasaphanë famëkeqe. Duke dëgjuar rrëfimet e t’et për katrahurat që kishte përjetuar ai gjatë udhëtimit drejt Tivarit, Bislimi ishte frymëzuar dhe shpirti i tij ishte mbushur plot urrejtje ndaj armikut shekullor.
Bislimi, shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollën e daktilografisë e kreu në Prizren. Me gjithë faktin që në atë kohë profesioni i Bislimit ishte shumë i kërkuar, kurrë nuk iu dha mundësia që të gjente punë në ndonjë institucion. Pasi që Bislimi ishte krahu i djathtë i babait dhe i vëllëzërve (Qamilit, Ganiut, Rizahut, Destanit e Zenelit) u detyrua që nga mosha 18-vjeçare të marrë rrugën e hidhur të kurbetit.
Ngjarjet e famshme studentore të vitit 1981, Bislimit ia shtuan edhe më shumë krenarinë dhe dashurinë për atdheun. Edhe pse ndodhej në mërgim, për asnjë çast nuk pushoi aktivitetin e tij patriotik, duke u njohur me vëllezërit Gërvalla, Kadri Zekën dhe me shumë figura të shquara patriotike. Dashuria e madhe për atdhe nuk e la të qetë në mërgim.
Bislimi i dha vetes për detyrë që çdo përvjetor, në kujtim të rënies heroike të dëshmorit Tahir Meha nga Prekazi, ta vizitonte varrin dhe kullën e tij, ku edhe krijoi miqësi me rrethin e tij familjar. Bislimi me vëllain Qamilin, i cili jetonte në Bruksel dhe i cili ishte shumë i kërkuar nga UDB-ja, nuk pushuan së vepruari për asnjë çast, duke marrë pjesë anekënd Perëndimit në demonstratat që organizoheshin atëbotë nga organizatat ilegale dhe çdoherë gjendeshin në ballë të tyre, duke prirë me veshje kombëtare dhe flamur në dorë. Mu për këtë arsye, sa herë që Bislimi vinte në pushim, UDB-ja trokiste në dyert e familjes së tij, por, falë syqeltësisë së tij, asnjëherë nuk arrijnë ta kapin. Për shkak të veprimtarisë së tij patriotike dhe të vëllait, Qamilit, që gjendej në mërgim, organet e pushtetit serb, në pamundësi për ta kapur Bislimin, familjen e tij asnjëherë nuk e lënë të qetë, duke e marrë me dhjetëra herë në pyetje.
Malli për atdhe ishte arsyeja që Bislimi përgjithmonë të kthehej në Kosovë dhe të fillojë aktivitetin e tij në vitet nëntëdhjetë, duke marrë pjesë në pajtimet e gjaqeve, ku fjala e tij shpeshherë ishte vendimtare. Ai, në pajtime të gjaqeve, bënte thirrje që të rinjtë të ktheheshin në Kosovë, sepse, thoshte ai, guri peshon rëndë në vendin e vet.
Vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave, si dhe torturat dhe vrasjet në Kosovë, Bislimin nuk e linin të qetë. Vrasja e të riut Refki Suka në fshatin Bllacë, në vitin 1991, e shtyri që të organizojë roje të armatosur në fshat. Mu për këtë arsye policia serbe kërkon ta arrestojë me çdo kusht. Pas kësaj ngjarje, Bislimi asnjëherë nuk e heq revolen nga brezi. Pasion kishte folklorin (këngët kreshnike). Për çdo festë kombëtare, dasma e ahengje, vishej në rroba kombëtare (plis të bardhë, tirq e xhurdi e me kobure në brez). Nëpër festa të tilla me krenarinë më të madhe recitonte vargje të “Lahutës së Malësisë” të Gjergj Fishtës dhe himnin e flamurit. Pamja e tij të jepte figurën e një kreshniku të vërtetë.
Dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenë, Bislimin e gjeti të përgatitur moralisht dhe psikikisht. Ai bashkë me dy vëllezërit e tij, Rizahun dhe Zenelin, si dhe me bashkëluftëtarët nga Bllaca, Isuf Lumi dhe Ukë Guraziu, të armatosur me armë personale, në mars të vitit 1998 shkon në Likoc, ku kontakton me krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Ismet Jasharin, Fatmir Limajn e me shumë luftëtarë të tjerë. Pas instruksioneve që i merr aty, kthehet në Bllacë, ku formon njësitin ilegal “Këpuca”. Ky njësit gjen përkrahje të madhe te banorët e Bllacës dhe të fshatrave përreth, sepse ai u tregua i suksesshëm sidomos në propagandën dhe informimin e drejtë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila ngjalli shpresat për liri. Në maj të vitit 1998, ky njësit, i rritur për nga numri, e iu bashkua me njësitet “Lumi” dhe “Çeliku”. Me hapjen e pikës ushtarake në Bllacë nga njësiti “Lumi”, roli i Bislimit si ushtar i UÇK-së ishte shumë autoritativ si tek ushtarët, ashtu edhe te popullata e atij rrethi. Në çdo betejë që ndërmerr armiku, prezenca e Bislimit rrit moralin te luftëtarët, e shembull konkret është aksioni i montimit të bojlerit të mbushur me trotil, ku Bislimi me vëllezërit dhe shokët e tij këtë bojler-minë e monton në punëtorinë e tij në fshatin Duhël. Me rastin e shpërthimit të këtij bojleri, më 25.6.1998, në orën 10.55, forcat serbe qenë tmerruar, sepse me atë rast qe hedhur në ajër një autoblindë me policë serbë.
