Profesori i drejtësisë, Kadri Kryeziu, ka vlerësuar se marrëveshja ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës është praktikisht e përfunduar, pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së për ta mbështetur atë. Kryeziu tha se mungesa e votave të mjaftueshme e bën të pamundur zgjedhjen e Sejdiut, duke shtuar se i vjen keq për kandidatin e propozuar. “Unë mendoj që është e përfunduar kjo marrëveshja për Bekim Sejdiun ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, pasi që nuk ka vota. Kështu që, kjo është e përfunduar. Më vjen keq për Bekimin”, deklaroi ai. Kryeziu kritikoi ashpër partitë politike për mënyrën se si po e menaxhojnë krizën institucionale, duke kërkuar më shumë seriozitet dhe bashkëpunim në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje për vendin. Sipas tij, institucionet dhe strukturat shtetërore funksionojnë, ndërsa problemi kryesor qëndron te partitë politike, të cilat, siç u shpreh, nuk po tregohen serioze në proceset vendimmarrëse. “Nuk bëhet hajgare me shtet”, tha Kryeziu, duke bërë thirrje për përgjegjësi më të madhe politike. Ai foli edhe për profilin e presidentit të Kosovës, duke vlerësuar se në krye të shtetit duhet të jetë një personalitet intelektual dhe me autoritet, ndërsa kritikat më të ashpra i drejtoi ndaj LDK-së dhe kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku. Kryeziu tha se nuk është dashur të arrihet marrëveshja për kandidatin presidencial pa u siguruar paraprakisht mbështetja e deputetëve të LDK-së, të cilët kanë rol vendimtar në zgjedhjen e presidentit. Ai shkoi edhe më tej duke kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut nga drejtimi i partisë, duke argumentuar se një lider duhet të ketë kontroll dhe koordinim me deputetët e subjektit që drejton. Deklaratat e Kryeziut vijnë në një moment të ndjeshëm politik, kur kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së ka vënë në pikëpyetje mbështetjen për Bekim Sejdiun dhe ka komplikuar edhe më tej procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
