Jakup Kransiqi: Mos e shtini kokën në zall si stuci

               Kur në vitet e vështira 1991 – 1997, 1998 e 1999, kishte nisur bashkimi i luftëtarëve kombëtar, ndonëse jo në përmasat e duhura, pasi kishte njerëz që prisnin që të tjerët ta merrnin zjarrin e çlirimit tonë, Komandantin Legjendar na tha: Lirinë tonë, çlirimin e pavarësinë e sjellin armët tona, guximi ynë, gjaku e jetët tona. A nuk e pamë deri me sot se pa gatishmërinë tonë për vetëflijim( e jo me pacifizëm), nuk do t’na ndihmonin as Amerika e as BE-ja?

Ne, dëgjuam fjalën dhe amanetin e Komandantit, dëgjuam testamentin e rilindësve në krye me Sami Frashërin se “të bashkuar e bëjmë të mundshme edhe të pamundshmen”.  A nuk ishte për shumë ke në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore, i pamundshëm çlirimi ynë? Kjo u vinte edhe nga frika (sot po dua t’i mirëkuptoj), por lypsej guximi si i Gjergj Elez Alisë që edhe me nëntë plagët në trup, të ndeshej me Bajlozin e Detit! Nuk ishte i lehtë çlirimi ynë, por duhej guximi ynë për tu përballur me armikun tonë të egër, për të fituar aleatë e partnerë për të realizuar ëndrrën për liri, çlirim e pavarësi. Shpesh nuk na ka ardhur mirë, kur Bizmrku i kishte pas thënë delegacionit tonë ne Kongresin e Berlinit, se “duhet derdhur okë të shumta gjaku për të bërë shtetin”, por, atë gjë, ai ua thoshte, ndonëse në një formë tjetër edhe gjermanëve të Prusisë. Kur më 30 shtator të vitit 1863 u emërua kancelar i Prusisë, në fjalimin e tij, ndoshta më të mirin tha:”Gjermania nuk shikon në liberalizimin e Prusisë, por në forcën e saj…. Çështjet dhe problemet e mëdha kombëtare, nuk do të zgjidhen me fjalime dhe rezoluta të shumicës, por me hekur dhe gjak”. Po ta modifikonim në kushtet dhe rrethanat tona, Kryeministri ynë do të duhej të thoshte: shqiptarët nuk duhet të presin nga politikat e pritjes a pacifiste e jona, nga shumësia e fjalëve dhe e numrave në Kuvend, as nga arrestimet e burgosjet e opozitës, por nga guximi dhe vendosmëria për të marrë vendime të guximshme për kombin. Në vendime të tilla e jo në nënshtrim, tregohet lideri i një vendi a kombi. Ndërkaq, Kryeministrit tonë dhe drejtuesve të tjerë të shtetit, nuk u kërkohet as guximi i Gjergj e Elez Alisë, as i Adem Jasharit, as fjalimi programatik i Bizmarkut, këtyre të tanëve u kërkohet një tërheqje për të zhvilluar një dialog me opozitën, duke pasur sy e veshë hapur, për të parë e dëgjuar se nga duhet ecur kombi në këto momente.

Kryeministri Mustafa, Kryeparlamentari Veseli dhe Presidentja Jahjaga (renditjen e bëra sipas fuqisë faktike e jo asaj Kushtetuese), nuk duhet ta shtinë si struci nga rreziku kokën në zall, por lypset “sahat e më parë”, ta hapin dialogun përmbajtjesor për ta mbyllë një herë e mirë krizën politike më shumë se njëvjeçare. Këta njerëz nuk mund ta injorojnë opozitën e as kërkesat e saja, nuk mund t’i injorojnë mbi 200.000 nënshkrimet e qytetarëve, nuk mund ta injorojnë manifestimin protestues të 28 Nëntorit dhe as ketë të 5 dhjetorit 2015 në Gjakovë.

Ju drejtues të shtetit duhet ta kuptoni, e s’di sa po e vëreni, çdo vonim e neglizhim për dialog, përmbajtjesor rrezikon përshkallëzim e përkeqësim të situatës. Ju duhet ta dini, e sidomos duhet ta e dinë Kryetari i Kuvendit, se nuk duhet shumë numra për të bërë veprime përshkallëzuese! Ai e dinë mirë ketë, nëse nuk ka harruar! Duhet ta nxirrni një mësim nga e kaluara e afertë! Ju duhet ta dini, se edhe kështu jeni vonuar që vendit e kombit t’ia jepni zgjidhjen e duhur! Mos hezitoni për veprime të mençura!

Shpresoj dhe dua të besoj në mirëkuptim!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …