Bashkimi Evropian ka njoftuar për takimin e djeshëm në Bruksel në kuadër të dialogut teknik Kosovë–Serbi, ku kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, ai i Serbisë Petar Petkoviq dhe emisari i BE-së Peter Sorensen u mblodhën për herë të parë në një format trepalësh për të diskutuar themelimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur. Sipas BE-së, ky komision do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur dhe do të mbështesë punën e Grupit Punues të kryesuar nga ICRC, me synim zbardhjen e fatit të mijëra personave ende të zhdukur nga lufta. Megjithatë, komunikata e Brukselit shmang çdo referencë të drejtpërdrejtë ndaj përgjegjësisë shtetërore të Serbisë për varrezat masive dhe zhdukjet me forcë, duke e paraqitur procesin si një çështje “teknike” dhe jo si problem drejtësie dhe llogaridhënieje. Themelimi i këtij komisioni ishte dakorduar që në maj 2023 nga Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, ndërsa Termat e Referencës u miratuan vetëm në dhjetor 2024, çka tregon zvarritjen e vazhdueshme të një procesi jetik për familjet e viktimave. BE shprehet optimiste për “kontribut të rëndësishëm”, por pa mekanizma detyrues dhe pa presion real mbi Beogradin për hapjen e arkivave ushtarake e policore, ky komision rrezikon të mbetet edhe një forum simbolik më shumë, ndërsa familjet vazhdojnë të presin përgjigje që u janë borxh për më shumë se dy dekada.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
