Me peizazhe mbresëlënëse, ajër të pastër dhe pamje panoramike që shpalosin bukurinë e Ferizajt nga lartësitë e Lubotenit, Burrniku po merr çdo ditë e më shumë vëmendje si një nga destinacionet më atraktive të turizmit malor në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, vlerësoi se ky lokalitet po përjeton një zhvillim të dukshëm falë investimeve në infrastrukturë, të cilat kanë krijuar kushte më të mira për vizitorët dhe investitorët.
Sipas tij, rrugët e rregulluara, ndërtimi i shtëpive malore dhe potenciali i madh për zhvillimin e bizneseve turistike po e shndërrojnë Burrnikun në një pikë të rëndësishme për rekreacion dhe turizëm gjatë gjithë vitit.
“Burrniku është një perlë e natyrës që e madhështon Lubotenin dhe Ferizajn, një vend ku bukuria natyrore, qetësia dhe mundësitë për zhvillim ekonomik ndërthuren në mënyrë të përkryer,” theksoi Aliu.
Me resurset e tij natyrore dhe investimet e vazhdueshme, Burrniku po konsolidohet si një nga asetet më të çmuara turistike të Ferizajt dhe një destinacion me perspektivë të madhe zhvillimi.