Dardan Molliqaj

Dardan Molliqaj: Shëndetësia publike dhe taksa progresive, në qendër të programit të PSD-së

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka prezantuar prioritetet kryesore të programit politik me të cilin kjo parti synon të sigurojë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Sipas tij, demokracia, taksa progresive, arsimi, shëndetësia dhe siguria në vendin e punës janë pesë shtyllat themelore mbi të cilat mbështetet oferta politike e PSD-së. Duke folur për sistemin shëndetësor, Molliqaj ka shprehur kundërshtimin e partisë së tij ndaj modelit të sigurimeve shëndetësore, duke argumentuar se ai mund të krijojë pabarazi në qasjen e qytetarëve në shërbime. “Ne besojmë se ligji për sigurimet shëndetësore do të bëhet problem. Sa më private të jetë shëndetësia, aq më e shtrenjtë bëhet. Përvoja ndërkombëtare tregon se sistemet më publike ofrojnë shërbime më cilësore dhe më të qasshme”, deklaroi Molliqaj. Ai vlerësoi se zbatimi i modelit aktual të sigurimeve shëndetësore rrezikon të lërë jashtë sistemit një numër të madh qytetarësh që nuk janë të punësuar, duke kufizuar përfitimet e tyre nga shërbimet shëndetësore. Sipas Molliqajt, PSD-ja angazhohet për një sistem shëndetësor publik dhe universal, ku çdo qytetar të ketë qasje të barabartë në kujdes shëndetësor, pavarësisht statusit të punësimit apo gjendjes ekonomike.

Kontrolloni gjithashtu

Protestë para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut, studentët kërkojnë respektimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve

Prishtina u bë të premten zëri i solidaritetit me studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. …