Më 23 gusht 1998, që nga orët e hershme të mëngjesit, fshati Bllacë granatohet nga të tria anët ( nga Qafa e Duhlës, nga qendra e Duhlës dhe nga Biraqi). Ky granatim luftëtarët e lirisë i gjeti në istikame. Luftimet zgjatën tërë ditën. Diku rreth orës 11.00, Bislimi futet në thellësi të pozicioneve tëforcave armike, te Shelgjet e Bllacës, për t’i shpëtuar nga rrethimi Destanin (vëllanë e tij) me skuadrën e tij, të cilët bënin një luftë heroike në një afërsi shumë të vogël. Bislimi zuri pozicionin te Muri i Gurit nga s’e prisnin forcat armike dhe nga ky pozicion ua futi tmerrin atyre. Duke parë një rrezik të tillë, armiku nuk kursei as predhat e tankut për ta goditur pozicionin e Bislimit. Nga ky zjarr Bislimi ra heroikisht në vijë të frontit. Edhe pas rënies së tij, bashkëluftëtarët dhe vëllezërit e tij, Ganiu dhe Rizahu me gulinov të kalibrit 12,7 mm. nuk e ndalin luftën për asnjë çast, duke iu shkaktuar atyre humbje të konsiderueshme. Armiku u detyrua të kthehet prapa, duke lënë pas paramilitarë të vrarë, tanke të shkatërruara, armatim, radiolidhje e mjete të tjera (Këto mjete të shkatërruara, një kohë të gjatë pas luftës gjendeshin në Bllacë). Këto luftime vazhduan edhe tri ditë rresht nga bashkëluftëtarët e tij besnikë. Pas rënies së Bislimit, djali i tij, Dritoni 18-vjeçar, ngjeshi armët dhe iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke mos i lëshuar ato nga dora deri në mbarimin e luftës.
Nënëlokja, Fazilja, një grua burrërore (e bija e Osman Gërdallës, burrë i njohur për mençuri e bujari), kur mori lajmin e rënies të të birit, nuk u ligështua fare, përkundrazi, gjeti forcë dhe tha: “Nuk më dhimbset djali, se kam edhe djem të tjerë, por më dhimbsen shokët e tij, që mbetën pa një shok lufte, më dhimbset Kosova, që humbi një luftëtar të denjë të lirisë”.
Të nesërmen, më 24.8.1998, gjatë luftimeve morën plagë disa shokë të tij (Isuf Lumi, Ukë Guraziu dhe vëllai i Bislimit, Zenel Zekolli).
Pas rënies, më 1 janar 1999, me urdhrin e lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, një kompani e brigadës 121 mori emrin e dëshmorit, “Kompania Bislim Zekolli”.
Dëshmori Bislim Zekolli është varrosur në Bllacë nga bashkëluftëtarët e tij, në mesnatën e datës 25/26 gusht 1998 nëpër krisma pushkësh. Pas luftës është rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve të brigadës 121 “Kumanova”, në Kleçkë.
Bislimi ka lënë shoqen e jetës, Hamiden, djemtë Aliun, Dritonin dhe Besartin, vajzat Teutën, Lirinë, Malësoren dhe Pranverën, të cilët përherë do të jenë krenarë për veprën e madhërishme të tij.
Pas luftës dëshmori Bislim Zekolli është nderuar nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës me titullin “Dëshmor i kombit” dhe me shumë mirënjohje nga shoqatat e dala nga lufta. Në fshatin e tij të lindjes është ngritur lapidari për tetë dëshmorët e rënë në Bllacë, në mesin e të cilëve shkëlqen edhe emri i Bislimit. Shoqata e Veteranëve të luftës të UÇK-së e fshatit Bllacë i ruan me gjelozi reliktet e Bislimit (rrobat kombëtare, pushkën, koburen, gjoksoren e të tjera). Për Bislimin janë thurur vargje këngësh dhe emisione të shumta dokumentare. (Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …