Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: Qeveria e ka të vështirë të bjerë

Mendësia jonë politike dhe pushtetbërëse ka njolla të rënda, ka gabime që nuk peshohen, ka dyer të mëdha nga hyjnë dhe dritare të vogla nga dalin. Thjeshtë sistemi është i fajisur, do thonte plaku i menqur. Demokracia te ne as është Liberale, as është direkte, as është Demokraci fare. Për Pluralizëm s’kemi çfarë të themi. Ku mungon profilizimi, Pluralizmi është iluzion. Ka dallueshmëri grupesh mbledhur rreth Njëshave të vet.

Sa më shumë shtyhemi në kohë, njëshat ndjenë padurueshmëri mbështetësish dhe iu imponohet kapja e shtetit, të cilën e arrijnë me kapje pushteti për të joshur nevojtarët. Dhe ja ku është shoqëria jonë!

Ka kohë, që pushteti tek ne duket të ketë mbetur pas një fasade! Kjo i dhëmb shoqërisë. Mendësia e njëshit  ndjehet e pushtuar në petkun e bashkëpunimit institucional. Paqëndrueshmëria merr krah në rrethana të tilla.

Në qeverisje, pushteti është i madh për të gjithë aktorët e pozitës. PDK ka ruajtur rolin prijëtar të Presidentit për bisedimet, ka ruajtur masën e të punësuarve politik e nga politika nëpër institucione vitale të shoqërisë, Ka imponuar pushtetin e Koalicionit e të qeverisjes kudo ku drejton vet edhe pse është treguar e kujdesshme për t’i lënë pamjen publike Kryeministrit.

Ajo nuk ka ndërruar zakon, por prishja e koalicionit kësaj radhe mund ta nxjerr nga qeverisja ku do ta ketë vështirë të kthehet për një kohë të gjatë si e parë në çfarëdo kombinatorike. Këtë ogur të zi për PDK-në mund ta prishë LDK-ja, e cila prapa krahëve të Kosovës mund të jetë bindur të kthehet pas divorcit që i dha PDK me ndjekjen e fundit. Një rrethanë e tillë do ta dërgonte elektoratin në masë të mirë tek pjesa e mbetur e skenës politike, mvarësisht prej shijeve.

AAK po përformon pragmatizëm. Një pamje kalorsiake me dithirambe, por me impakt të mirë elektoral. Kjo duket se vjen më shumë nga natyra e temave që ka vendi dhe pozicionimi i kreut të saj karshi tyre. Ushtria dhe veçanërisht Taksat ndaj Serbisë po inkasohen si mbështetje populiste për kryeministrin, aq më shumë tani kur PDK ka heshtje prej varri! Ajo qe munduar t’ia kontestonte vendimarrjen për Taksën  Kryeministrit. Është e freskët mburrja e z.Hoxhaj dhe aksesorëve të Presidentit.

Tashmë kur për taksat po luhet nxehtë me Brukselin dhe po i kërkohet mirëkuptim Washingtonit, humbën Hoxhët. Kryeministri me stoicizmin e barazvleshëm të një plaku të urtë natyrshëm prodhon populizëm, dhe kjo është votë.

Kjo do t’i bëjë të mendojnë dy herë ata që mund të bëhen përmbysësit e koalicionit dhe me të edhe të qeverisë.

NISMA, që në fillet e mandatit e ka parë pushtetin si mundësi për tu etabluar në shoqëri. Kjo sibas disa sondazheve i ka shkuar për dore goxha mirë. Nga dilema e pragut elektoral ajo tashmë i pret me qetësi zhvillimet. Përvoja në pushtet e drejtuesve të saj nga e djeshmja në PDK, i ka mësuar se dikasteret në një qeverisje janë ato që të hapin mundësinë në një shoqëri të varfër si kjo e jona. Përzgjedhja që ata u kanë bërë dikastereve me impakt kaq domethënës, sikur janë. Arsimi, Puna dhe mirëqenja sociale, Tregtia dhe industria është garant i një game të madhe ndikuese. Atyre u mungonte vetëm edhe një dikaster që të komunikonin me gjithë Kosovën, Bujqësia! Qëndrimi i saj larg Tekeomunikacionit u mbylli deren akuzave për keqpërdorim fondesh e tenderomanish, me çka e patën mbytur z. Limaj në të shkuarën ndarëse me PDK-në. Ajo, (PDK-ja), ishte kujdesur ta nxinte kudo koluareve dhe ia pat arritur skajshmërisht mirë. Ndryshe, NISMA do merrte gati gjysmën e kulaqit elektoral të saj. Tenderomania si një halë në sytë e Kosovës, tashmë nuk identifikohej me dikasteret që mori z. Limaj nga koalicioni.

Rreth 8 përqindshi që mund të arrijë NISMA mbetet një kuotë e munguar në kalkulimet e PDK-së. Edhe ky faktor është pra kalkulativ për këdo që ia mësyn rrëzimit të qeverisë. PSD-ja e pa sprovuar para elektorati do bëjë të gjallin deri në sprovim. Megjithatë bashkimi me AKR-në apo Alternativën do ta ndihmonte të kalonte ethet e para elektorale. Sidoqoftë unë pres që ajo të mbetet pjesë e kuvendit të ardhshëm nëse zhvillimet na dërgojnë shpejt në zgjedhje. Edhe ky faktor i cili do kapte kuotat e mbi 5%-shit vështirë se do dilte kundër pjesës anti President. Në një përplasje të tillë, shumica e subjekteve (veçuar PDK-në) – President, PDK po mbetet në hije për syrin e masave edhe pse lojtar kyq i koalicionit. Hijet sterkeqin. Kjo po ndodhë me PDK-në përsa vazhdon ky trend. Edhe ky është një faktorë ndikues në vendimarrjen e kujt do që ia ka mësyer rrëzimit të qeverisë sot!

Por, nëse koluaret sot janë hijet e një realiteti dhe prapa perdet e Kosovës kanë risjellur në skenë pajtueshmërinë e PDK-LDK-së, Lista zgjedhore e sekondës së fundit në KQZ nuk do ta nxjerr fitimtarë atë koalicion.

Një mësymje e tillë paraelektorale PDK-LDK do t’i gjente të dy forcat politike përballë një dënimi elektoral exemplar për gjithë të bërat e të pabërat e këtyre 20 viteve. Si të vetme, dyja këto vështirë se do ia mësynin zgjedhjeve. Cili do koalicion parazgjedhor i partive tjera do merrte vendin e të parit me të drejtë bërjeje të qeverisë së ardhshme, ku LDK mund të kishte pranueshmëri numrash, derisa PDK-ja, tashmë e pabesueshme si partner serioz, jo.

Nuk duhet të harrojmë se VV, AAK, NISMA dhe PSD janë asete të vyera për qeverisjen e ardhshme. VV dhe AAK, bashkarisht mund të kapin kuotën 40% të elektoratit shqiptar. NISMA dhe PSD-ja do mbeteshin qershia mbi tortë e një qeverisjeje pa PDK-në.

A do mjaftonte kjo për një qeverisje mandatore?

Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjej vetëm një gjendje pa Presidentin Thaqi, për çka LDK mund të kalkulonte vetminë e PDK-së si një hakmarrje 20 vjeçare. Me këtë ajo do merrte rol primar në qeverisjen e ardhshme. Votat e bashkuara kundër Presidentit do të nënkuptonin qeverisje mandatore. Kjo mund të konsolidonte raportet për të vazhduar të paktën dhe një mandat vijues. Në rrethanë të tillë PDK-së do i stërkeqeshin bastionet Prizeren, Ferizaj, Skënderaj dhe Drenas qoftë edhe krejt pak por mjaftueshëm.

Në një optikë të tillë, PDK nuk do duhej të bëhej shkaktare e rrëzimit të qeverisë dhe zërat që kanë plasur kuloareve do duhej të mekeshin para se të bëheshin identitarë!

Lëvizja artificiale e shoqërisë përmes Grevave qoftë të Arsimit, Kirurgëve, Rektorëve dhe tashmë shërbyesve civil është shfaqje e lehtë e kapjes së madhe të saj.

Kjo shfaqje kaq brutale e kapjes politike i dedikohet ZILE Kryeministrit për të lëshuar para qendrës së pushtetit, e cila tashmë duket se kërkon të pranohet si pushtet madhor, drejtues i koalicionit – President.

Ndoshta për sa u takon Rektorëve, Presidentit do ti hynim në hak. Ministri i arsimit është fokus goditjeje tash e sa kohë nga grupe interesi, të cilat ndoshta kanë edhe shtrirje kriminale. Të sulmosh ministrin e arsimit për vendimet e KSHC-së që është organ i pavarur dhe për Ligjin mbi pagat është më shumë se vetëm tendencë. Andaj këtë sferë, organet e  specializuara, duhet ta ndajnë nga zhvillimet politike, por edhe nga greva në arsim.

Sot greva e arsimit vjen e fokusohet në ligjin për pagat për tu vënë në sinkronin e goditjes ndaj qeverisë si tërësi. Këtë çvendosje kaq të lehtë edhe pse të drejtë, politika ia dha si zile të parë Kryeministrit. Koha për të ulur kokën duket se nuk do të vijë! Skllota nuk do mbetet vetëm skllotë. Dikë e ka marrë malli për tu bërë edhe me baltë?!

Shërbyesit civil janë arsyeja e parë reale në gjithë sistemin tonë publik për një protestë deri në kupë të qiellit. Atyre u janë dërguar në vend të drejtuesve katalizatorë dhe nuk bëjnë dot më shumë sa të tërhiqen zvarrë nga politika.

Nëse rrëzimin e qeverisë dhe prishjen e koalicionit PDK e shet për ruajtje të miqësisë e partneritetit me Amerikën dhe partnerët perëndimor, vështirë se ajo do jetë rimëkëmbësja e këtyre marrëdhënieve në dekadën pasuese. Momenti, nuk është i duhuri. Ai nuk krijon asnjë urë bashkëpunimi me secilin subjet vendor, bunkerizon anti presidentizmn si anti PDK-izëm dhe gjykatat do të gëllijnë për vite me radhë, ku me dënime, ku me trajtime.

Qeveria e ka të vështirë të bjerë në këto rrethana sado që zhurmohet. Atë duhet të ketë kush ta rrëzoj. PDK mundet dhe e ka zakon ti rrëzoj partnerët, por kësaj radhe sharra jo vetëm se prekë gozhden por pret edhe kokën e saj. Opozita nuk e ka as takatin as marakun!

Pra, në mungesë të kambanave që do tundnin jo vetëm ëndrrat e pushtetarëve por edhe numrat sirtarëve, na mbetet të dëgjojmë ZILET e Presidentit për Kryeministrin nën tingujt e të cilave edhe mund të bëhet gjumë.

Qeveria nuk bie vet! Ajo mund të rrëzohet me disa gishta në kuvend. Dimri që do mbillej me këtë veprim do shfryente Ortekun e tij mbi Presidentin. Deri atëherë PDK-së do i mbetej pak për të bërë!

Përveç Netëve të errëta me Shtriga, gjithçka tjetër (kësaj radhe), e mban qeverinë në punë.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …