leoni

RKL: Nderi i invalidit e veteranit si dhe hija e kolaboracionistit dhe mercenarit

Pakënaqësitë e shumta dhe të shprehura publikisht nga disa  aplikantë në “konkursin e Qeverisë për kategoritë e luftës”, lidhur me shtyrjen e publikimit të listave përfundimtare për  përcaktimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit etj të  luftës së UÇK-së, tashmë kanë rezultuar edhe me revolta të pakontrolluara të disa veteranëve kundër Qeverisë. Arroganca e individëve të tillë, disa qindra syresh, nuk përfaqëson shumicën dërrmuese të  mijëra veteranëve të ndershëm e të përgjegjshëm të vendit, të cilët  kanë luftuar për ta bërë shtetin e Kosovës dhe jo për ta rrënuar atë. Por raste ekstreme ka pasur dhe do të ketë. Edhe kjo është pjesë e shprehjes së lirive qytetare,  (të keqpërdorimeve të atyre lirive nga disa syresh),  por kjo liri lejohet vetëm deri në një masë dhe jo me kërcënimin e djegies e rrënimit të institucioneve. Në raste të tilla nuk kemi të bëjmë me veteranë, por me mercenarë të grupeve e klaneve të disa komandantëve gjithnjë të dhunshëm, intrigues, shantazhues e përfitues të situatave.


 


Parregullsitë, gabimet,  fryrjet e listave nuk i ka bërë Komisioni Qeveritar e as Qeveria, por komandantët e papërgjegjshëm të zonave, të brigadave, të batalioneve e përgjegjës të tjerë. Ata madje edhe shtyhen e kërcënojnë njëri tjetrin për praninë apo mospraninë e duhur të ushtarëve, të cilët fare paturpësisht i konsiderojnë “të tyre”.


Luftëtarët e lirisë, ata të vërtetit, kanë luftuar për çlirimin e Kosovës dhe kjo është krenaria e tyre. Ata kanë qenë dhe kanë mbetur luftëtarë të lirisë së vendit të tyre dhe jo luftëtarë të akëcilit komandant të gjallë, në mesin e tyre edhe të tillë, që kapitalin moral e atdhetar të luftës e kanë kthyer në kapital të favoreve e përfitimeve të jashtëzakonshme. Kuptohet nuk po flasim për të gjithë komandantët, por për ata që janë bërë  milionerëve të vendit, edhe pse kjo është një përqindje e papërfillshme në krahasim me milionerët e klasës pacifiste dhe asaj kolaboracioniste, e cila prej mbarimit të luftës e deri tani ka stërkequr të gjitha proceset politike në vend, në shërbim të politikave antikombëtare.


 


E do nderi i invalidit të krenohet me luftën e fitoren, por ky nder i takon invalidit e veteranit të vërtetë, dhe jo ikanakut, i cili mund të jetë gërvishtur, diku, duke ikur, apo mund ta ketë lënduar ndonjë dorë a këmbë. Të tillët duhet të japin përgjegjësi për mashtrimin dhe plaçkitjen që kanë bërë buxhetit të vendit dhe dëmtimin moral që i kanë shkaktuar luftës sonë çlirimtare.


Luftëtarët e vërtetë të lirisë nuk kanë luftuar me qëllim që të shpërblehen me para për ditët apo muajt e tyre të kaluar në luftë. Këtë nuk e kanë kërkuar as ata veprimtarë e luftëtarë të cilët, gjatë tërë jetës kanë luftuar, kanë rezistuar kanë mbajtur vite të tëra nëpër burgje dhe kanë marrë pjesë edhe në luftën çlirimtare. Këtë nuk e kanë kërkuar për së gjalli dëshmorët e kombit. Këtë nuk do ta kishte lejuar kurrë, Legjendari ynë, Adem Jashari, i cili ia dha kombit e lirisë së Kosovës krejt familjen e tij.


 


Disa nga veteranët e invalidët e kanë harruar “Betimin e ushtarit të UÇK-së”, nëse e kanë bërë në ndonjë rast. Askund në betim nuk shkruan se pas luftës do të zhdëmtohet dhe do të marrë pensionin jetësor, ai apo familja e tij.


Ja si janë betuar luftëtarët e lirisë:


 


Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t`i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im.


Betohem! betohem! betohem!


 


Pavarësisht këtij betimi, i cili kudo në botën e qytetëruar vlerësohet si akt sublim, që është obligues  duhet të respektohet me përgjegjësinë më të lartë, nuk janë pak ata pjesëtarë të UÇK-së, që e kanë shkelur me të dyja këmbët betimin, që kanë ikur nga lufta dhe që tani kërkojnë të njëjtin status me ata që kanë qëndruar në istikamet e luftës prej fillimit deri në mbarim të saj.


 


Ka në mesin e tyre që luftën e filluan si çlirimtarë por në fund dolën mercenarë, dëshmitarë të mbrojtur të UNMIK-ut, EULEX-it dhe të shumë e shumë shërbimeve të huaja, që veprojnë dhe manipulojnë  me lirinë  dhe shtetin tonë të brishtë, në masën sa e ka përcaktuar BE-ja, Beogradi dhe disa ambasadorë të shteteve mike të Kosovës.


 


Veteranët duhet të kërkojnë punë dhe shteti e shoqëria jonë ka pasur dhe ka për detyrë parësore, madje edhe  morale, t’ iu sigurojë punë, sidomos atyre që jetojnë me ndihma sociale. Po jo të gjithë veteranët janë pa punë. Është vetëm një përqindje syresh, sepse shumica dërrmuese  u futen nëpër parti politike, fituan poste e favore dhe sot ende brohorasin e shqyejnë gurmazin për të drejtat e veteranëve.


Ata duan të gëzojnë edhe një favor më shumë, edhe nëse nuk kanë fare meritë. Me rëndësi është që, sipas logjikës së tyre bastarde, t ia hedhësh Shtetit, ta arrish qëllimin e qelepirxhiut, me moton e shqiptarit lindor: “Haja qenit pija qenit, tash i bimë karadyzenit”.


 


Nuk është kurrë farë zgjidhje, madje as zgjidhje momentale nëse dy tre mijë veteranë do të kompenzohen me nga 180 euro në muaj. Do të paraqiten mijëra të tjerë që janë të zënë me punë, që kanë një standard deri diku mesatar, ekzistencial dhe pikërisht ata të janë zhdërvjellë, të gjindshëm, zhbiruesit e matrapazët do t’ a gëzojnë pensionin. Do të ngelin me gishta në gojë, ata që nuk shtyhen me gjokse, ata që nuk bëhen vegla, ata që kanë dinjitet dhe nuk iu bien në gjunjë komandantëve, disa nga të cilët edhe tani i trajtojnë si komandantë, pavarësisht pozitave të tyre, apo moralit të tyre të tanishëm të degraduar. Një komandant lufte, që dyfishon numrin e veteranëve e invalidëve, për veten e vetë ka grumbulluara pasuri aq sa të gjithë ushtarët e tij tok. Nuk janë shumë të tillë, në krahasim me bosët e pacifizmit dhe ata të kolaboracionizmit, por ata janë në shënjestër të medieve dhe opinionit, sepse pikërisht ata komandantë, nuk do të duhej të kishin vepruar në atë mënyrë.


 


Kërcënimi shantazhues,  që disa veteranë i bëjnë Qeverisë, Komisionit Qeveritar, për të realizuar sikur thonë, të drejtat e tyre, është një kërcënim i pamotivuar, i pa faktuar dhe i papërgjegjshëm, sepse ata i vë në hijen e mercenarëve, i cilët e  pranojnë hapur se paskan luftuar për t’i gëzuar favoret e pas luftës dhe fitores. Por realisht kjo ndodh edhe për faktin se për të vepruar në këtë mënyrë i ka mësuar shembulli i disa komandantëve të tyre, që tani veprojnë në hije, prapa tyre, me qëllim për t’ua thyer qafen dhe për t’i degraduar.  Këta veteranë nuk e dinë se “po t’ iu frysh zjarrit të mëkatarëve, digjesh vetë në flakën e zjarrit të tyre”.


Veteranët e vërtetë duhet të bëhen bashkë për ta kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale, raciste, një etnike, antishqiptare,  kundër UÇK-së, e cila  ka për qëllim degradimin e tërësishëm të luftës sonë çlirimtare, pavarësisht si thotë retorika e orkestruar dhe bastarduar e disa  politikanëve.


Zemërimi i motivuar, i drejtë dhe i përfillshëm ka ku të derdhet dhe nuk ka fare  nevojë të derdhet kundër-njëri tjetrit.


Kujdes, veteranë nga kurthi që po na  përgatisin mercenarët, kolaboracionistët e pacifistët e të gjitha mbetjeve të së kaluarës nën robëri!


 


 

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …