leoni

Shumica e shteteve të botës kanë uruar Shqipërinë për 28 nëntor, në mesin e tyre edhe NATO-ja

Dilaver Goxhaj: 28-Nëntori -DITA E FLAMURIT

( Me rastin e 107-vjetorit të Ditës së Flamurit kombëtar shqiptar)

Për çdo vit, porsa afron data e 28 nëntorit, çdo shqiptari i kujtohet Ismail Qemali, ky bir i shquar i Shqipërisë, nipi i Ismail bej Vlorës, oficer madhor i Turqisë, i vrarë prej saj pse ishte mik i Ali Pashë Tepelenës, dhe pse nuk zbatoi urdhrin për luftë kundër grekëve që përpiqeshin për liri e pavarësi; si dhe ishte biri i Mahmud beut, i cili, kur shpërtheu kryengritja e madhe fshatare më 1847, babai i Ismail Qemalit mori anën e kryengritësve dhe për këtë turqit e syrgjynosën.

Duke ndjekur shembullin e gjyshit dhe të babait të tij, Ismail Qemali u largua nga traditat e klasës së tij aristokrate dhe, në jetën e veprat e tij, u bë një me popullin. Të afërmit e tij Ferid Pasha, Eqerem bej Vlora dhe Syrja bej Vlora si dhe gjithë bejlerët e turqizuar të trojeve shqiptare, nuk ia falën kurrë këtë mohim që i bëri oxhakut të tyre, duke u solidarizuar me “harbutërinë”. Këtu e kanë burimin edhe fyerjet që i kanë bërë Ismail Qemalit Mit’hat Frashëri e Faik Konica.

Sikundër thamë më lart, gjyshi i Ismail Qemait, Ismail bej Vlora, i cili e kundërshtoi Hurshid Pashën të merrte pjesë në luftë kundër grekëve që luftonin për liri, si rrjedhojë, Hurshid Pasha, më 1827 e thirri në Janinë, me qëllimin se gjoja do ta  emëronte të parin e vendit, i ngriti kurth dhe e vrau kur po zbriste nga kali.

Në këtë kohë udhëheqësi i kryengritjes së fshatarësisë shqiptarë, Tafil Buzi, ndodhej syrgjyn në Ysqydar, dhe me ta mësuar këtë akt kriminal të Hurshid Pashës, u dërgoi fjalë labëve: “Turp për ju! Erdhi halldupi i Konjës në vatër tuaj, ju vrau vëllanë në Janinë, dhe s’u bë për burrë asnjë nga ju t’i mrrte gjakun!”

Dhe bashkëluftëtari i tij, kapedani i Labërisë, Zenel Gjoleka nga Kuçi i Kurveleshit, e vrau Hurshid Pashën, dhe populli e përjetësoi në këngë këtë  lloj “përgjigje”:

Tafil Buzit të m’i thoi,

Gjoleka s’e turpëroi,

Kaftanasin e martoi,

Me të dyja e qëlloi,

Nëpër dyzet mijë shkoi . . . .

Ismail Qemali lindi më 24 janar 1844 në Vlorë, në atë qytet ku në 28 nëntor 1912, në moshën 68 vjeçare, në vitin e katërt të qenit deputet i Vlorës në Parlamentin e Perandorisë Turke, do të ngrinte flamurin shqiptar, pas gati 500 vjetësh robëri, dhe do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë që e gëzojmë edhe sot.

Për këtë arsye data 28 nëntor, e cila ka marrë edhe emrin Dita e Flamurit, është dita më e shënuar në historinë e kombit tonë. Duke festuar këtë ditë, i pari kujtim që na vjen ndër mend është se një popull i tërë para 107 vitesh ka shpëtuar prej kurthit të robërisë dhe nisi të shijojë jetën e lirë, duke u përfaqësuar prej simbolit kombëtar: Flamuri kuq-e-zi me shqiponjën dykrenare!

Në këtë flamur nuk shohim vetëm bukurinë e tij, por edhe bukurinë e një Atdheu, të një kombi, me tërë cilësitë, parimet, ndjenjat dhe historinë e kombit tonë shqiptar, që nuk i ka ndërprerë luftërat për liri, pavarësi e demokraci edhe në këto 107 vite për të qenë jo vetëm i lirë por edhe i bashkuar. Nën këtë flamur luftuan trimat shqiptarë, gegë e  toskë, prej asaj date e deri në mbarimin e Luftës I Botërore; nën këtë flamur luftuan shqiptarët në 1920 kur hodhën Perandorinë Italiane në det; nën këtë flamur shpërtheu Revolucioni Demokratiko-borgjez i vitit 1924; nën këtë flamur luftuan antifashitët shqiptarë në vitet 1939-1944 për të rifituar lirinë dhe pavarësinë e vendit të pushtuar nga nazifashistët; nën këtë flamur luftuan trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në vitet 1997-1999 derisa e çliruan dhe i siguruan Kosovës pavarësinë; nën këtë flamur luftuan trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevë, Medvegjë e Bujanovc (UÇPMB) në vitet 2000-2001; nën këtë flamur luftuan trimat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoni në vitin 2001.

Nën këtë flamur festojnë 28 nëntorin me tubime, sesione shkencore dhe me këngë e valle të gjithë shqiptarët e trojeve shqiptare në Ballkan dhe të gjithë shqiptarët e shpërndarë në tërë globin e kësaj bote.

Vetëm në vitin 2008 ndodhi dy akte të pa pëlqyeshëm nga gjithë shqiptarët në Parlamentin e Kosovës, së pari, në vend të Flamurit Kombëtar u adaptua një flamur pa ngjyrën kuq-e-zi dhe pa shqiponjën dykrenare, por një flamur me sfond blu dhe ka të vendosur mbi të një hartë të Kosovës si dhe gjashtë yje. Si rrjedhojë, edhe datën 28 nëntori nuk e theksuan ditë feste kombëtare. Së dyti, shqiptarët në Kosovë duan t’i quajnë kosovarë dhe jo shqiptarë, pra ndryshojnë kombësinë! Por, të ndryshosh kombësinë është diçka e papranueshme, për të cilën Fan Noli thekson: “Njeriu mund të zgjedhë cilëndo fé që ka trashëguar apo që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë të tijën, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej tradhtari.”

Këto ditë në afrim të 28 nëntorit, Kryeministri i Kosovës në largim, zoti Ramush Haradinaj, shpalli ditë pushimi datën e 28 nëntorit. Gjst shumë i mirë! Këtë e bëri, ndoshta, për të korrigjuar sadopak aktin që bëri një vit më herët, duke e hequr nga shtiza në hyrje të Prishtinës. Më mirë vonë, se kurrë. Megjithatë, kjo është ditë pushimi,  por jo me ligj.

Shpresojmë se qeveria e ardhshme e Kosovës, e kryesuar nga udhëheqësi i Vetëvendosjes, z. Albin Kurti, datën 28 nëntor ka për ta shpallur me ligj festë dhe pushim zyrtar edhe për Republikën e Kosovës.

Tiranë, 27 nëntor 2019

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …