Dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja, fillimi i kapitullit të fundit të shpërbërjes së Unionit

Dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja, fillimi i kapitullit të fundit të shpërbërjes së Unionit

Fillimi i rrënimit të  BE-së doemos se do  t’i  nxit shqiptarët të bashkohen, të unifikohen dhe ta shikojnë realitetin  me sy hapur dhe jo me ëndrrat se fillimisht do të bashkohemi në BE, pastaj të bashkohemi mes veti. Kjo logjikë tashmë ka rënë. Britania e Madhe ka qenë dhe do të mbetet një shtet mik i të gjithë shqiptarëve, dhe këtë e ka treguar me vepër, sidomos prej vitit 1999. Janë politikanët e qeveritarët anglezë, të vetmit në Evropë, të cilët kanë parë gabimet e politikave antishqiptare të së kaluarës dhe i kanë korrigjuar ato, edhe pse ne tërë euforinë dhe dashurinë e dalldisur e  kemi derdhur për amerikanët, ndihma e pakursyer e tyre nuk ka sesi mohohet, por Anglinë gjithsesi e kemi më afër, nëse mendojmë esëll dhe natyrshëm në akord me momentin e ri,  të cilin po e krijojnë në Evropë pikërisht anglezët.

Me daljen nga BE-ja, Britania e Madhe mori një  veprim jashtëzakonisht të  rëndësishëm për vendin, duke i treguar Unionit se nuk dëshiron të mbetet edhe më tej pjesë e një entiteti globalist, që po shkon drejt shkatërrimit, meqë duhet të bartë mbi supe klikat sunduese të shteteve të korruptuara dhe parazite, duke ua mbuluar humbjet e hajnitë, sikur është rasti i Greqisë dhe sikur pritet të jetë rasti i Spanjës apo Italisë.  Bashkimi Evropian, pa Anglinë e cila ishte një mbështetje e fuqishme për të,  së shpejti do të mbetet një idilë e harruar e së kaluarës, ndërsa shtetet e Evropës do ta fuqizojnë sovranitetin e tyre dhe ashtu si gjithnjë do të mbijetojnë pa pasur nevojë të kenë një Piemont jo funksional dhe të panatyrshëm në shumë pikëpamje. Edhe ne shqiptarët duhet sa më parë t’i  flakin tutje iluzionet se do bashkohemi e do të integrohemi në BE, para se të bashkohemi me njëri tjetrin. Kjo ide anakronike tashmë është në shthurje e sipër. Po vjen koha të konsumojmë të drejtën e natyrshme të bashkimit kombëtar, pavarësisht pretendimeve të shpirtrave vasalë e të korruptuar deri në palcë, të cilët janë munduar të na mbajnë me premtime për integrim në “parajsën” BE.

Dorëheqja e Britanisë së Madhe nga BE-ja ka goditur rëndë jo vetëm Unionin në tërësi, por veçmas politikanët tanë iluzionistë, në Prishtinë, Tiranë e në Shkup të cilët krejt perceptimin dhe zhargonin e tyre politik,  e kanë ndërtuar  duke glorifikuar e duke ngritur në qiell të ashtuquajturat vlera të BE-së, të parajsës së tyre imagjinare, fiktive.

BE-ja për ta është alfa dhe omega e qytetërimit e përparimit, e begatisë dhe rehatisë, është njëlloj parajse e premtuar imagjinare njëjtë me parajsën, të cilën e ka ndërtuar feja për botën e përtejme.

Duke komentuar lajmin mbi daljen e Anglisë nga Unioni, qeveritarët iluzionistë shqiptarë po ndihen të zhgënjyer, të pikëlluar, të demoralizuar, sepse ka pësuar vizioni i cili i ka mbajtur dhe ende i mbanë në politikë, sepse ka pësuar  mundësia për të jetuar si parazit, duke u bërë pjesë e një sofre të madhe, të përbashkët, ku mund të hahet e të pihet si në “odë të mixhës”.  Rasti më i mirë i kësaj rrojtje parazite ka qenë dhe po mbetet Greqia, borxhet e së cilës po i paguan Unioni vetëm për të mos u dorëzuar, vetëm për të mos e pranuar kapitullimin.  Përderisa BE-ja ka marrë përsipër ta ndihmojë financiarisht Greqinë për ta nxjerrë nga kolapsi ekonomik, duke i dhënë miliarda euro, qytetarët e Greqisë kanë deponuar kursime në bankat e Zvicrës hiq më pak se 300 miliardë. Ky është paradoksi i cili ka tronditur Unionin. Tani që qytetarët e Britanisë së Madhe nuk dëshirojnë të marrin mbi kurriz  parazitët dhe sunduesit e papërgjegjshëm, Unioni nuk ka të si mos ndodhet para dilemës hamletiane.

Natyrisht se tërheqja e Britanisë së Madhe nga BE-ja ka goditur sidomos shtetet e dobëta dhe të varfra, të cilat anëtarësimin në BE e shohin si një mundësi për të mbijetuar ekonomikisht, sidomos në rast të krizave financiare, që i prodhon nga viti në vit modeli kapitalist i zhvillimit të shoqërisë. BE-ja tani për tani ka vetëm Gjermaninë, e cila për të mbijetuar Unioni ka marrë për detyrë  ta mbajë mbi supe tërë barrën, që ia ka lënë Britania e Madhe, nëse edhe ky shtet, ndër më të fortit në botë ekonomikisht e ushtarakisht,  nuk ia kthen ndryshe.

Shpresat e oligarkëve të Kosovës dhe të Shqipërisë për të qenë pjesë e BE-së po vdirren, ndërkohë që kriza ekonomike e politike vazhdon të thellohet dhe të përkeqësohet nga dita në ditë.

Tani është koha për këndellje e jo për të shprehur pikëllim sikur bën Ministri i Integrimit, Bekim Çollaku, i cili daljen e Britanisë nga BE-ja e ka quajtur të trishtuar. Ai ka shkruar se anëtarësimi i Britanisë së Madhe në BE ishte një frymëzim për të gjithë që aspirojnë BE-në. “Kjo është një ditë e trishtuar thotë ai i cili tashmë e di mirë se “parajsa e quajtur BE” ka marrë të tatëpjetën bashkë me gënjeshtrat për të mbetur në pushtet në emër të integrimit në Evropë. Edhe politikanë e diplomatë të tjerë shqiptarë ndihen të brengosur dhe të trishtuar me rastin e daljes së Britanisë së Madhe nga Unioni, pavarësisht se verdiktin për këtë dalje e ka dhënë popullata e Anglisë.

Njohësi, i pretenduar i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i diplomacisë, Lisen Bashkurti, duke folur për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja, konstaton me keqardhje se asnjëherë midis Britanisë dhe BE-së nuk paska pasur  dashuri të vërtetë dhe të qëndrueshme. Sipas tij Britania me qëndrimin e saj paska lodhur edhe  popullin e saj, e ka tensionuar edhe mbarë Evropën. Ky Bashkurti “ia qanë hallin kalorësit se i varen këmbët”. Madje ai shkon aq larg sa akuzon  Britaninë që nuk njohu Kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Britania nuk iu bashkëngjit Marrëveshjes Shengen për lëvizjen e lirë të njerëzve nga Evropa. Britania nuk hyri në Euro-Zone. Diplomati më i pasionuar i BE-së  paralajmëron se retë e zeza të së kaluarës do ngrihen mbi Evropë.

Ja deri ku shkon rezonimi i shqiptarit denbabaden rob i të huajve. Kjo nuk ka si të mos na sjellë në mendje një rast, jo të lavdishëm të historisë sonë, kur turqit e rinj kishin rrëzuar Sulltanin nga froni mijëra shqiptarë nga Kosova ishin nisur këmbë drejt Stambollit për të mos lejuar ndërrimin  e Baba Sulltanit, se i kishte për shpirt shqiptarët.

Dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja do t’ ia kthejë këtij shteti shkëlqimin e dikurshëm dhe rritjen e stabilitetit ekonomik. Nuk është në logjikën e kapitalizmit derdhja e parave dhe financimi  për politikanët matrapazë, mashtrues, të korruptuar dhe hajna të arkës së Shtetit. Si mund të qëndrojë një Bashkim shtetesh me interesa ndër më të ndryshme, me koncepte e kontradikta të mëdha në planifikim e zhvillim. Si mund të qëndrojë një union i tillë ku vetëm një shtet mund ta mbajë peng tërë unionin, sepse kërkohet një “konsensus maksimus”, i cili bëhet qëllim për vetvete. Edhe tetë vjet pas pavarësisë së Kosovës, të cilën e kanë pranuar 112 shtete të Evropës dhe të botës, janë pesë shtete të këtij Unioni që kurrë nuk do ta pranojnë pavarësinë e vendit tonë, pavarësisht dashurisë së zjarrtë që ka për Unionin, Hashim Thaçi, Isa Mustafa apo Çollaku me të tjerët. Edhe pas sa e sa lëshimeve që i  ka bërë Serbisë kreu institucional i Kosovës,  me një presion të hapur të Brukselit zyrtar, prapë se prapë shtetet si Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë unikë në qëndrimin e tyre për të mos e pranuar kurrë pavarësinë e Kosovës.

Ku qëndron pra arsyeja për të shprehur dashuri të zjarrtë për një BE, e cila shqiptarët vazhdon t’i trajtojë me logjikën e Bizmarkut, të Eduard Greit, Nikolla Pashiqit, Venizellosit dhe antishqiptarëve të tërbuar?

Rrënimi i BE-së doemos se do  t’i  nxit shqiptarët të bashkohen, të unifikohen dhe ta shikojnë realitetin  me sy hapur dhe jo me ëndrrat se do të bashkohemi në BE, pastaj të bashkohemi mes veti. Kjo logjikë tashmë ka rënë. Britania e Madhe ka qenë dhe do të mbetet një shtet mik i të gjithë shqiptarëve, sidomos prej vitit 1999. Janë politikanët e qeveritarët anglezë të vetmit në Evropë, të cilët kanë parë gabimet e politikave antishqiptare të së kaluarës dhe i kanë korrigjuar ato, edhe pse ne tërë euforinë dhe dashurinë e dalldisur e  kemi derdhur për amerikanët, edhe pse ndihma e pakursyer e tyre nuk ka sesi mohohet, por Anglinë gjithsesi e kemi më afër, nëse mendojmë esëll dhe natyrshëm në akord me momentin e ri,  të cilin po e krijojnë në Evropë pikërisht anglezët.

  1. 6. 2016.  Ahmet Qeriqi

 

Kontrolloni gjithashtu

Familja Meha

Mehmet Bislimi: Maji i Tahirit dhe i Nebihut

Atëbotë, me13 maji, ishte dita e milicisë së ish pushtuesit Jugosllav, Tahir e Nebih Meha, …