Dr. Abdulhamit Kırmızı: Familja Vlora ndërmjet dëshmive historike dhe harresës

Dr. Abdulhamit Kırmızı: Familja Vlora ndërmjet dëshmive historike dhe harresës

“Familja Vlora në dokumentet arkivore osmane” ishte titulli i ligjëratës së mbajtur nga historiani turk, Prof. Dr. Abdulhamit Kırmızı në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Veprimtaria e pasur politike dhe burokratike e nëpunësve shqiptarë nga familja Vlora në administratën e lartë osmane ishte fokusi i ligjëratës së historianit Kırmızı. Ai solli të dhëna të reja biografike mbi vezirin e madh Ferid Pashë Vlora, dhe mbi anëtarët tjerë të të njëjtës familje, si Syrja Beu, Ismail Qemali, Eqrem Beu, etj., të cilët mbanin poste të larta në burokracinë osmane.

Profesori Muhamet Mala, prodekan i Fakultetit Filozofik, në fjalën përshëndetëse tha se ligjërata si kjo janë të mirëseardhura dhe theksoi rëndësinë e arkivave osmane për zbardhjen e historisë së shqiptarëve në periudhën osmane.

Ndërsa Blerim Halili, drejtor i Institutit Kosovar për Studime Sociale “Gnosis”, u shpreh i kënaqur që po realizohet një ngjarje si kjo, e cila, sipas tij, ndihmon në zbardhjen e namit të familjes Vlora. Ai po ashtu përmendi disa nga arsyet politike dhe ideologjike të mosnjohjes së kësaj familjeje në mënyrë meritore.

Abdulhamit Kırmızı, është profesor i historisë në universitetin Istanbul Şehir University në Stamboll. Ai ka realizuar hulumtime mbi çështje të ndryshme historike. Si njohës i mirë i familjes Vlora, ai ka shkruar librin voluminoz biografik me titull “Ferid Pashë Vlora” si dhe ka botuar biografinë dhe kujtimet e Syrja Bej Vlorës në librin me titull “Shqipëria pasosmane (1912-1920)” i cili tashmë është përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Kjo ligjëratë u organizua nga Instituti Kosovar për Studime Sociale “Gnosis”.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …