Profesori i njohur amerikan dhe eksperti i politikës ndërkombëtare, Charles Kupchan, ka kritikuar qasjen e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe procesin e dialogut me Serbinë. Kupchan theksoi se veprimet e Qeverisë Kurti në çështje të ndjeshme politike dhe diplomatike kanë krijuar perceptimin se Kosova është po ashtu një ndër pengesat për përparimin e dialogut. “Fakti që ai ka qenë në pushtet për kaq gjatë dhe ka rifituar zgjedhjet është shenjë e aftësive të tij politike. Me këtë që thashë, mendoj që Kurti deri në një masë e ka tejzgjatur lojën nacionaliste”, u shpreh Kupchan. Ai përmendi disa vendime të Qeverisë së Kosovës si problematike në sytë e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë: emërimin e kryetarëve në veri, çështjen e targave, vendimin për ndërrimin e monedhës, si dhe mungesën e përparimit në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Deri më tani, shumica mendonin se Serbia është problemi. Tani është krijuar ndjesia që edhe Kosova është pjesë e problemit”, shtoi ai, duke sugjeruar se nevojitet një rishikim i qasjes së Prishtinës ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe marrëveshjeve të ndërmjetësuara.
