Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka dhënë detaje për mediumin lokal serb, Radio Gorazhdevcin, mbi vendimin e kryeministrit Albin Kurti për të transferuar 24 hektarë tokë në emër të Manastiri i Deçanit. Rashiq tha se, edhe pse ka pasur kundërshtime në disa situata, Kurti e ka bërë këtë vendim “për shkak të tij”. Sipas ministrit, në vitin 2024 Kurti kishte kërkuar nga Agjencia Kadastrale të bëhej transferimi, duke argumentuar se kjo do të ndihmonte në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, proces që më pas nuk u realizua. “Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, ka treguar Rashiq, sipas transmetimit të Kossev. Ai ka theksuar se, edhe pse transferimi ishte një detyrim gjyqësor i paplotësuar më parë, mënyra si e realizoi Kurti ka peshë simbolike: “Ishte një gjë e madhe që nuk është e natyrës materiale, por diçka shumë më e rëndësishme. Mendoj se kjo duhet vlerësuar”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
