Debat për buxhetin e vitit 2017 të komunës së Shtimes me OJQ-të lokale

Kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Fatmire Ferati, ka mbajtur edhe një debat publik me OJQ-të lokale ku është debatuar, sipas vendimit të Kuvendit të Komunës së Shtimes, lidhur me Propozimbuxhetin për vitin 2017.

Ftesës publike, për këtë debat, i janë përgjigjur të gjitha OJQ-të që veprojnë në komunën e Shtimes.

Pjesëmarrës në debat ishin: Përfaqësuesit nga  rrjetizimi i OJQ-ve lokale “PRO NET”, në Shtime, nga OJQ Polis, nga “Qendra Rinore”, nga OJQ “Veprimi për Ligjin dhe Demokracinë “, nga AKV” Dita”, nga “Balkan Sun Flovers “ , nga SHBA “Guri i Shtrejtë“, nga KF “Vjosa” dhe  nga “Handikos”.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, pasi ka përshëndetur të pranishmit, fillimisht, prezantoi dokumentin e Propozimbuxhetit dhe mënyrën e ndarjes së subvencioneve me ç’rast bëri të ditur se për vitin 2017 janë planifikuar gjithsej 113.000€, shumë kjo të cilën e ka caktuar  Ministria e Financave si maksimale për subvencione të kategorive të ndryshme si: Bujqësi, Sport, Kulturë, Rini, Shëndetësi, Bursa për nxënës dhe studentë, Qendra Rinore, Shoqata, projekte për OJQ-të lokale, shënimin e manifestimeve në datat e caktuara, Handikosin, Kryqin e Kuq e kështu me radhë.

Pas prezantimit të formës së ndarjes së subvencioneve Kryetari Ismajli kërkoi nga të pranishmit që të japin idetë e tyre nëse kanë ndonjë formë më të mirë të ndarjes së buxhetit për subvencionet e vitit 2017.

I pari në këtë takim foli Ibrahim Halili nga KF “Vjosa “, i cili kërkoi nga komuna që  të rriten subvencionet për klubin e futbollit dhe të zvogëlohen shpenzimet në kategori të tjera pasi që, siç tha ai, rinia e Shtimes ka nevojë për përkrahje institucionale për të qëndrua sa më larg dukurive negative.

Behadin Rexhepi nga SHBA “ Guri i Shtrejtë “ kërkoi nga kryetari Ismajli përkrahje për të realizuar projektin për shenjëzimin e hapësirave publike në mënyrë që të ruhet ambienti nga ndotja me mbeturina. Përgjigja e kryetarit ishte se kjo pjesë shkon me projektet kapitale por bëri të ditur se në vitin 2017, komuna do angazhohet në vendosjen e pllakatave me mbishkrime për ruajte të mjedisit në hapësira ku mund të krijohen edhe mbeturina apo edhe deponi.

Albert Ramadani nga organizata “Veprimi për Ligjin dhe Demokracinë “ para Kryetarit dhe pjesëmarrësve shpalosi një projekt që ata po implementojnë në partneritet me Ambasadën Norvegjeze si financuese dhe kërkoi që OJQ-të e Shtimes të dërgojnë gjashtë të rinj për të qenë pjesëmarrës në të, mirëpo Ramadani kërkoi nga Kryetari mbështetje për imlementin e një projekti për për risocializimin e të rinjve, përfshirë fëmijët që bëjnë shitjen nëpër kafene apo kërkojnë lëmoshë nga të tjerët. Lidhur me këtë Kryetari u shpreh i gatshëm për të diskutuar më shume rreth këtij projekti dhe premtoi mbështetje për këtë.

Muhamet Qeriqi nga OJQ “ Polis “, në Lipjan, kërkoi që të krijohet një buxhet prej 2.000 deri në 3.000 € për subvencionim të projekteve që sjellin OJQ-të, ide kjo e cila u mirëprit nga Kryetari.

Gazmend Zeqa nga KF “Vjosa “ njëherit edhe përfaqësues nga organizata “EACE “ kërkoi nga Kryetari që të rrisë buxhetin për subvencion duke e konsideruar atë të vogël ndërsa Kryetari premtoi angazhim shtesë në këtë drejtim duke përsëritur se kjo çështje varet edhe nga Ministria e Financave, e cila vendos një limit për shpenzimet buxhetore për Subvencione.

Behadin Rexhepi nga SHBA “Guri i Shtrejtë “ kërkoi të dijë nëse përkrahen OJQ-të me aktivitet pasiv pasi në një formë u befasua nga numri i madh i pjesëmarrësve në takim duke pyetur se a janë të gjithë nga e njëjta OJQ, ndërsa përgjigja për të ishte se DKRS shikon veprimtarinë e organizatës e pastaj ndan subvencionin apo përkrah aktivitetin, gjithashtu DKRS e monitoron edhe implementimin e projekteve të financuara nga vetë ajo.

Tafë Fazliu nga Handikos falënderoi komunën e Shtimes  për përkrahjen e dhënë që nga vitit 2004 e deri sot dhe kërkoi që edhe në vitin 2017 “Handikos”-i të përkrahet me 3,500€, duke shtuar se në Ditën e Çlirimit, kjo organizatë ka planifikuar zhvillimin e një ndeshje sportive në basketboll, për personat me aftësi të kufizuara, andaj kërkoi nga Kryetari që të mbështesin edhe këtë aktivitet me ushqim, pije dhe transport, kërkesa këto të cilat edhe u pranuan pasi Kryetari vendosi që të zvogëlojë buxhetin e “Grupit jo Formal të Gruas”, për vitin 2017 duke plotësuar kërkesën e “Handikos”-it , Projekteve të OJQ-ve dhe ato të Klubeve Sportive.

Xhevdet Hysaj nga KF Vjosa kërkoi sanimin e objektit ku janë zhveshtoret e KF “Vjosa” dhe rregullimin e pajisjeve të furnizimit me ujë , ndërsa si kërkesë pati edhe ndërtimin e një fushe ndihmëse. Për këtë Kryetari bëri të ditur se kjo mund të kryehet përmes projekteve kapitale dhe jo subvencioneve.

Në fund, kryetari, falënderoi pjesëmarrësit për kontributin që kanë dhënë në këtë debat, lidhur me planifikimin e buxhetit për vitin 2017.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …