Ahmet Qeriqi: Serbët po kryejnë akte të tmerrshme të dhunës kundër civilëve shqiptarë. (E shtunë 24 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Serbët po kryejnë akte të tmerrshme të dhunës kundër civilëve shqiptarë. (E shtunë 24 prill, 1999)

Edhe sot kemi kaluar një ditë të mundimshme me shi dhe mjegull. Ditët e tilla po e humbin edhe atë pak disponim që kemi herë pas herë. Pikat e shiut në sipërfaqen e najlonit krijojnë një zhurmë të vrazhdë dhe pengojnë dëgjimin e lëvizjeve që vijnë nga jashtë.

Edhe pse tenda është e izoluar vetëm me najlon, stufa po e nxehë  ambientin.

Forcat serbe nuk po heqin dorë nga synimet e tyre për të depërtuar në Rrafshnaltë, sado që intensiteti i luftimeve  në krahasim me disa ditë më parë  ka rënë dukshëm. Sërish po granatohet selia në Berishë., Si duket serbët duan me çdo kusht ta rrënojnë objektin. Mbase mendojnë se ende jemi në seli, meqë gjatë ditës ka defilim të popullatës së zhvendosur, ndërsa nëpër rrugën kryesore të Rrafshnaltës kalojnë edhe xhipat e komandantëve tanë.

Lajmet që po qarkullojnë nga terreni bëjnë të ditur se serbët po i vazhdojnë mizoritë e tyre kundër popullatës civile. Veprimet e tyre thellësisht të panjerëzishme bëhen me qëllim që nga Kosova të dëbohen dhunshëm të gjithë shqiptarët. Janë shënuar edhe raste të shumta të dhunimit të femrave shqiptare, të cilat më pas edhe i vrasin dhe i masakrojnë madje edhe në prani të anëtarëve të tjerë të familjes.

Flitet se në Pejë forcat serbe e kanë mbushur një hotel me femra shqiptare. Të tmerrshme dhe të papërshkrueshme janë edhe njoftime të tjera të mizorisë dhe barbarisë serbe. Në një lagje të një fshati në Drenicë, thuhet se serbët popullatën e zënë rob, burra, gra e fëmijë i kanë zhveshur lakuriq dhe pastaj kanë bërë orgji mizorie mbi ta. Të tmerrshme janë lajmet që përhapen, pavarësisht sa janë të vërteta. Këso mizori serbët kanë kryer edhe kundër kroatëve dhe boshnjakëve gjatë luftërave të zhvilluara atje.

Sapo ka pushuar shiu, Martin Çuni, Valdet Hoti, Nusret Pllana dhe Fatmir Dugolli kanë depërtuar në vendit te Varret e Berishës, ku kemi strehuar teknikën transmetuese. Martini mendon se duhet të hapet vendi për ajrosje dhe për të parë se në ç gjendje ndodhet teknika e futur në bunkerin e nëndheshëm.

Unë dhe Neziri kemi mbetur si gjithnjë për t`i sajuar informacionet.

Martin Çuni ka arritur një si marrëveshje me kolegët tanë të Agjencisë që një ditë t`i sjellin ata lajmet, ndërsa dy ditë të tjera të shkojnë Valdeti dhe Fatmiri për t`i marrë. Telefonin satelitor nuk po na japin. Aq po mund të bëjnë.

E kemi përgatitur dhe transmetuar me kohë emisionin informativ ditor.

Për shkak të konceptit militant të informimit nuk kemi dhënë informacione për  plojën  shtazarake serbe mbi popullatën civile.

Në raste të tilla kemi cituar burimet e huaja të lajmeve.

Në mbrëmje prej tendës te Zabeli ku ndodhet së bashku me familjen e tij të gjerë Rizah Berisha na sjellë ushqimin. Në të shumtën e rasteve vjen vet. Ndonjëherë merr me vete djalin 12 vjeçar Arbenin, ndonjëherë Antigonën e vogël simpatike e cila ka një të qeshur të ëmbël dhe na përqafon të gjithëve me radhë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Zëdhënësi Jakup Krasniqi vendoset në Krojmir (E diel 4 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Zëdhënësi Jakup Krasniqi vendoset në Krojmir (E diel 4 tetor, 1998)

Në orët e para ditës me Beratin kemi biseduar gjerë e gjatë lidhur me luftimet …