Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka deklaruar se nuk dëshiron më bashkëpunim politik me liderin e Nismës, Fatmir Limaj. Ai kritikoi vendimin e Limajt për të biseduar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me formimin e institucioneve të reja. Haradinaj e cilësoi këtë veprim si të gabuar dhe të paqartë, duke theksuar mungesën e transparencës. “Asnjë problem nuk e kemi pasur, por hatërmbetjet kanë qenë pse nuk ka komunikuar me neve para se të merrte një drejtim tjetër, ku shkoi te Kurti,” tha ai. Deputeti i AAK-së nënvizoi se në politikë vlerëson besnikërinë dhe bashkëpunimin e sinqertë, ndërsa lëvizja e Limajt është interpretuar si prishje e koordinimit opozitar. Ai po ashtu u shpreh se nuk do të pranojë të jetë në një listë zgjedhore me Limajn. “Nuk kisha pas qef me qenë në listë ku është Fatmir Limaj,” theksoi Haradinaj. Ky qëndrim i tij konsiderohet si sinjal për përçarje brenda boshtit opozitar, dhe paralajmëron ripozicionime të reja në skenën politike përballë Vetëvendosjes.
