Domosdoja e rivlerësimit të të dhënave dhe dëshmive historike të periudhës së viteve 1945-1950

Publikimi i dosjeve sekrete, publikimi i proceseve gjyqësore, pa komentime dhe pa ballafaqim të fakteve të tjera relevante, nuk është vetëm një lëshim shkencor, por në të njëjtën kohë është edhe një papërgjegjësi shkencore dhe intelektuale e të gjithë atyre që merren me tema të tilla, përderisa nuk kanë as aftësi, madje as gatishmëri për t’ u marrë me problemet e vërteta dhe kapitale të disa segmenteve të së kaluarës, edhe pse janë krijuar kushte për hulumtime dhe drejtime të tilla.
Institucionet shkencore hulumtuese në Kosovë janë krijuar në kohën e okupimit, në kohën kur shumica shqiptare dhe një pjesë e konsiderueshme e elitës intelektuale ka menduar dhe ka besuar fort në ndërgjegjësim jugosllav të shqiptarëve dhe perspektivën e politikës së përbashkësisë së bashkim vëllazërimit të kombësisë shqiptare me kombet dhe kombësitë e tjera të Jugosllavisë.
Se cilat tema i kanë trajtuar historianët tanë asokohe, mjafton të shfletojmë “Gjurmimet albanologjike”, “Gjurmimet historike, “Vjetarin”, edicionin “Në Flakën e Revolucionit” dhe botime të tjera të shumta për historinë e Partisë Komuniste Jugosllave, për historinë e “lavdishme” të AVNOJ-it, të BURAJ-it të NOB-it, e të tjera, që kanë gëlltitur disa decenie studime të shterura, tashmë pa asnjë vlerë historike, as shkencore. Dihet se në çfarë tema kanë doktoruar dhe kanë magjistruar shumica e doktorëve tanë të historisë, të albanologjisë, të gjeografisë, të filozofisë marksiste, të sociologjisë e të shkencave të tjera shoqërore.
Dihen me emra e mbiemra ata që fillimisht në shkrimet e tyre satanizuan Mulla Idris Gjilanin, duke e quajtur bashkëpunëtor kuisling, dhe më pas, po ata e lavdëruan, ata që Shaban Palluzhën e trajtuan si bandit ballist, ndërsa tani thurin himne për rezistencën e tij. Dihen cilët janë ata historianë që ndërruan të njëjtat njësi të shkrimeve të tyre sidomos për Shaban Palluzhën dhe luftën e Drenicës.
Mirëpo, dihet po ashtu se çka i gjeti dhe si pësuan ata që u munduan dhe sprovuan me fakte të vërtetën historike, si Muhamet Tërnava, doktoratura e të cilit nuk u pranua në Universitetin e Prishtinës, por arriti ta mbrojë në Zarë të Kroacisë. Dhe për shkak se ai u nda me kohë nga logjikimi dhe perceptimi sllav i historisë shqiptare, atë e burgosën, e torturuan mizorisht dhe ia shkatërruan ardhmërinë.
Një fat të njëjtë pësoi edhe profesor Ali Hadri, vetëm sepse kundërshtoi synimet antishqiptare të ideologut të historisë së Partisë Komuniste Jugosllave, Svetozar Vukmanoviq Tempo, njeriut që kishte urdhëruar vrasjen e babait dhe xhaxhait të vetë, meqë kishin bashkëpunuar me okupatorin. Më se keqi nga të gjithë pësoi, profesor Ukshin Hoti, i cili me kohë kishte vërejtur ideologjizimin antihistorik dhe magnetizimin negativ të proceseve që çonin në jugosllavizimin e shqiptarëve. Një fat të tillë pësoi edhe profesor Halil Alidema. Megjithatë në Kosovë nuk pati shumë intelektualë, që kundërshtuan hapur tendencat antishqiptare në interpretimin e fakteve historike, por mjerisht pati shumë të atillë që me zell të tepruar, me zell të besnikut shpirtskllav ndaj padronit, studiuan dhe hulumtuan të gjitha faqet e historisë serbe, duke i thelluar studimet sidomos në historinë e socializmit dhe të komunizmit jugosllav.
Shtatë vjet pas fitores kundër forcave serbe, shtatë vjet pas luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është koha e fundit kur duhet të ndërrohen qasjet, metodologjia, principet e punës dhe të hulumtimit shkencor, sidomos tani kur në faqet i Internetit mund të zbulohen mijëra fakte e të dhëna deri tani të pazbuluara.
Publikimi i aktgjykimeve të pjesëtarëve të NDSH-së, pa komentime dhe pa ballafaqim faktesh, është një punë e kryer vetëm teknikisht, por që nxjerr në sipërfaqe disa probleme kapitale rreth së vërtetës. Në saje të dosjeve të publikuara deri tani, del se pothuajse të gjithë luftëtarët e NDSH-së kanë qenë të thyer, kanë akuzuar njëri tjetrin, ia kanë hedhur fajin njëri tjetrit, janë penduar, kanë kërkuar mëshirë e lëmoshë dhe përgjithësisht paskan qenë njerëz të thyer kombëtarisht dhe ideologjikisht. Këto përshtypje i fiton lexuesi i thjeshtë, sapo të ketë lexuar dosjet e tilla, të përkthyera nga gjuha serbe dhe të publikuara nga doktorë shkencash.
Por kjo nuk del e vërtetë, sepse e vërteta e një anshme, e mbështetur vetëm në një burim hulumtimi, e mbështetur në sistemin e drejtësisë së pushtuesit, në esencë nuk është e vërtetë, por një gënjeshtër e kurdisur dhe e sajuar me qëllim të caktuar strategjik, e kompozuar me mjeshtëri djallëzore për të krijuar dilemë edhe pas 100 viteve, për të krijuar huti, divergjenca dhe për të thelluar ndasitë kombëtare, që kanë çuar në copëtimin dhe rikonfirmimin edhe aktual të copëtimit të përjetshëm të trojeve të Shqipërisë.
Institucionet tona të tanishme shkencore duhet të lirohen nga fryma e kozmopolitizmit të dikurshëm jugosllav, duhet të lirohen nga metodologjia e shkollave politike dhe ideologjike sllave, jo nga metodologjia sipërfaqësore e punës teknike shkencore, por nga brendia e asaj metodologjie, që ka prodhuar fistorianë si: Vasa Çubliloviq, Svetozar Tempo, she shkrimtarë ultranacionalistë serbë si Ivo Andriq, Antonije Isakoviq, Dobrica Qosiq, etj

Hulumtuesit e vërtetë, pa paragjykime ideologjike, duhet të zbardhin disa nga ngjarjet më të shëmtuara të së kaluarës, jo për të krijuar ndasi të reja, por për të zbuluar realitetin faktik historik dhe për të bërë dallime të nevojshme në mes të atyre, që gjithnjë luftuan kundër çdo pushtuesi dhe të tjerëve, që përkrahën dhe u bënë vegla të verbra të çdo pushtuesi.
Duhet të nxirret në sipërfaqe çdo tradhti me qëllim, që iu bë kombit, sepse nga aktet e tilla edukohen mbarë gjeneratat e reja, por këtyre gjeneratave duhet bërë me dije se bijtë e tradhtarëve nuk është e thënë të jenë tradhtarë.
Duhet të identifikohen edhe shërbëtorët që tashmë janë buzë varrit.
Duhet bërë përpjekje, që ata të kërkojnë falje kombit për veprat e tyre antikombëtare, në mënyrë që të mos iu lënë vrragë bijve, bijave, nipave e stërnipave të tyre. Nëse vepra e tyre tradhtare nuk identifikohet dhe nuk demaskohet publikisht, atëherë ka rrezik që të përzihen përfundimisht vlerat kombëtare dhe të trajtohen njësoj bashkëpunëtori i regjimit okupator dhe çlirimtari.
Institucionet shkencore, intelektualët e pavarur, personalitetet me peshë kombëtare kanë detyrë të ndriçojnë dhe të sjellin faktet e vërteta, të argumentuara, faktet e ngritura mbi një pozicion të shëndoshë kombëtar dhe shkencor, fakte që burojnë nga e vërteta dhe që i shërbejnë së vërtetës dhe ardhmënisë së lirë. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …