Qeveria e Kosoves

Miratohen disa vendime nga kabineti qeveritar

Lajmet e orës 12.00     25. 6 2016

Kryetari Hashim Thaçi  ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi që gjatë dhjetë ditëve të ardhshme të ratifikohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi. Deputetët e koalicionit PDK-LDK thonë se paraprakisht duhet një konsensus më i gjerë për t’i siguruar votat e nevojshme, të cilat sipas të gjitha gjasave nuk mjaftojnë pët të siguruar dy të tretat e votave të deputetëve.  Krerët e koalicionit, kanë deklaruar se kjo çështje nuk mund të bëhet gjatës javës së ardhshme, madje as një periudhë më të vonë meqë ka mospajtime edhe brenda këtyre dy partive të koalicionit dhe se paraprakisht  duhet të arrihet një konsensus për të siguruar votat e nevojshme për ratifikim. Po kështu deputetët, gjatë ditëve në vijim  i pret edhe pushimi veror.

Grupi parlamentar i AAK-së ndihet  i shqetësuar me mosveprimin e Qeverisë dhe kryeministrit, dhe mbajtjes pezull e pa zgjidhje të demarkacionit me Malin e Zi. “Pas fakteve të reja dhe pas shndërrimit të kësaj çështjeje në temë të përmasave nacionale, si dhe pas hezitimit të një numri të konsiderueshëm të deputetëve për ta votuar marrëveshjen e demarkacionit, i kërkojmë kryeministrit dhe Qeverisë, që këtë çështje ta rikthejnë në pikën zero. Qeveria duhet urgjentisht ta rihapë këtë temë me Malin e Zi, në mënyrë që vendi të merret me tema të tjera shumë të rëndësishme. Grupi parlamentar i AAK-së njëkohësisht u bënë thirrje kolegëve deputetë të të gjitha partive, që ta ushtrojnë ndikimin e tyre, në mënyrë që të zgjidhet nyja e demarkacionit. Çdo vonesë në zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje shkon në dëm të Kosovës”, është thënë në reagimin e grupit parlamentar të AAK-së.

Sot në Prishtinë Nisma për Kosovën po mban  Kuvendin e parë zgjedhor. Në këtë kuvend do të zgjidhen strukturat e partisë. Nisma për Kosovën  është formuar në vitin 2014, ndërsa në zgjedhjet që u mbajtën në qershor të atij viti ka fituar 6 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Burimet brenda kësaj partie bëjnë të ditur se anëtarësia e Nismës është rritur sidomos gjatë vitit të fundit. Kuvendi po mbahet  në Sallën e Kuqe të Pallati i Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë.

 

Në dritë të inaugurimit të linjës 400 kv Kosovë-Shqipëri që pritet të bëhet gjatë muajit qershor 2016 në Tiranë, pas përfundimit të punimeve në pjesën e Shqipërisë, Kryeshefi Ekzekutiv i KOST-it, Mustafë Hasani priti në takim Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Në takim u bisedua rreth bashkëpunimit aktual si dhe mundësitë e thellimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri në fushën e transmetimit të energjisë elektrike, zhvillimet në drejtim të tregut të përbashkët të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri si dhe bashkëpunimit në proceset e integrimeve rajonale dhe evropiane. Ndër të tjera, z.Hasani shprehu falënderimin e tij për gatishmërinë e përhershme të institucioneve të Republikës së Shqipërisë e në veçanti kompanisë homologe në Shqipëri për bashkëpunimin e vazhdueshëm në avancimin e projekteve të përbashkëta dhe proceset e integrimeve rajonale dhe evropiane të KOSTT. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi theksoi gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Shqipërisë për avancimin e bashkëpunimit me theks në fushën e energjisë  elektrike i cili aktualisht përbën sektorin me bashkëpunimin më të madh ndërshtetëror. Me këtë rast Ambasadori Minxhozi vizitoi edhe Qendrën Nacionale Dispeçerike në KOSTT, e cila është një nga Qendrat më të avancuara e cila operon në përputhje me normat më të larta teknike Europiane.

 Në organizim të degës së Gruas Demokratike të PDK-së në Gjakovë dhe kryetares së Gruar Demokratike , Justina Shiroka-Pula, solemnisht është bërë aderimi i mbi 80 grave të Gjakovës, specialiste të fushave të ndryshme. Takimin solemn e hapi kryetari i degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa. Ai u dëshiroi të gjitha grave mirëseardhje në shtëpinë e madhe të PDK-së. Sipas kryetares së Degës së Gruas së PDK-së në Gjakovë, Arbnesha Kuçi, aderimi i këtyre grave në PDK rritë potencialin krijues të grave dhe shton vlerat e përgjithshme për të arritur objektiva të caktuara.  Kryetarja e GD-së, Justina Shiroka-Pula, përgëzoi gratë që kanë zgjedhur të aderojnë në PDK, në partinë, siç tha ajo, të hapur për vlera politike dhe potenciale krijuese. “Politikës në Kosovë, kurrë më shumë se sot, i duhen gra aktere, që i bëjnë gjërat që të ndodhin e jo gra që presin dhe vrojtojnë. PDK-ja dhe Gruaja Demokratike është shtëpi e hapur për të gjitha gratë që kanë potencialin krijues në çdo fushë, kanë iniciativën dhe vullnetin e bashkimit, në atë mënyrë që potencialin individual krijues ta shndërrojnë në vlerë politike” theksoi Shiroka-Pula me këtë rast. Në takimin solemn të këtij aderimi kontriboi me diskutimin e saj edhe anëtarja e kryesisë së PDK-së Safete Hadërxhonaj.

 Avokati i Popullit dhe koalicioni i organizatave jo-qeveritare për mbrojtjen e fëmijëve, i ka shprehur ngushëllime familjes Mramori për humbjen e dy fëmijëve si pasojë e gropës së hapur në lagjen Kolovica të Prishtinës. Përmes një kumtese për medie, Avokati i Popullit ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që t’i ofrojnë familjes Mramori ndihmë dhe të gjitha shërbimet e nevojshme. Sipas këtij institucioni, rasti i fundit i humbjes së jetës së fëmijëve nga fatkeqësitë e shkaktuara nga faktori njeri, dëshmon për mungesën e qasjes institucionale për mbrojtjen e jetës. Në komunikatë bëhet thirrje që autoritetet publike të nisin hetimet për këtë rast si dhe të bëhen hulumtime për humbjen e jetës së fëmijëve në Kosovë, me qëllim që të konstatohen arsyet dhe faktorët që shkaktojnë atë.

 Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku vizitoi Komunën e Kaçanikut, ku u prit nga kryetari i Besim Ilazi, me të cilin bisedoi për planet e zhvillimit të komunës së Kaçanikut, me theks në zhvillimin e infrastrukturës rrugore. Ministri Zharku tha se kur është fjala për Kaçanikun, është shtuar ritmi i investimeve në këtë komunë, ndërsa për sivjet është paraparë të realizohen pesë projekte, nga të cilat për tri tashmë janë nënshkruar kontratat, ndërsa për dy të tjerat kjo do të bëhet së shpejti. Pas vizitës në Kuvendin Komunal, ministri Zharku me bashkëpunëtorë mori pjesë në përurimin e fillimit të punimeve të tri projekteve të infrastrukturës rrugore: ndërtimit të rrugës që lidh pjesën jugore të Kaçanikut me rrugën nacionale N2 – Kaçanik, ndërtimit të rrugës Gjurgjedellë – Kaçanik dhe asfaltimit të rrugës Kaçanik – Stagovë.

Kroacia vazhdon të jetë e pakompromis në kushtet e saj drejtuar Serbisë. Listës së kushteve tani i është shtuar edhe kërkesa për reparacione të dëmeve të luftës. Gazeta serbe ‘Veçernje Novosti, duke cituar burime brenda Këshillit të Evropës, ka konfirmuar se kroatët kanë vënë në listën e tyre të gjitha kushtet që kanë dashur. Zagrebi shprehet i vendosur që dëmshpërblimet e luftës të jenë një nga kushtet për hapjen e kapitujve negociues për anëtarësimin e Serbisë në BE. Edhe Bullgaria dhe Rumania janë të zëshme në respektimin e të drejtave të pakicave të tyre në Serbi, përkatësisht asaj bullgare dhe vllahe. Deri më tani diplomacia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë pësuar fiasko në të gjitha përballjet me Serbinë. Shtetit serb nuk i janë vënë kushte të tilla, as për dëmshpërblime, as për kërkim falje për krimet dhe gjenocidin si dhe as për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Përkundrazi, Serbia po e dikton agjendën e saj të bisedimeve me Kosovën, duke shtruar në tavolinën e bisedimeve vetëm çështjet që kanë të bëjnë me serbët.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Vetëvendosja në pushtet po refuzon të hetohet për skandalet që ka bërë

Deputeti i LDK-së, Arben Gsshi ka thënë se Vetëvendosja  në pushtet po refuzon të hetohet …