Adil Fetahu: Marrëveshjet e fshehta për copëtimin e Shqipërisë

Pas shumë luftërave e kryengritjeve shqiptare kundër pushtimit afër pesëshekullor otoman,  pasi fqinjët tanë sllavë e grekë ishin pavarësuar e pranuar si shtete të pavarura në Kongresin e Berlinit (1878), me ç’rast iu dhanë shumë territore shqiptare,- edhe shqiptarët në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912, të organizuar e udhëhequr nga Ismail Qemali, e shpallën pavarësinë e Shqipërisë, ndonëse vendi ishte akoma i pushtuar nga Perandoria Osmane, dhe nga ushtritë e shteteve fqinje: Serbi, Greqi, Mali Zi, të cilat pretendonin që pas largimit të forcave të Perandorisë, të copëtonin dhe aneksonin territoret shqiptare shteteve të tyre. Pushtuesit bënin masakra të papara mbi popullsinë shqiptare. Krimet që bënë pushtuesit sllavë e grekë,  përveç autorëve shqiptarë i kanë përshkruar edhe shumë autorë të huaj, ndër të cilët Edit Durham, Leon Trocki, Dimitrije Tucoviq, Kosta Novakoviq, Leo Frendlich, Fondacioni amerikan Karrnegy, shtypi i huaj i kohës. Mis Edit Durham, pas vizitave që kishte bërë në Korçë dhe Ohër, kishte deklaruar: “Fillova ta ndiej vetën fajtore përse dikur kisha uruar që turku të largohej nga Europa. Sa ishte turku, aty shpresat nuk ishin shuar. Këta pushtuesit e krishterë ishin njëqind herë më të këqij”. Afërsisht kështu, ishte shprehur At Gjergj Fishta në Konferencën e Paqes në Paris (1919), kur kishte deklaruar se: “Historia e Shqipërisë është e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Për katër shekuj, shqiptarët bënë 54 kryengritje kundër pushtuesit otoman. Kur kombi shqiptar ishte gati me fitue lirinë e vet, shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të vetën, dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me qitë faret. Kështuqë prej kësaj pikëpamje duhet me thanë se shqiptarët gabuan dhe gabuan rëndë fort që u çuan asokohe kundra Turqisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vu nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristijanëve”!

Veç pushtimeve në terren, në qarqet politike e diplomatike endeshin intriga e zhvillohej propagandë e ashpër dhe e ndytë kundër pavarësisë së Shqipërisë. Kryetari i qeverisës së Serbisë (baba i radikalëve të sotëm serbë, antishqiptari i zjarrtë) Nikolla Pashiq, deklaronte se “Një Shqipëri e pavarur nuk është as e dëshirueshme as e mundur”, ndërsa shtypi grek trumbetonte se “Është e pakonceptueshme t’u lejohet shqiptarëve barbarë një ekzistencë e pavarur midis qytetërimit grek” (Joseph Swire: “Shqipëria, ngritja e një mbretërie”, fq.128).

 Për shkak të situatës së krijuar dhe rrezikut që kanosej për luftë të përgjithshme në Ballkan, pa kaluar as 20 ditë nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ambasadorët e gjashtë fuqive të mëdha të asaj kohe u mblodhën në Londër (më 17 -20 dhjetor 1912), dhe morën vendim për krijimin e një Shqipërie autonome, nën sovranitetin ose suzerenitetin e sulltanit, e nën garancën e gjashtë  fuqive të mëdha, ndërsa përkujdesjen për shtetin e ri ia besuan Austrohungarisë dhe Italisë. Çështja e caktimit të kufijve u la për më vonë, dhe pas shumë negociatave e varianteve të propozuara, Konferenca e Ambasadorëve më 22 mars 1913, në parim caktoi kufijtë verior e verilindor, kur Shqipërisë iu shkëput Kosova dhe pjesa shqiptare e Maqedonisë. Me rastin e përfundimit të Konferencës së Ambasadorëve (më 12 gusht 1913), kryesuesi i saj, Eduard Grej, duke qenë i ndërgjegjshëm për padrejtësitë që kishin bërë, kishte deklaruar: “…Duhet të sjellim ndërmend që në arritjen e kësaj marrëveshje çështja e parë thelbësore ishte të ruhej mirëkuptimi midis vetë fuqive të mëdha, dhe në qoftë se marrëveshja për Shqipërinë e ka siguruar këtë, atëherë është bërë puna që është më thelbësorja në interes të paqes në Europë”! Nga ana tjetër, shtetet fqinje kishin pushtuar pothuajse cep më cep territorin e Shqipërisë e të Kosovës, dhe nuk i lëshonin pozitat, duke pritur kapitullimin e Perandorisë Osmane dhe ndarjen e presë.

Këtu nuk duam të hyjmë në analiza historike të vendimeve të “Paqes së Shën Stefanit” e të Kongresit të Berlinit, as të Konferencës së Ambasadorëve në Londër e të Konferencës së Paqes në Paris, por do të shqyrtojmë aspektin juridik të marrëveshjeve të fshehta që lidheshin midis fuqive të ndryshme për copëtimin e shtetit të ri të Shqipërisë londineze, por edhe para formimit të saj.

Marrëveshjet midis shteteve të ndryshme, qofshin ato të hapta ose të fshehta, qofshin të dyanshme apo të shumanshme, qofshin politike apo ushtarake-strategjike, lidheshin (dhe lidhen) me qëllim të definimit të qëllimeve të caktuara dhe caktimit të sferave të interesit. Për shkak të pozitës strategjike që kishin tokat shqiptare, dhe veçanërisht për shkak se shqiptarët nuk kishin një fuqi botërore që t’i mbështesë në mbrojtjen e vendit të tyre, shtetet fqinje gjithmonë aspironin të copëtonin e ndanin midis tyre të gjitha tokat shqiptare dhe kështu ta zhduknin përgjithmonë popullin shqiptar. Të paktën këto synime janë shfaqur haptas dhe fshehtas prej gjysmës së shekullit XIX, me plane e programe të ndryshme serbo-greko-bullgaro-malazeze, për Serbinë e Madhe dhe Greqinë e Madhe (“Naçertania” dhe “Megaliidea”, 1844), Bullgarinë e Madhe, Malin e Zi të Madh! Dhe ato synime, plane e programe nuk kanë ngelur vetëm në letër, në nivel të marrëveshjeve, por janë ndërmarrë aksione ushtarake sa herë e kanë konsideruar se ishte momenti i volitshëm në favorin e tyre dhe se do ta kenë përkrahjen ushtarake dhe diplomatike të fuqive të mëdha, dhe këtë përkrahje e kanë pasur gjithmonë nga Rusia por edhe nga fuqitë e mëdha evropiane.

Austrohungaria kishte lidhur dy traktate të fshehta me Serbinë. Sipas traktatit të parë (1881), Austrohungaria nuk do ta pengonte Serbinë të zgjerohej sa më shumë në Jug, kah Lugina e Vardarit e më gjerë, dhe i ofronte disa garancione tjera të përkrahjes në marrëdhëniet diplomatike ndërkombëtare. Me traktatin e dytë (1889), Serbia obligohej të hiqte dorë nga shtrirja kah veriu apo kah deti Adriatik, të cilat i synonte Austrohungaria për vete.

Në vigjilje të shpërbërjes së Perandorisë Osmane, shtetet e Ballkanit: Serbia, Mali Zi, Greqia dhe Bullgaria lidhen marrëveshje të fshehtë, që u quajt Lidhja Ballkanike (1912), për ndarjen e territoreve pas rënies së Perandorisë, sidomos të tokave shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Shqipëri. Të pakënaqura me pretendimet e Bullgarisë për të marrë pjesën më të madhe ose tërë territorin e Maqedonisë, Serbia, Greqia dhe Mali Zi (më 1 qershor 1913) lidhën marrëveshje për ndarjen e Maqedonisë dhe caktimin e kufirit serbo-bullgar dhe greko-bullgar, me të drejtën e Serbisë për dalje në det përmes Selanikut, me ç’rast Serbia do ta merrte pjesën veriperëndimore të Maqedonisë (tokë shqiptare). Në bazë të këtyre marrëveshjeve, u zhvilluan dy lufta të përgjakshme ballkanike; e para kundër Perandorisë Osmane, dhe e dyta kundër Bullgarisë. Austrohungaria dhe Italia më 8 maj 1913, bënë një marrëveshje të fshehtë dypalëshe, për ta pushtuar e ndarë Shqipërinë midis tyre, në dy pjesë të barabarta. Sipas asaj marrëveshje, Austrohungaria do ta merrte pjesën veriore prej lumit Shkumbin, ndërsa pjesën jugore do ta merrte Italia. Por, Konferenca e Ambasadorëve, që kishte garantuar autonominë e Shqipërisë dhe që (më 22 mars 1913) në parim i kishte caktuar kufijtë e saj, me përfundimin e punës së Konferencës (më 12 gusht 1913), pas shumë bisedimeve për kufijtë, formoi dy komisione për caktimin e kufijve në terren. Mirëpo, për shkak të luftërave ballkanike dhe shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, caktimi definitiv i kufijve të Shqipërisë u shty për më vonë, dhe definitivisht u arrit tek në vitin 1926!

Gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore (1912/13; 1914/18), ekzistenca e Shqipërisë londineze u vu në pyetje. Fqinjët e saj e kishin pushtuar cep më cep dhe prisnin që ato pushtime t’i përligjin si fakt i kryer, dhe pjesët e pushtuara t’i aneksonin.

 Për ta angazhuar Italinë  si aleate në luftë kundër Gjermanisë dhe Austrohungarisë, gjatë Luftës së Parë Botërore, më 26 prill 1915, katër fuqitë e mëdha: Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Italia kishin lidhur një marrëveshje të fshehtë për copëtimin e Shqipërisë (“Traktati i fshehtë i Londrës”). Ishte ky një pazarllëk midis Italisë dhe fuqive të mëdha, që lidhej kryesisht me bregdetin Adriatik dhe territorin e Shqipërisë. Sipas atij Traktati, katër fuqitë e mëdha do t’i ndanin tokat përgjatë gjithë bregdetit lindor të Adriatikut, të cilat do t’u jepeshin Italisë, Serbisë, Kroacisë, Malit të Zi. Ishte paraparë që pas copëtimit të Shqipërisë midis fqinjëve, Italisë t’i jepej nën sovranitet Vlora e Sazani dhe një prapavijë mbrojtëse, kurse në pjesën qendrore të formohej një shtet i vogël mysliman autonom dhe asnjenës, të cilit do t’i jepej  porti i Durrësit që të ketë dalje në det, ndërsa në marrëdhëniet ndërkombëtare atë “shtet të vogël mysliman” ta përfaqësonte Italia! Me këtë Traktat, katër fuqitë e mëdha i kishin shkelur vendimet e gjashtë fuqive të mëdha të miratuara në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë e caktuar parimisht në vitin 1913, vendime këto që edhe vet i kishin votuar e nënshkruar të njëjtit përfaqësues të Traktatit të fshehtë. Sigurisht se, nga aspekti juridik, traktati i fshehtë ishte i pavlefshëm dhe nuk mund të abrogonte vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, por ai traktat gjithsesi u bë objekt shqyrtimi dhe pengesë në procedurën e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (1920). Atë traktat e potenconin si pengesë përfaqësuesit e Greqisë dhe Jugosllavisë. Bile, përfaqësuesi serb pretendonte se Lufta (e Parë Botërore)  “e ka zhdukur shtetin shqiptar, prandaj territori duhej të ndahej midis fituesve të luftës”! Por, lordi Robert Sesil iu kundërvu tezës së përfaqësuesit serb, duke argumentuar se “një shtet i njohur ndërkombëtarisht, nuk mund të zhduket as nga pushtimi i ushtrive të hueja, as nga rënia e qeverisë, për sa kohë që shtetasit e tij ruajnë ndërgjegjen kombëtare dhe aspirojnë ekzistencën e pavarësisë, siç është rasti me popullin shqiptar”. Për Traktatin e fshehtë të Londrës, Mis Edit Durham shkruante: “Shteti i sapolindur shqiptar, do t’u hidhej ujqëve për të shpëtuar mëkonjësit” (E.D.: “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”).

Rregullimi i marrëdhënieve midis Italisë e Jugosllavisë për Çështjen e Adriatikut, kishte ngatërruar punët për fatin e Shqipërisë. Për të fituar mbështetjen reciproke në Konferencën e Paqes që po mbahej në Paris, Italia dhe Greqia më 29 korrik 1919 lidhën një marrëveshje të fshehtë, që u quajt Marrëveshja Titoni – Venizellos. Me atë marrëveshja të dy palët bënë pazare të ndryshme, ndër të cilat më të rëndësishmet ishin ato në kurriz të shtetit shqiptar. Greqia do të mbështeste pretendimet e Italisë për sovranitetin e Italisë mbi Vlorën e Sazanin dhe një prapavijë strategjike, dhe mandatin e Italisë mbi shtetin e vogël mysliman shqiptar. Italia do të mbështeste pretendimin e Greqisë për aneksimin e Shqipërisë së Jugut (Epirin e Veriut). Greqia do t’i jepte Italisë për 50 vjet një pjesë të portit të Sarandës, si zonë e lirë. Italia do të ndërtonte një hekurudhë prej atij porti në brendi të Shqipërisë, poqese këtë nuk e bënte Greqia. Marrëveshja u bë publike nga shtypin grek, i cili lavdëronte diplomacinë greke për suksesin e arritur në fitimin e Epirit të Veriut.

Dekonspirimi i marrëveshjeve të fshehta

Ndonëse shumica e marrëveshjeve, memorandumeve, letrave e telegrameve  të fshehta nuk kanë mund të realizohen për shkak të zhvillimit praktik të ngjarjeve në terren,  ato për turpin e diplomacisë ndërkombëtare kanë mbetur në letër, madje as nuk janë anuluar prej shumicës së atyre që i kanë nënshkruar. Ato e kishin komplikuar politikën, diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, vendimet e Konferencës së Paqes në Paris (1919), por edhe Luftën dhe paqen pas Luftës së Dytë Botërore. Vetëm qeveria sovjetike e Leninit, pas Revolucionit të Tetorit (1917), i kishte  publikuar, shkëputur dhe shpallur të pavlefshme të gjitha marrëveshjet e fshehta të cilat i ka nënshkruar Rusia cariste me vendet e Antantës. Ministri i jashtëm sovjetik, Leon Trocki, e ka kritikuar ashpër diplomacinë e fshehtë dhe marrëveshjet e fshehta, ndërsa Ministria e tij i kishte botuar në nëntë vëllime librash të gjitha marrëveshjet dhe memorandumet e fshehta të lidhura deri atëherë.

Presidenti amerikan, Woodrov Wilson, në programin e tij paraqitur në Kongresin amerikan (janar 1918) për “Paqe pa fitues”, të formuluar në 14 pika (të njohura si 14 pikat e Wilsonit), në një mënyrë i kishte zhvlerësuar marrëveshjet e fshehta në procesin e arritjes së paqes, dhe kishte afirmuar drejtësinë dhe diplomacinë e hapur ndërkombëtare. Pika e parë e programit të Wilsonit kishte këtë përmbajtje: “Marrëveshje të hapta për paqe deri te cilat do të arrihet haptas dhe pas të cilave nuk do të ketë marrëveshje private (të fshehta-a.f.) ndërkombëtare të asnjë lloji, ndërsa diplomacia do të paraqitet e sinqertë dhe para syve të opinionit”.

Bota është plot hile dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare midis shteteve edhe sot dhe në të ardhmën ka dhe do të ketë marrëveshja të fshehta politike, ushtarake e strategjike për realizimin e interesave në sfera e rajone të ndryshme. Veçmas në këto shtetet sllave e greke të pabesë, në krye me Rusinë e cila po pretendon të rikthejë ndikimin e saj në Ballkan. Sa ecejaket e krerëve shtetëror, diplomatik, ushtarak e kishtar midis Serbisë e Rusisë janë zhvilluar e po zhvillohen këto kohët e fundit, dhe kush e din se sa dhe çfarë marrëveshjesh të fshehta janë lidhur midis tyre. Ndërtimi i Qendrës së madhe ruso-serbe, duke përfshirë edhe aeroportin e Nishit, për intervenime në rrethana të jashtëzakonshme (sic!), edhe ushtrimi i përbashkët i ushtrisë ruso-serbe që u zhvilluara para ca ditëve në Serbi, është prova e parë e funksionimit të asaj Qendre, ku nga “barku” i aeroplanëve e helikopterëve ushtarak rus zbarkuan tanke, trupa e çka jo tjetër nga Rusia. Ushtria serbe ka blerë avionë e helikopterë ushtarakë, raketa “S 300”, radarë e sisteme më moderne të mbrojtjes kundërajrore. Demonstrimi i forcës në manovrat e përbashkëta ushtarake ruso-serbe, janë sinjal i qartë se ariut aziatiku nuk iu ka shua apetiti për Ballkanin, e këtu në shënjestër janë shqiptarët, shtetet dhe tokat shqiptare dhe bregdeti Adriatik. Ndërtimi i bazës ushtarake serbe, më e madhe dhe më moderne në rajon (“Cepotin”), që ata e quajnë “Bonstili serb”, afër kufirit me Kosovën, është rrezikim i drejtpërdrejt i sigurisë së popullit në Luginën e Preshevës dhe i shtetit të Kosovës. Këmbëngulja kryeneçe për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, Rusia, Greqia dhe miqtë e tyre, nuk është e rastësishme dhe pa prapavijë. Shesheli është vetëm “megafon” i politikës së pushtetit serb, kur kërcënohej këto ditë se “do ta kthejmë ushtrinë serbe në Kosovë”. Ekspertë të strategjisë ushtarake të Rusisë këto ditë dhanë deklarata kërcënuese, “se 10.000 tanke nga Urali mund të depërtojnë në Ballkan, duke shkelur Bullgarinë e Rumuninë, dhe së bashku me Serbinë ta pushtojnë Kosovën dhe Malin e Zi”. Këto  ecuri, lëvizje e zhvillime politike -strategjike ndërkombëtare duhet të përcillën me shumë vigjilencë dhe Shqipëria e Kosova t’i alarmojnë qendrat e vendosjes në instancat e diplomacisë evropiane e botërore, sepse paqja në Ballkan përherë është e brishtë dhe e kërcënuar nga Serbia, e mbështetur fuqimisht prej Rusisë. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në aleancën e NATO-s, duhet sa më parë të anëtarësohen edhe Kosova, Maqedonia e Mali Zi në këtë aleancë, nëse duan të kenë mbrojtje të sigurt, në bazë të nenit 5 të Kontratës së NATO-s, ku është përcaktuar se “Sulmi mbinjë anëtare, njëherit është sulm mbi tërë Aleancën”.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …