Dialogu

Dialogu në udhëkryq: Prishtina dhe Beogradi ruajnë kontaktet, por jo zgjidhjet

Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar të prodhojë rezultate të kufizuara në nivel teknik gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ndërsa temat më të ndjeshme politike mbeten ende pa epilog. Sipas një analize të publikuar nga Qendra për Politika Evropiane  në Beograd, në bashkëpunim me organizata partnere nga Prishtina, zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit ka arritur në rreth 21 për qind, ndërsa Aneksi i Ohrit është zbatuar në rreth 45 për qind. Njohësit e procesit vlerësojnë se përparimet e deritanishme janë kufizuar kryesisht në çështje teknike, si rifillimi i punës së Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur dhe ndërhyrja e Bashkimit Evropian për tejkalimin e problemeve të krijuara nga zbatimi i Ligjit për të Huajt në Kosovë. Megjithatë, çështjet thelbësore vazhdojnë të mbeten të hapura. Serbia nuk ka zbatuar detyrimet që lidhen me moskundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndërsa Kosova vazhdon të përballet me kërkesat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Gjatë muajve të fundit, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sørensen, ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësuesit e të dyja palëve në përpjekje për të ruajtur vazhdimësinë e procesit, por pa arritur të krijojë momentum për vendime politike. Për pasojë, dialogu Kosovë–Serbi vazhdon të mbahet gjallë përmes komunikimit teknik dhe ndërmjetësimit evropian, ndërsa normalizimi i plotë i marrëdhënieve mbetet ende një objektiv i largët.

Kontrolloni gjithashtu

Edi Rama pas rezolutës së PE-së: Flamingot dhe Vjosë–Narta do të mbrohen, Zvërneci do të zhvillohet sipas standardeve të BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas miratimit të rezolutës së Parlamenti Evropian për …