Bujar Shefqet Thaçi (15.12.1978 - 27.5.1999)

Bujar Shefqet Thaçi (15.12.1978 – 27.5.1999)

Gjysma e dytë e majit të vitit 1999 sajon dyjavëshin më të zjarrtë e me luftimet më të përgjakshme në Zonën Operative të Pashtrikut, por edhe në Koshare e në tërë Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit. Bandat e dehura e të shfrenuara serboçetnike tashmë ishin gjetur në “sendwich” ndërmjet dragojve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aeroplanëve të Aleancës Veriatlantike. Në rrethana të këtilla, këmbësoria serbe ishte imputuar sepse i mungonte guximi për të bërë luftë kallash për kallash e kaçubë për kaçubë, prandaj shpresa e vetme e “pukovnikave” shizofrenë u kishte mbetur në granatimet e pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dushkajë, në Dellovë, në Rosishte, në Kusuriq, në Kotradiq, në Baballoq, në Bjeshkët e Rusolisë, në Hamocet e Rahavecit, në Qafën e Duhlës, në Qafën e Pagarushës, në Samadraxhë, në Lumëbardh, në Brestos të Anadrinit e në Gurrazhub të Hasit, kur para predhave që hidheshin me artileri prej bazave në Maçak të Landavicës, në Shirokë të Therandës, në Pnish të Hasit, në Rrihje të Rahavecit, në Sukë të Baballoqit, në Podin e Gështenjave e kodrave të tjera që laheshin me gjak prej 24 marsit të vitit 1998 e prej 26 prillit në “Përrua të Thatë” të Anadrinit. Por edhe kanonadave të artilerisë serboçetnike i qëndronin sypatrembur: vëllezërit Rexhaj nga Jabllanica e Madhe, Arben Krasniqi e Xhezahir Syla të Grabanicës, Bejtë Kajdomçaj e Faik Çabrati nga Hasi, Sahit Avdyli i Rrëzëbjeshkës së Qyqavicës, Blerim Ahmeti i Kralanit, Arben Qerimaj i Gllogjanit, Ardian Kelmendi i Kusuriqit, Muharrem Kelmendi i Pejës, Islam Berisha i Qallapekut, Fetah Selca i Baranit, Arsim e Hilmi Bërdynaj të Fshatit të Ri (Pejë), Bekim Sylka i Rahavecit, Selim Berisha, Alajdin e Xhevat Elshani nga Brestosi, Demir Demiraj i Samadraxhës, Bislim Alijaj i Dujakës, Luan Qerimaj i Gllogjanit, Rexhep Tafilaj e Haki Krasniqi të Vranocit, Hamdi Përgjegjaj i Lumëbardhit, Alirizan Selmani i Tetovës, Beron Gashi i Prizrenit, Florim Rushiti, Astrit Suli, Abdurrahim Gërdellaj, Bafti Haxhiu, Safet Peci, Sali dhe Gani Saramati, Selver Maçkaj, Shpend Berisha, Zejnullah Zena, Xhelal Sopi, Arif Gashi i Samadraxhës, Besnik Përzhaku, Sadedin Hajda e Mexhit Mustafa të Rahavecit, Xhevdet Krasniqi e Milaim Morina të Dejës, Agron Bytyçi i Prizrenit, Nazmi Hasani i Qëndresës e Valon Myrtaj i Uçës, kurse në altarin e lirisë, pikërisht në ditën kur Luiz Arbur ngrit akuzë kundër krykriminelit Slobodan Milosheviq dhe funksionarëve të tjerë serbë, përjetësohen edhe dy mantelbardhët e Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, Jeton Kabashi e Bujar Thaçi, dëshmorë të kombit, njëri nga Apterrushi e tjetri nga Retia e Anadrinit.
Bujari i mësuesit Shefqet, i nënës Shemsi, i vëllai i Florentit e i Njomëzës, luftëtar i lirisë, teknik në spitalet ushtarake të Zonës Operative të Pashtrikut, sot dëshmor i kombit, me shtëpi të amshueshme në “Lugjet e Verdha” të Rahavecit, nën hije të lisit, pranë Tonit e Micit, i pandashëm me Jeton Kabashin, është i lindur më 15 dhjetor të vitit 1978 në fshatin Reti të Anadrinit ku ishte lindur luftëtari i njohur Danë Retia, e ku kishte rilindur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që theu mitin se “Serbia është e pathyeshme”. E sot, të paktë janë ata bashkëluftëtarë të Adem Jasharit që pas thyerjes së kufirit të mos kenë kaluar nëpër Drenaj të Mensur Zyberajt e nëpër Retinë e Bujar e Bekim Thaçit, të Avniut e të Ramadan Mazrrekut, prandaj doli edhe thënia “Ku është Retia, aty është Shqiptaria”.
Shkollën fillore, mjeku i ëndrrave të nënës Shemë e bacit Qetë, e mbaroi në vendlindje, kurse të mesmen në Teknikumin e Mjekësisë “Luçiano Matroni” të Prizrenit ku ishin shkolluar edhe dëshmorët Lulëzim Guta, Jeton Kabashi e shumë të tjerë. Gjatë qëndrimit në Prizren vepron në organizimin e protestave dhe demonstratave kundër dhunës serbe për çka bjen në duart e policisë serbe dhe rrahet deri në alivanosje. Nuk i mungojnë as thirrjet e shpeshta në bisedat informative, jo vetëm për Bujarin, por edhe për të anë, mësuesin patriot Shefqet Sokol Thaçin. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Bujar Thaçi përpiqet për t’u regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Gracit të Austrisë, e për ta fituar këtë të drejtë regjistrohet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, por megjithatë, punësohet si teknik mjekësor. I frymëzuar nga veprimtaria patriotike e Nahit Thaçit, intelektual i shquar dhe e veprimtarëve: Hamëz Kryeziu, Musli Thaçi, Arsim Shtërbani, Avni Thaçi e Ramadan Mazreku, Bujar Thaçi duke u gërditur nga psikologjia e robit dhe sjelljet banditeske të kapadahinjve Rajku i Ilijës e Pera i Millanit që mbillnin frikë e trishtim në fshatrat: Reti, Apterrush, Samadraxhë, Medvec e Zojz, vendosi t’i bashkohet grupit të veprimtarëve të këtij fshati dhe kështu në prill të vitit 1998, Bujar Thaçi gjendet pranë luftëtarëve të lirisë dhe më 12 maj bëri përpjekje mbinjerëzore për ndaljen e gjakderdhjes në trupin e luftëtarit të plagosur, Milaim Krasniqi, dëshmor i parë i Anadrinit. Këto përpjekje Bujar Thaçi i bëri në spitalin e improvizuar në Zatriq prej nga transportoheshin të plagosurit në Malishevë e Gajrak – Zona e lirë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ku gjetën shërim shumë luftëtarë të lirisë. Në këtë spital Bujar Thaçi për instruktor kishte dr. Haki Gashin e dr. Agim Hazrollin, kurse në qarkun operativ për tranjues kishte: Osman Zyberajn, Xhemë Gashin, Selajdin Mullabazin e Gani Paçarrizin, prandaj vepron në shtrirjen më të shpejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit dhe themelon spitalin ushtarak në Reti. Këtu shëron të plagosurit nëpër fushëbetejat e Anadrinit.
Aftësia organizative, humanizmi, shpirtgjerësia, modestia dhe mbi të gjitha, bujaria e luftëtarit Bujar Thaçi atyre ditëve doli në pah me shpejtësinë e madhe të shndërrimit të ambulancës së fshatit në një spital ushtarak i cili së shpejti, në saje të punës së Bujarit dhe Jetonit, u bë qendër ku shërohej popullata e Anadrinit pas betejave në Fortesë e Rahavec, e veçanërisht në kurimin e plagëve nëpër luftimet bri aksit rrugor Rahavec – Therandë. Sipas dëshmitarëve, Bujari bëri përpjekje mbinjerëzore për ndihmën e parë dhe transportimin – evakuimin e luftëtarëve Kujtim Saraçi e Lulëzim Ymeri nga Qyqavica, të cilët u plagosën në luftimet e 6 nëntorit të vitit 1998, kur te Apterrushi ranë në altarin e lirisë: Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti e Nezir Ymeri nga Zona Operative e Shalës. Vetëm me punë, Bujari u bë dorë e djathtë madje edhe në operacione kirurgjike të mjekëve Haki Gashi, Agim Hazrolli, Sali Asllani, Refki Berisha e Vezir Bajrami.
Gjatë luftimeve të fundmarsit 1999 në Qafën e Pagarushës, Bujari nuk ndahej prej shokëve. Pretendonte që luftëtarëve t’u gjendet sa më pranë; u jepte ndihmën emergjente dhe u qëndronte te shtretërit e improvizuar të Pagarushës të cilën e konsideronte shenjtëri për shpëtim. Edhe pas braktisjes së Pagarushës, Bujari kalon në Karvasari e Kasterc ku vepron në sektorin e shëndetësisë deri në koordinimin e operacioneve të “Shigjetës” nëpër fushëbetejat e Zonës Operative të Pashtrikut, të cilat i drejtonte Tahir Sinani, për të cilin sektori i shëndetësisë ishte segment më i rëndësishëm në çdo operacion e veçanërisht në “Shigjetën”, operacion ky që patjetër është dashur ta shkatërrojë “Patkoin”.
Pas depërtimit të Batalionit të Rahavecit në “Hamoce”, “Lis të Bajrakut” e në paralagjen “Ali Sokoli”, grupi i teknikëve zbret nga Kasterci, Semetishti e Dabërdelani kah Samadraxha, Retia, Hoça e Vogël, Brestosi e Nagaci, kurse Batalioni i Drinasit zë aksin rrugor Prizren – Gjakovë, mbi fshatin Celinë. Forcat serbe te hendikepuara, granatojnë në sistemin “hark” e “Qark” rrëzën e masivit që ndan Anadrinin nga Llapusha. Bujar Thaçi, njohës i mirë i terrenit, së bashku me Jeton Kabashin, Xhevdet Berishën, Visar Morinën, Bajram Balajn e Valon Myrtajn, avancon në drejtim të shokëve, por më 27 maj 1999, kah ora 10.00, në Vishnik të Samadraxhës përjetësohet në altarin e lirisë. Në ato çaste Bujari e Jetoni qenë gjetur nën kanonada të granatave që vinin nga baza artilerike e Shirokës. Pranë Bujarit dhe çantës së tij u përjetësuan edhe: Jeton Kabashi i Apterrushit, Sinan Hodaj i Samadraxhës dhe Valon Metë Myrtaj i Uçës së Burimit; në Hoçë të Vogël përjetësohen: Sadedin Hajda e Mexhit Mustafa, Xhevat e Alajdin Elshani; në Tehe Xhevdet Krasniqi e Milaim Morina e në Qëndresë, Agron Bytyçi e Nazmi Hasani.
Policia serbe në përpjekje për t’ua zhdukur gjurmët, “Dëshmorët e Samadraxhës”, Valonin, Sinanin, Jetonin dhe Bujarin, arrin t’i rrëmbejë dhe t’i varrosë në një kënd të varrezave të Rahavecit, por me ndërprerjen e veprimeve luftarake të Zonës Operative të Pashtrikut, zbulohen varret në Rahavec dhe kështu, trupi i pajetë i Valon Myrtajt, nën përcejlljen e bashkëluftëtarëve të Brigadës 123 të Zonës Operative të Pashtrikut e me pritjen ushtarake të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, rivarroset në varrezat e fshatit Dubravë të Burimit; trupi i pajetë i Sinan Hodajt, në Therandë, ndërsa Bujar Shefqet Thaçi e Jeton Ali Kabashi sot prehen të qetë në “Kopshtin e Dëshmorëve”, në krye të “Lugjeve të Verdha” të Rahavecit, nën hije të lisave – viga, jo larg varrit të Halil Homzës e të Halit Hajdës të cilët lanë Xhelal Hajdën e Selajdin Mullabazin.
Sot në varrezat e dëshmorëve në Rahavec, për “Lulëkuqet e Majit”, së bashku me bashkëluftëtarët e Retisë vjen edhe nëna Shemsi të cilën e shoqëron Njomëza, motër e dëshmorit. Kjo nënë, bijë e Spahijve të Samadraxhës, më 27 maj viziton “Vishnikun” dhe flet me lapidarët për Bujarin, Jetonin, Valonin dhe Sinanin e së andejmi i bashkohet nënës së gjeneral Xhelal Hajdës, e cila përveç Xhelalit vajton Sadedinin, pesë vëllezër e tre nipa nga Krusha e Madhe. Por nënat qëndrojnë të forta duke ndarë dhembjen, pikëllimin dhe krenarinë me njëra – tjetrën.
Emrin e Bujar Thaçit, përherë të buzëqeshur ashtu si rinia e Tij, e ruajnë vargjet e nxënësve të shkollave fillore të Anadrinit dhe një rrugë që shtrihet bri oborrit të Shkollës Fillore “Isa Boletini” në Rahavec. Me shkrime, Bujarin e përkujtuan edhe poetët Agim Metbala e Milazim Bajraj, ndërsa Këshilli Organizativ për Ruajtjen e Vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po punon në ngritjen e një “Këndi Përkujtimor” ku ishte ambulanca e Bujarit e ku do të shkëlqejnë emrat e dëshmorëve Ramadan Mazreku e Avni Thaçi, por edhe të 20 martirëve të fshatit të Danë Retisë që ranë për lirinë e Kosovës e për bashkimin e trojeve nga flitet gjuha e Naimit dhe e Fishtës. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …