Jakup Krasniqi: Ngjarjet e vitit 1981 në shkrimet e autorëve të huaj

Dr. Jakup Krasniqi: Historia e planit “Patkoi” dhe pasojat e tij për shqiptarët

Këto ditë, duke lexuar librin në dorëshkrim të veprimtarit e politikologut Bardhyl Mahmuti, u informova më gjerësisht për guximin intelektual të Mirosllav Filipoviqit, i cili ishte njëri nga intelektualët e parë serbë që denoncoi krimet e shtetit të Millosheviqit të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998/99. Të dhënat e hollësishme të marra nga një vepër e rëndësishme, e cila pritet të botohet së shpejti, kujtoj se ia vlen ta ndajmë me gazetarët dhe intelektualët tanë, të cilëve, në një formë, u është zbehur guximi intelektual për t’u përballur me fenomenet e shëmtuara që ndodhën e po ndodhin në mesin tonë. Le të mësojmë për guximin intelektual dhe njerëzor të Mirosllav Filipoviqit.

Për të gjitha ata serbë, që guxuan të deklaronin të kundërtën e asaj që thuhej, mbrohej dhe  interpretohej nga zyrtarët e lartë serbë për luftën në Kosovë, i priste një burg imediat, siç e priti edhe Mirosllav Filipoviqin. Kërcënimet e zyrtarëve të lartë serbë, të bashkëpunëtorëve më të afërt të Millosheviqit – e një i tillë ishte edhe Ministri i Mbrojtjës, Ojdaniq dhe strukturat e tjera të aparatit represiv të regjimit, – ndikonin drejtpërdrejt dhe asisoj që cilido i cili guxonte të fliste për krimet në Kosovë, të tërhiqej nga ky qëllim dhe të heshtte. Por, njëri nga ata guxoi të fliste e të shkruante për historinë e planit “Patkoi” si dhe gjenocidin serb në Kosovë e që ishte gazetari dhe intelektuali Mirosllav Filipoviq. Lidhur me historinë e planit “Patkoi” dhe masakrat serbe të kryera në Kosovë po sjellim në vazhdim përshkrimet e faktuara dhe tejet rrëqethëse të Mirosllav Filipoviqit.

“Ekzistimi i planit ‘Patkoi’ është përmendur disa herë dhe shumë shpejt është demantuar nga pushteti. Njohuritë e mia për këtë plan datojnë që nga mesi i viteve 70-të”, deklaron Filipoviqi. “Një grup komunistësh serbë filluan të brengoseshin se çka do të bëhej me serbët kur të vdiste Titoja.1 Si të ruhej Jugosllavia dhe komunizmi në këtë vend dhe si të shpëtohej nga invadimi shqiptar. Atëherë u përpilua projekti ideor ‘Patkoi’, plan që përbëhej nga po aq patkonj të vegjël sa ka edhe fshatra shqiptare.

Ky plan parashihte që përreth çdo fshati të vendoseshin njerëz të armatosur në formë të patkoit, me ‘hapje’ nga Shqipëria, dhe t’u jepej vendasve afat prej disa dhjetëra minutash që me gjërat më të domosdoshme t’i lëshonin shtëpitë e tyre. Pastaj fshati digjej, ndërsa pronat plaçkiteshin dhe asgjësoheshin.

Në pjesën e ‘hapur’ të ‘Patkoit’, njerëzve u merreshin dokumentet dhe paratë tepricë dhe bëhej seleksionimi i tyre. Kështu, disa qindra mijëra njerëz do të shpërnguleshin nga Jugosllavia në Shqipëri. Shkatërrimi i shtëpive dhe krimet monstruoze, që do ta shoqëronin planin, do t’i dekurajonin për t’u kthyer edhe ata më të vendosurit. Edhe në rastin kur do të shtrëngoheshim të kthenim një pjesë të popullsisë shqiptare, do t’i kthenim vetëm ata që do të dëshironim ne.

Millosheviqi pranoi këtë zgjidhje ideore dhe gjatë sundimit të tij, ky ‘patkua’ u shkri në plan operativ për realizimin e të cilit duhej, nëse jo ndonjë luftë e madhe, atëherë, së paku një konflikt lokal.

Prova e përgjithshme u zbatua në fillim të viteve të 90-të, në vendbanimet e bregut të djathtë të lumit Drina, kur banorët boshnjakë u detyruan të shpërnguleshin dhe një pjesë e territorit u pastrua etnikisht”.2

Shih videot: http://www.youtube.com/watch?v=k7gEMEnpo0E

 Në vazhdim po e sjell një pjesë tjetër të tekstit të tij për lexuesit e interesuar. Të dhënat e tij janë të sakta dhe flasin qartë:

“Rreth 150.000 njerëz iu vërsulën fshatrave të Kosovës, prej të cilëve 23 mijë ushtarë, policë dhe rezervistë ishin nga Kraleva. Elita e njësive tankiste pastroi fshat për fshat. Vetëm nga humanizmi i komandantit të çetës varej a do të kishte civilë të vrarë. Policia nuk kishte këtë ‘dilemë humanitare’.4 Pas gati tre muajsh të shfrenimeve, serbët u shndërruan në kriminelët më të mëdhenj të fundit të shekullit XX. Kur u kthyen këta ushtarë, të gjithë ishin me plot rrëfime dhe përjetime, prej të cilave kishte shumë pak heroizëm. Kryesisht ishin rrëfime për katunde shqiptare të djegura, kolona njerëzish që iknin, kufoma…”

Mirosllav Filipoviqi ishte i vetëdijshëm se faktet që po i publikonte ishin rrëfime që do të kishin nja shkallë të lartë të rrezikshmërisë, pasi në pushtet vazhdonte të ishte Millosheviqi. Kur ai po i thoshte këto, nuk ishte kaluar as një vit nga vrasja e Sllavko Quruvisë dhe kujtimi për të ishte ende tepër i freskët6 për qarqet intelektuale serbe!

Nuk do të kalojë shumë kohë dhe ai do të arrestohet dhe akuzohet për “shpërndarje të gënjeshtrave dhe për spiunazh në favor të shteteve të Perëndimit”. Më 26 korrik 2000, në Gjykatën Ushtarake të Nishit,7 me procedurë të shpejtë, në një seancë të organizuar me dyer të mbyllura, Mirosllav Filipoviqi u dënua me 7 vjet burg. Prova e vetme në mbështetje të akuzës ishte deklarata e dërguar nga Komanda e Armatës së Tretë dhe nga Komanda e Korpusit të Prishtinës, nëpërmjet të së cilës ata pohonin se “asnjë pjesëtarë i tyre nuk kishte kryer krime në Kosovë”.8 Kaq mjaftoi të vinte nga të gjithë të pushtetshmit verdikti që të dënohej gazetari dhe intelektuali serb Mirosllav Filipoviq.

Pas denimit të Filipoviqit, në portalet e tyre shumë autorë nga bota perëndimore publikuan lajmin për dënimin e Mirosllav Filipoviqit dhe njëkohësisht kërkonin lirimin e tij nga burgjet e diktatorit Sllobodan Milosheviq. Shumica nga ta ishin kundër dënimit të tij, por veprimin e tij nuk e quanin të drejtë. Sigurisht që Filipoviqi duhej të mbrohej, duke kërkuar lirimin e tij, por veprimi i tij do të duhej të quhej i drejtë, prandaj ai nuk do të jetë i kënaqur vetëm me kërkesat për lirimin e tij. Andaj ai do të thotë:

“Të gjithë kanë protestuar kundër burgosjes dhe kundër dënimit tim, por askush nuk tha se unë kisha të drejtë!”

Mirosllav Filipoviqi nuk do të ngurrojë të deklarojë si më tutje: “Nuk është në rregull që edhe më tutje të heshtet për krimet ndaj civilëve shqiptarë, që i kishin bërë pjesëtarët e forcave të armatosura dhe për të cilat përgjegjës janë funksionarët jugosllavë dhe serbë. Politikanët, gazetarët dhe shoqëria në tërësi nuk janë të gatshme të flasin për çështjen që si popull u kemi shkaktuar njerëzve të pafajshëm të popujve të tjerë, sidomos pjesës më të pambrojtur të popullsisë: fëmijëve dhe grave (…).

Jo vetëm që kam plotësisht të drejtë, por ato ngjarje që i kam përshkruar në rrëfimet e mia, janë lodra fëmijësh në krahasim me atë që u kanë bërë djelmoshat tanë civilëve kosovarë. Gjatë kohës që isha në burg më shkruanin edhe priftërinjtë dhe murgjit që kishin shërbyer në Kosovë. Në ditarët e këtyre etërve përshkruhen, nga dita në ditë, mëkatet që bënin policët dhe ushtarët tanë. Ditarët e këtyre priftërinjve dhe murgjve janë plot me shqiptarë të vrarë, shqiptare të dhunuara, fëmijë të vdekur dhe të djegur (…). Politikanët tanë, as që i komentojnë këto ngjarje e lëre më t’i dënojnë (…). Sado që dikush mendon se ky operacion ishte i justifikueshëm dhe i duhur në planin kombëtar, ose ‘kombëtarisht i nevojshëm’, qëllimi i operacionit «Patkoi» është kriminal”.9

Kështu vlerësoi dhe deklaroi me guxim dhe përgjegjshmëri të rrallë intelektuali, serbi Mirosllav Filipoviq, për “Pranverën e Bartolemeut të Kosovës së vitit 1999.”

 …

1 Diktatori komunist, udhëheqësi i Jugosllavisë, i cili e udhëhoqi atë nga viti 1945 e deri në 1980, kur vdiq.

2 Republika, Ogledi, Nr. 263, Miroslav Filipović, “Dugi marš ka istini o zlocinima”.

http://www.yurope.com/zines/republika/arhiva/2001/263/263_16.html

3 Qytet në Serbi, prej nga vinte gazetari.

4 Thonjëzat janë të Filipoviqit

5 Republika, Ogledi, Nr. 263, Miroslav Filipović, shrimi i cituar “Dugi marš ka istini o zlocinima”

http://www.yurope.com/zines/republika/arhiva/2001/263/263_16.html

6 Bardhyl Mahmuti: Libër në dorëshkrim.

7 Qytet në jug të Serbisë

8 Vladan Vlajković, Vojna tajna, 2. deo, f. 8.

http://www.helsinki.org.rs/serbian/doc/Vojna%20Tajna%20-%202%20Deo.pdf

9 Republika, Ogledi, Nr. 263, Miroslav Filipović, “Dugi marš ka istini o zlocinima”

http://www.yurope.com/zines/republika/arhiva/2001/263/263_16.html

http://www.helsinki.org.rs/serbian/doc/Vojna%20Tajna%20-%202%20Deo.pdf

http://pokretzapromene.blogspot.ch/2011/09/zaklela-se-zemlja-raju-tajne-moraju-da.html

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …