Dilaver Goxhaj: Dëshmorët e skalionit të dytë të UÇK-së

Nxitja për ta shkruar këtë artikull më lindi prej reagimit të z.Ahmet Qeriqi, të datës 6 dhjetor 2015, me rastin e ndarjes nga jeta të babait të 5 (pesë) dëshmorëve të Luftës Çlirimtare në Kosovë (UÇK), të ndjerit Idriz Dvorani, nga  fshatit Terstenik i Drenicës. Pesë dëshmorë prej një familjeje, rast unikal edhe ky për Kosovën e atyre viteve. Pa drojën më të vogël mund të shprehemi se kemi të bëjmë me një Familje Heronjsh. Po, çuditërisht, të befason fakti se të 4 (katër) vëllezërve biologjikë të dëshmorit Hysni Dvorani, Avni Dvorani, Veli Dvorani, Lumni Dvorani dhe Haki Dvorani, Komisioni Qeveritar për Verifikimin e Veteranëve, Dëshmorëve dhe Invalidëve të asaj lufte, së bashku me komandantin dhe gjithë drejtuesit e formacionit ku ata kanë zhvilluar aktivitetin e tyre çlirimtar, u është mohuar statusi i dëshmorit, duke i trajtuar thjesht si viktima lufte, me “argunmentin” absurd se edhe pse kanë shërbyer në furnizimet logjistike të UÇK-së, kanë qenë pa armë! Por ekziston edhe paradoksi tjetër që po ky Komision Qeveritar u ka njohur statusin e veteranit qindra qytetarëve të Republikës së Shqipërisë me argumentin tjetër absurd: “kanë veshur uniformën e UÇK-së”.


 


Këta lloj argumentash absurdë të bëjnë të ulërasësh: O Tempora! O Mores! Ky lloj argumenti sa idiot aq edhe dashakeq të bën të besosh se këta lloj “komandantësh” e “komisionerësh” qeveritarë jo vetëm që nuk marrin vesh dhe nuk dinë se ç’është ushtria në përgjithësi, por, me sa duket nuk kanë mësuar asgjë nga lufta çlirimtare e Kosovës; nëse kanë luftuar. Këtë të fundit e them me plot gojën, sepse këta lloj “luftëtarësh” nuk dinë se çfarë është  prapavija (logjistika) e ushtrisë në përgjithësi, e në mënyrë të veçantë nuk dinë se në luftën çlirimtare, e sidomos në luftën çlirimtare guerile me luftime partizane e frontale (sikundër luftoi UÇK-ja), prapavija (logjistika) quhet edhe SKALIONI i DYTË i luftës.


 


Dhe çfarë është në të vërtetë ky Skalion i Dytë i një lufte çlirimtare, sikundër ishte lufta e jonë e viteve 1997-1999 për çlirimin e Kosovës prej pushtuesit shekullor serb?


 


Për fat të keq shumica e popullsisë që nuk u angazhua në asnjë mënyrë në atë luftë, nuk e dinë dhe kanë të drejtë të mos e dinë se çfarë është ky “skalion i dytë” i luftës (prapavija-logjistika) dhe, me qenë se deri tash nuk na është dhënë rasti ta trajtojmë teorikisht këtë organizim (institucion) origjinal të luftës, do mundohem që ta orientoj sadopak lexuesin, por veçanërsisht për të shkundur nga miopia ata që ua kanë mohuar statusin e dëshmorit këtyre katër dëshmorëve të vërtetë, të cilët i kanë renditur si viktima me një të rënë të lapsit.


Skalioni i dytë i çdo lufte çlirimtare është faktikisht i gjithë populli që është aktiv e ndihmon me të gjitha mënyrat për çlirimin e atdheut, por veçanërisht, për rastin në fjalë, “Skalioni i Dytë” i UÇK-së janë formacionet (rendimet) e prapavijës (logjistika) e kësaj lufte, skalion, të cilin, për ta bërë edhe më të kuptueshëm, nuk besoj se bëj gabim ta krahasoj e të them se është i ngjashëm me prapavijën a prapaskenën, quaje si të duash, të teatrit.


Sikundër e dimë, në teatër shfaqjen e luajnë aktorët, ndërsa ata që e kanë përgatitur këtë shfaqje i vështrojnë aktorët si të lodhur e si me mospërfillje nga llozha e fundit. Kjo prapavijë e teatrit, “Skalioni i dytë” i tij, përbëhet nga robaqepësit, nga ata që bëjnë makiazhin e aktorëve, nga karpentierët (ndëruesit e skenave), elektriçistët, teknikët e ndryshëm etj. Me një fjalë, skalioni i dytë i teatrit nuk përbëhet pra, nga aktorët e solistët, por nga punëtorët; dhe, nëse nuk do të ekzistoi ky “skalion i dytë” punëtorësh me punët e tyre, nuk do të mund të luajnë teatër kurrë aktorët dhe solistët. Afërsisht kështu ndodh edhe me Skalionin e Dytë të luftës çlirimtare, ku bënin pjesë edhe katër dëshmorët de fakto në fjalë: Avni Dvorani, Veli Dvorani, Lumni Dvorani dhe Haki Dvorani. Skalioni i Dytë i luftës çlirimtare (sikundër ishte lufta e jonë), nuk përbëhet nga heronjtë por nga ata që sigurojnë shërbimin e heroizmit;


Skalioni i Dytë i luftës çlirimtare nuk përbëhet nga ata që marrin vendime luftarake, por nga ata që përgatisin kushtet për marrjen e vendimeve luftarake;


Skalioni i Dytë nuk zhvillon luftime e betejat, por krijon kushtet për zhvillimin dhe fitoren e tyre;


Skalioni i Dytë i luftës çlirimtare është llogaria e luftës, prandaj ekziston shprehja frazologjike ushtarake: Ushtria është e fortë nëse ajo ka një prapavijë (logjistikë) të fortë.


Dhe më konkretisht: Skalioni i Dytë i UÇK-së (prapavija) përbëhej nga spitalet, depot, kuzhinat, pikat e riparimit të veshmbathjeve, makinave dhe armëve, nga institucionet e propagandës (Radio Kosova e Lirë, Agjensia Kosova Press dhe gazetarët e tyre) etj. Në këtë skalion grumbulloheshin veshmbathja (uniforma dhe këpucë) për frontin dhe jo për veten e tyre; atje riparoheshin uniformat dhe këpucët; atje gatuhej ushqimi i njomë (i ngrohtë) si dhe grumbullohej, përgatitej e shpërndahej ushqimi i thatë; atje riparoheshin ato pak mjete transporti që kishim; atje grumbullohej e bluhej misri dhe gruri për ta shndërruar në miell; atje grumbulloheshin e shpërndaheshin municionet, armët e karburanti nëpër formacionet e UÇK-së; atje evidentoheshin të gjallët e të vrarët dhe varrosja e këtyre të fundit; atje jepej ndihma e parë e të plagosurve dhe mendohej ku do të dërgoheshin të plagosurit rëndë e të plagosurit lehtë; atje llogariteshin dhe përgatiteshin të plagosurit rëndë që kishin nevojë për mjekim më të specializuar e që dërgoheshin në Spitalin Ushtarak të Tiranë, ku nga 810 të tillë, vetëm njëri prej tyre nuk mundi të delte i gjallë për t’u rikthyer në front (rast unkal i të gjitha luftrave); atje shëroheshin dhe riktheheshin në front të plagosurit e shumtë; ai skalion i transportonte të palogosurit nëpër spitale e për në Shqipëri; në atë skalion llogariteshin edhe frika edhe heroizmi njëkohësisht; në atë skalion grumbullohej informacioni dhe i shpërndahej gjithë popullit të Kosovës dhe kombit shqiptar si dhe opinion botëror mbi veprimtaritë luftarake të UÇK-së; përmes atij skalioni bëhej vijimisht ngritja dhe mbajtja lart e moralit të asaj ushtrie si dhe besimi në fitore jo vetëm për ne luftëtarët e UÇK-së, por për gjithë kombin tonë. Në Skalionin e Dytë atje gjykoheshin e atje kontrolloheshin fjalët që përhapnin propaganda serbe dhe shpifësit shqiptarë dhe atje përgatitej demontimi i tyre me fakte; atje bëhej përgjithësimi i përvojës pozitive të luftimeve dhe bërja e njohur tërë ushtrisë; atje bëhej inventari i të metave që vëreheshin në luftime etj., etj. Pse është i tillë ai skalion, ai kërkon vijimishtë elementë stabiliteti, ritmi e përpjekje sistematike gjatë 24 orëve të të gjithë ditëve të vitit.


Si rrjedhojë, në këtë “skalion” ka kurdoherë më shumë rregull e saktësi, por dikush nga këta lloj “komandantësh” e “komisionerësh”, duke parë se në këtë skalion kish edhe persona pa uniformë por ndoshta edhe pa armë dhe shpesh këta gjenin kohë të shkonin e të vizitonin luftëtarët e plagosur e të bënin intervista me ta apo me luftëtarë të tjerë, apo gjenin kohë të mblidheshin dy nga dy a edhe më shumë e të dëgjonin TVSH e Tiranës e Radio Kosova e Lirë, apo ndoshta të lexonin libra apo edhe të loznin me letra, por ngaqë një pjesë e tyre nuk na paskishin të veshur unformën e UÇK-së, por ishin me rrobe civile, prandaj, kur këta janë vrarë nga armët vrastare të ushtrisë e policisë serbe, për këto “arsye” këta zotërinjtë e “mençëm” na i quajnë pa asnjë lloj druajtje dhe turpi: viktima të luftës!


Kjo tregon se këta lloj komandantësh e komisionerësh ende nuk e kanë mësuar dhe nuk e dinë që njerëzit e Skalionit të Dytë të UÇK-së (prapavija-logjistika) ishin dhe janë më shumë nëpunësa se sa luftëtarë, këta lloj “komandantësh” nuk e dinë se njerëzit që përbënin Skalionin e Dytë të UÇK-së, (si dhe të çdo ushtrie tjetër), janë mekanizmi më i rëndësishëm i luftës, sepse po të mos jenë dhe mos të ishin këta njërëz të këtij skalioni, luftëtarët nuk mund të bënin dhe nuk mund të bëjnë kurrë heroizma; nëse nuk do të ekzistonte Skalioni i Dytë i UÇK-së nuk do të fitohej kurrë lufta prej saj.


E bëra këtë shpjegim të domosdoshëm që të mos u mohohet kontributi dhe gjaku jo vetëm bijve të Idriz Dvornit: Avni Dvorani, Veli Dvorani, Lumni Dvorani dhe Haki Dvorani, të cilët janë dëshmorë nga më të devotshmit, por të korrigjojnë edhe rastet e tjera të ngjashme.


 


Ky reagim më se me vend i z.Ahmet Qeriqi më nxiti edhe për faktin se një debat të tillë e kam bërë edhe në një rast me stafin e ish-Ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës, kur isha shef i atij kabineti, në gushtin e vitit 1999, kur diskutohej t’u jepej apo jo statusi i dëshmorit për doktor Lecin, Shpëtim Robaj dhe doktorin nga Tropoja H. Malaj, (i cili ishte vrarë në pritën që i kishin organizuar Ilir Konushefcit), si dhe me komandën dhe shtabin e Br153, kur diskutonin që një kuzhinjieri të Shtabit të Brigatës të mos ia njihnin statusin e dëshmorit pse qe vesh civil dhe qe larguar përkohësisht për të përcjellë familjen në përbërje të kolonës popullore për në Prishtinë dhe rrugës, për fat të keq, disa bashkpuntorë kosovarë e kishin njohur, ua treguan paramilitarëve serbë dhe e kishin sharruar me sharrë druri. Të njëjtin debat të gjat kam pasur për njohjen e statusit të dëshmorit të furnitorëve me armë e municione të banorëve të zonave kufitare, të vrarë gjat kalimit nga Shqipëria në Kosovës e anasjelltas, me justifikimin: “ata i kemi paguar 200 marka për çdo rrugë”!


Mirëpo, këto lloj mendësish pranohet të ishin të pranishme në ditët e para të pasluftës, por që të ekzistojnë edhe sot, pas 16 vjetësh si ka përfunduar ajo luftë, është diçka më shumë se dashakeqësi. Me sa duket këta persona përbëjnë komisionet në fjalë dhe nuk janë bindur ende se janë të gabuar në mendësitë e tyre. Mos vallë nga kjo mendësi e nënvleftësimit të Skalionit të Dytë, “pa uniformën e UÇK-së e pa armë”, janë nisur edhe deputetët ish-luftatarë të UÇK-së që nuk pranuan të dalin para Gjykatës Speciale Ndërkombëtare kategoria e kriminelëve bashkpuntorë kosovarë dhe e kriminelëve serbë të Kosovës ngaqë kanë vrarë e masakruar veç shqiptarë “pa armë” ose “pa uniformë UÇK-je”?


Këto fakte tregojnë se në Kosovën e sotme mund të ndodhë çdo gjë që nuk ta pret mendja.


Tiranë


 7. 12. 2015

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …