Zëdhënësi i gjykatës speciale në Hagë, Michael Doyle, është deklaruar për disa prej çështjeve më të diskutuara që lidhen me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Doyle ka treguar arsyet pse u vendosën kufizime të vizitave për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, duke nënvizuar se këta të akuzuar vazhdojnë të kenë kontakte private me familjarët. “Ndoshta i referoheni vendimit që u mor në lidhje me z. Thaçi, z. Veseli dhe z. Selimi. Trupi gjykues vendosi disa kufizime në vizita, pasi u bë e ditur se këta tre të akuzuar dukeshin se po zbulonin informacione konfidenciale nga procedurat ose dëshmitë e dëshmitarëve tek vizitorët e tyre. Për këtë arsye, u vendosën masa si monitorimi më aktiv i vizitave dhe komunikimeve. Por të akuzuarit ende kanë vizita private me familjarët – bashkëshortet dhe fëmijët – pa praninë e oficerëve të paraburgimit, si dhe vizita të rregullta personale, video dhe telefonike. Një tjetër temë që ngjalli debat ishte çështja e një gardiani që më pas shërbeu si prokuror në këtë proces. “Kjo u ngrit gjatë një seance nga z. Thaçi dhe ekipi i tij mbrojtës si shqetësim për konflikt interesi. Për të siguruar rehatinë e tij, trupi gjykues e zëvendësoi atë prokuror. Regjistri shqyrtoi rastin dhe nuk gjeti asnjë dokument apo provë që të mbështeste shqetësimet, dhe as që individi kishte qenë i përfshirë në ndonjë incident me të akuzuarit. Sa i përket statusit të tij si prokuror, kjo është çështje e Zyrës së Prokurorit të Specializuar,” sqaroi Doyle.
