Bylbyl Jahë Ferizaj (24.11.1962 – 13.4.1999)

Bylbyl Jahë Ferizaj (24.11.1962 – 13.4.1999)

Dëshmori i kombit Bylbyl Ferizaj u lind më 24 nëntor të vitit 1962, në fshatin Kodrali të Deçanit. Familja e Salizekëve të Kodralisë, në të cilën u lind dhe u rrit Bylbyli, ka një histori të lavdishme në luftërat që i zhvilloi populli shqiptar për liri e pavarësi dhe për mbrojtjen e trojeve etnike. Edhe në luftën e fundit ka dhënë një kontribut të pashoq për lirinë e Kosovës, si me pjesëmarrjen në luftën frontale, si në aspektin e logjistikës. Mbi të gjitha, kjo familje ka dhënë katër dëshmorë të kombit: Bylbylin, Ismetin, Përparimin e Salihun.
Kontributi i kodraliasve në luftën çlirimtare është i pamohueshëm. Këtë më së miri e dëshmuan edhe me numrin e madh të martirëve e të dëshmorëve që ranë në ballë të luftës, ata që dhanë kontribut dhe u dalluan në frontin e Gërdajave, ata që ndërruan jetë nga plagët e stërmundimet nëpër kazamatet serbe, të cilët kanë zënë vend meritor në historinë më të re, të cilët mundin, gjakun e jetën i vunë në themelet e lirisë, për t’u kujtuar e nderuar përjetësisht.
Dëshmori Bylbyl Ferizaj mori pjesë aktivisht në tubime, protestat e demonstratat të organizuara në Deçan, kundër regjimit pushtues serb, gjatë viteve të ’90-ta. Për shkak të veprimtarisë politike ishte dënuar me dy muaj burgim. Ndërkaq, pas shpërthimit të luftës frontale në Kosovë, veçanërisht pas Betejës së Gllogjanit, e zhvilluar më 24 mars 1998, Bylbyli edhe pse djalë hasreti, bashkë me djemtë e axhës e kushërinjtë iu bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fillimisht, që nga 24 prilli, u sistemua në kuadër të Shtabit lokal të UÇK-së në Kodrali, duke qenë gjithnjë në krye të detyrës. Mori pjesë në luftimet e zhvilluara në Gërdaja (ndërmjet Carrabregut e Prejlepit) që ishte ndër vijat më të vështira të frontit, pastaj në luftimet e zhvilluara në Prejlep, Baballoç, Kodrali, etj.
Në dhjetor të vitit 1998, si mbështetës logjistike u inkuadrua në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”, bashkë me djalin e axhës Ismetin. Bashkëveproi ngushtë me Përparim, Sali e Valiant Ferizaj, luftëtarë të dalluar të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, e më vonë të Batalionit të Tretë Gardist “Shkëlzen Haradinaj”, të tre dëshmorë të kombit që kanë një ditërënie të përbashkët. Bylbyli e Ismeti vazhdimisht punuan në furnizimin e UÇK-së me armatim, karburante e materiale të tjera të nevojshme për luftën.
Pas 24 marsit 1999, kur filloi intervenimi ushtarak i NATO-s kundër caqeve serbe, terrori ushtarako-policor serb kishte arritur kulmin. Më 27, 28, 29 e 30 mars, gjenocidi ushtarako-policor e paramilitar serb tejkaloi çdo ekstrem kur popullsia civile shqiptare u vra, u masakrua, u terrorizua e u dëbua nga vatrat e veta.
Më 4 prill 1999, në qendër të Deçanit, policia serbe, ndau nga kolona e popullsisë që po largohej në drejtim të kufirit me Shqipërinë administrative, veç tjerësh babain e Bylbylit, Jahë Salih Ferizaj (72-vjeç), Sadik Muhamet Ferizajn (14-vjeç), Ali Adem Ferizajn etj., të cilët i rrahën e i keqtrajtuan mizorisht.
Këso kohe në fshatin Kodrali kishin mbetur rreth 40 veta, gjysma e të cilëve u vranë ose u kidnapuan për t’u torturuar, vrarë e zhdukur më pastaj.
Më 13 prill 1999, në Kodrali, Bylbyli bashkë me kushërinjtë Ismetin, Bashkimin e Skënderin, u kap në befasi nga trupat policore dhe paramilitarët serbë, ish-kolonë të Lumbardhit, Ratishit e Dashinocit. Po atë ditë ishin arrestuar edhe Shaqë, Nijazi, Ramadan e Halit Ferizaj dhe Isë Hasaj, nga i njëjti fshat. Ishin dërguar në Stacionin Policor në Deçan, ku ishin torturuar barbarisht dhe pastaj ishin vrarë e më në fund kufomat e tyre u hodhën në ujë nga Ura e Demës (në magjistralen Deçan-Pejë) në Lumin e Bardhë të Deçanit, e disa prej tyre edhe në bunarët e fshatit Strellc i Poshtëm. Më vonë trupi i Bulbylit ishte gjetur në Llukë të Poshtme të cilin e kishte bartur uji i lumit dhe ishte varrosur si trupi i personit të paidentifikuar. Në vitin 2001 u bë zhvarrimi i eshtrave të tij, për t’u analizuar me metodën e ADN-së. Pas identifikimit, trupi i dëshmorit u rivarros me nderime ushtarake më 18 tetor 2002 në varrezat e dëshmorëve në fshatin Kodrali.
Dëshmori Bylbyl Ferizaj ka lënë pas vetes gruan Igballen dhe shtatë fëmijë, katër djem e tri vajza. Familja e dëshmorit është nderuar me mirënjohje nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, nga Komanda e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, nga komuna e Deçanit, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së në nivel lokal e kombëtar etj.
Kujtimi për të është përjetësuar në këngë por edhe me shkrime nga Fetnete Ramosaj në librin “Krimet Serbe në Kosovë – Pa Apologji – Me fakte kundër shpifjeve (vëllimi i dytë), dhe në gazetën dyjavore “Fokus”, Halit Mehmetaj në “Illyria” në Nju Jork, etj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …