Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari, duke thënë se përgjegjësia politike dhe institucionale shkon përtej një individi. Ajo theksoi se në këtë rast duhet të përfshihet edhe kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilët, sipas saj, për gjashtë muaj sabotuan Komisionin Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore. Kica-Xhelili tha se deputetët e VV-së pamundësuan punën e komisionit përmes mungesës së kuorumit, mosvotimit të dokumenteve dhe pengesave të vazhdueshme. Sipas saj, procesi i blerjes së rezervave shtetërore ishte negociuar nga persona të afërt me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ndërsa përfshirja e Kurtit ishte vendimtare në çdo hap. Ajo shtoi se “mielli dhe vaji u shpallën ‘sekret shtetëror’ vetëm për këtë rast”, duke theksuar se asgjë nuk është bërë pa dijeninë e kryeministrit.
Kica-Xhelili e quajti aktakuzën “të vonuar” dhe theksoi se faktet për keqpërdorime kanë qenë të njohura prej kohësh. Sipas saj, Rozeta Hajdari ka qenë vetëm zbatuese e urdhrave të eprorit të saj – Albin Kurtit. Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Hajdarit dhe tre të tjerëve – Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi – për keqpërdorim të detyrës dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.Ky rast po cilësohet si një nga skandalet më serioze të keqpërdorimit të fondeve publike, që ka tronditur kabinetin qeveritar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
