Dardan Sejdiu: Programi i Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti është varfër dhe me shumë pak përmbajtje

Dardan Sejdiu: Po përplasen dy tabore

Debati për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës ka nxjerrë në pah përplasjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, me opinionistin Dardan Sejdiu që e sheh situatën si vazhdimësi të një pakënaqësie të shfaqur prej kohësh brenda partisë. Dardan Sejdiu ka deklaruar se në LDK tashmë është krijuar një ndarje e dukshme mes dy qasjeve për të ardhmen e partisë, ndërsa kundërshtimet e disa deputetëve ndaj mbështetjes së kandidaturës për president, sipas tij, nuk mund të shihen si një rast i izoluar. Ai tha se pothuajse çdo qëndrim apo nismë e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është shoqëruar me kundërshtime nga një grup tjetër brenda partisë, duke e bërë të qartë se përplasja nuk lidhet vetëm me emrin e kandidatit për president, por me drejtimin politik që duhet të ndjekë LDK-ja. “Përgjithësisht kjo është çarje evidente tash e një kohë në LDK. Çkado që kemi parë në LDK që është sjellë nga Abdixhiku në tavolinë, në një formë ose tjetër ka pasur kundërshti prej një grupi tjetër të njerëzve në LDK”, ka deklaruar Sejdiu. Sipas tij, qëndrimet e deputetëve lidhur me votën për presidentin po e rikthejnë në skenë debatin e brendshëm për rezultatin zgjedhor, mënyrën e menaxhimit të partisë dhe përgjegjësinë për situatën politike në të cilën ndodhet LDK-ja. Sejdiu vlerësoi se deputetët që po shfaqin rezerva ndaj qëndrimit të kryesisë janë tashmë pjesë e drejtpërdrejtë e këtij debati dhe se zhvillimet e ardhshme mund të përcaktojnë raportet e forcave brenda partisë. Ai theksoi se, para se LDK-ja të angazhohet në negociata të tjera politike me subjektet e jashtme, duhet të sqarojë dallimet që ekzistojnë brenda saj. “Në LDK ekziston një diskutim tashmë i qartë i dy taboreve se si është rruga përpara për LDK-në”, tha Sejdiu, duke shtuar se çdo hap i ardhshëm duhet të paraprihet nga një diskutim i brendshëm politik.

Kontrolloni gjithashtu

Kurti i kërkon sërish takim Gjinit: Nuk mund t’i përmbush premtimet e një partie tjetër

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar sërish …