Brickos

“Dardania Antike” synim parësor

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka zhvilluar sot një takim pune në Muzeun e Kosovës, ku është takuar me drejtorin e këtij institucioni, Skënder Boshtrakaj, dhe me anëtarët e Këshillit Drejtues.

Drejtori Skënder Boshtrakaj dhe anëtarët e Këshillit Drejtues e informuan ministrin Shala me programin që ka muzeu për këtë vit, duke veçuar sidomos angazhimin për ekspozitën e përhershme “Dardania Antike”, që është një synim parësor i institucioneve të trashëgimisë kulturore.

Po ashtu, në këtë takim u bisedua për iniciativën e Muzeut të Kosovës për të nxjerrë revistën “Buletini i Muzeut”, nëpërmjet të cilës synohet të promovohet kultura shpirtërore dhe trashëgimia e pasur e Kosovës. Gjithashtu, në këta takim u tha se së shpejti pritet të fillojnë edhe Botimet e Koleksioneve Numizmatike, me çka kjo fushë e rëndësishme e trashëgimisë së Kosovës, do të mund të njihet më mirë.

Drejtuesit e Muzeut të Kosovës u shprehën se muzeu ka një program të pasur provues, ku veçohen sidomos puna me fëmijë dhe programi “Një ditë në muze” që është për fëmijët e shkollave fillore, pastaj Shkolla Mozaikëve, si dhe programi për të rinj dhe studentë “Oda”, nëpërmjet të cilave aktivitete vlerat e muzeut promovohen dhe bëhen të dobishme për të gjithë.

Drejtuesit e këtij institucioni u shprehën se Muzeu tani ka konsoliduar edhe Muzeun Mobil, me çka kultura e pasur, e cila ruhet në këtë institucion, ka mundësi të lëvizë nëpër krejt Kosovën dhe të njihen me të qytetarët e vendi tonë, sidomos të rinjtë.

Ndërmjet ministrit Shala dhe drejtuesve të këtij institucioni u bisedua edhe për rëndësinë që ka trashëgimia shpirtërore për Kosovës dhe veçmas muzeu si institucion i rëndësishëm që ruan, ekspozon, promovon dhe e afirmon atë. Për këtë arsye, u kërkua që të punohet më shumë në vetëdijesimin e publikut për trashëgiminë kulturore, veçmas duke e shtuar ekspozitat dhe veprimtarinë publikuese.

Ministri Shala u shpreh se MKRS-ja po punon në studimin e fizibilitetit për ndërtimin e Muzeut të Arteve Bashkëkohore dhe po ashtu, është duke u angazhuar që të realizojë edhe projektin madhor të Muzeut të Natyrës.

Po ashtu, Shala u shpreh se muzeu është tejet i dobishëm për kujtesën e një vendi, dhe si i tillë ndihmon promovimin dhe njohjen e kulturës së vendit tonë. Ai e vlerësoi si jashtëzakonisht të dobishme iniciativën për publikime, dhe u shpreh se duhet një bashkëpunim dhe bashkërendim më i ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës, në funksion të njohjes me vlerat e trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore dhe afirmimin e tyre edhe jashtë Kosovës, sidomos nëpërmjet guidave, katalogëve dhe përkthimeve të kërkimeve shkencore.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …