Deponia inerte në Çirez nuk ka karakter ndotës dhe rrezik për qytetarët

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pritur në takim përfaqësuesit e fshatrave të Bashkësisë Lokale të Çirezit, ku të pranishëm ishin edhe anëtarët e komisionit të ekspertëve, me të cilët ka diskutuar rreth deponisë së mbeturinave inerte, e cila është propozuar të vendoset në vendin e quajtur “Delli” në fshatin Çirez. “Së bashku me komisionin e ekspertëve kemi dhënë sqarime të nevojshme sa i përket deponisë, e cila do të përmbajë vetëm mbeturina inerte, pra materiale ndërtimore, dhe në asnjë mënyrë mbeturina të lëngshme. Mbeturinat inerte janë mbeturina të cilat nuk pësojnë ndonjë ndryshim të rëndësishëm fizik, kimik dhe biologjik në vendet ku janë deponuar”, ka thënë kryetari Jashari. Mbeturinat inerte nuk treten, nuk ndizen ose nuk reagojnë fizikisht apo kimikisht, nuk biodegradojnë në kontakt me materiet tjera, nuk ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në mjedisin dhe shëndetin e njeriut. Sipas kryetarit të Skenderajt, planifikohet që gropat në atë vend të mbushën me material ndërtimor, dhe se nuk do të shkaktojnë asnjë rrezik për ndotje të ambientit apo të puseve që shfrytëzohen për ujë të pijes. Dhe për të kthyer atë pjesë në gjelbërim, Komuna e Skenderajt do të mbjellë pisha. “Unë i garantoj të gjithë qytetarët e fshatrave në Bashkësinë Lokale të Çirezit, se ambienti nuk do të rrezikohet të ndotet nga deponia e mbetjeve inerte. Këtë të diele kemi caktuar edhe një takim me banorët e asaj pjese, për të dhënë informata të hollësishme dhe sqarime shtesë rreth deponisë që nuk do të paraqes ndotje të ambientit”, është shprehur kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në komunën e Malishevës mbajti mbledhjen e tretë të rregullt

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në …