Dorian Koçi: Vlera e paçmuar e tolerancës fetare

Çështjet dhe debatet e mëdha politike në Shqipëri reflektojnë edhe ngjyrime e nuanca që në vetvete tejkalojnë pritshmëritë e publikut. Ndonjëherë, flakë të vjetra të tulatura të zjarreve të dikurshme që kanë rrezikuar të djegin vendin, duken sikur ringjallen prapë për të përzhitur shkurrnajën e brishtë të shoqërisë shqiptare. Heqja e imunitetit dhe ndalimi i dy deputetëve të Parlamentit shqiptar që qëllon t’i përkasin besimit katolik, solli sërish në skenë përveç stereotipave klasikë si gegë e toskë, malësorë e fusharakë edhe dallimet apo persekutimet të elementit fetar. Nuk kam dëshirë të jap gjykime për arsyet e ndalimit të tyre që me shumë të drejtë s’i pranojnë as ata që janë të përfshirë në të dhe po merret prokuroria, por më duket se majëzimi i çështjes me përbërës të tillë si ata që përmenda më lart, do pjekë një bukë urrejtjeje dhe përçarjeje sesa një kulaç mirëkuptimi dhe paqeje.

 

Një nga elementët e ekzistencës dhe mbijetesës së suksesshme të shtetit shqiptar është dhe harmonia fetare dhe respektimi i ndërsjellë i Tjetrit, jo si një i huaj që na ka zënë derën, por i mirëkuptuar dhe i pranuar si pjesë përbërëse e identitetit të vet, që ka gjalluar gjithmonë pranë nëpërmjet një gjuhe, një kulture dhe një territori. Toleranca fetare e shqiptarëve ka pasur interpretime të ndryshme, duke nisur nga arsyeja që shqiptarët janë në përgjithësi ateistë dhe nuk e kanë çarë shumë kokën për fenë, deri te mirëkuptimi që ka dhënë shumica për të mbijetuar me pakicën, apo dhe te zemërgjerësia e pakicës që nuk ka vrapuar të identifikohet me identitete të tjera fqinje. Kjo vlerë shpirtërore e shqiptarëve është përmendur aq shumë sa nga të huajt po aq dhe nga shqiptarët, sa në fakt duket sikur është kthyer në një mit që i bën dhe një pjesë të shqiptarëve të vendosin buzën në gaz. Mirëpo, ashtu si ndodh gjithmonë kur një vlerë e përjeton përditë dhe e ke të prekshme dhe ajo kthehet në diçka të natyrshme të cilën nuk e vë re, edhe toleranca dhe harmonia fetare ndër shqiptarë është kthyer në një realitet të përditshëm, vlerë që për shumë kombe dhe njerëz në botë është vetëm një vlerë dhe virtyt virtual. Intoleranca dhe pasiguria mbizotëron në vendet tona fqinje për sa u përket besimeve fetare, pavarësisht faktit se disa prej tyre janë dhe vende anëtare të Bashkimit Europian. Sigurisht, që kjo vlerë ndër shqiptarë nuk ka ardhur se ata i lexojnë dhe i kuptojnë shumë mirë shkrimet e shenjta të secilit besim fetar, madje nëse do të ishin praktikantë të mirëfilltë ka të ngjarë që të ishin përleshur me njëri-tjetrin, por sepse udhëheqësit e shtetit të parë shqiptar e kuptuan se ruajtja dhe mbështetja e këtij diversiteti fetar i pasqyruar dhe në qeverisjen e vendit i sillte më shumë dobi Shqipërisë sesa politikat partikulariste.

 

Ky mendim i matur i tyre e ka një shpjegim dhe sigurisht që nuk lindi në hava. Pjesa më e madhe e tyre kishin qenë qeveritarë dhe nëpunës të perandorive të mëdha që pasqyronin në vetvete një diversitet kulturor dhe fetar. Për më tepër, shteti sponsorizues i pavarësisë së Shqipërisë, Perandoria Austro-Hungareze e promovonte këtë tolerancë dhe kjo u shkonte për shtat të gjitha dëshirave të shqiptarëve që dëshironin të kishin shtetin e tyre. Sa herë që janë prishur këto ekuilibra Shqipëria është zhytur në kaos. Prapavijat politike u kthyen shprehëse të një lufte për pushtet, e cila kur nuk do të gjej argumente bindëse për të mposhtur kundërshtarin do u kthehen identiteteve fetare duke dhënë kambanën e alarmit se të drejtat e njërit grup po shkelen nga tjetri. Kështu, grupet politike dhe partitë që do të rreshtohen në Parlamentin e parë shqiptar, shpeshherë do të kenë ngjyra lokaliste, krahinore dhe e vetmja karakteristikë e përbashkët do të jetë besimi fetar. Kështu, blloku mysliman i çifligarëve do të rreshtohej në Partinë Përparimtare, intelektualët ortodoksë në Partinë Popullore dhe intelektualët katolikë në grupin parlamentar të quajtur “Ora e Maleve”. Ekzistenca e këtij problemi do ta shtynte Nolin që problemin fetar ta radhiste në një nga pesë anarkitë e mëdha dhe të këmbëngulte në idenë e tij të kahershme se nuk e shikonte problemin në ekzistencën e tri feve, por në faktin që “asnjëra nga besimet e njohura në Shqipëri nuk praktikohej në gjuhën shqipe dhe klerikët qenë armiq me njëri-tjetrin”. Noli këmbëngulte se “fatkeqësia nuk qëndron aq shumë në ndryshimin e feve sesa në krerët fetarë. Ata nuk duhen të jenë të huaj, por shqiptarë dhe patriotë”. Ky përcaktim ishte dhe mbetet sfida e shoqërisë shqiptare që pjesën shpirtërore të besimit ta kenë sferën e vet shpirtërore dhe jo të huazuar, pasi vetëm kështu mbijetojnë dhe gjallojnë fibrat lidhëse brenda një kombi.

 

Sfidat e kundërvënieve të besimeve fetare që kanë përfshirë sot botën sidomos në rajonin e nxehtë të Lindjes së Mesme është një arsye më tepër për të besuar se paradoksalisht nëse Shqipëria është shumë mbrapa zhvillimeve të tjera krahasuar me shtete të tjera të zhvilluara të BE , modeli ynë i tolerancës fetare dhe bashkëjetesës është ajo çka kërkon dhe synon Bashkimi Europian t’iu rekomandojë shteteve të veta anëtare. Nxitja dhe promovimi i kësaj vlere, jo të hamendësuar, por prezente çdo ditë në Shqipëri mbetet gjithashtu një sfidë për të gjitha mediumet e politikës, besimit fetar dhe kulturës duke shkuar gjithnjë ndërmend se ekzistenca e paqes dhe prosperitetit të Shqipërisë është shumë e çmuar se çfarëdolloj përllogaritjeje meskine elektorale për të mbijetuar në tregun e politikës së përditshme.

(30. 3. 2015 Gazeta Shqip)

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …