Sadik Halitjaha: SHKRIMI JUAJ, PETRO KOÇI, KUNDËR ATYRE QË PRISHIN FESTËN!

Z. Petro, e përkraha shkrimin tuaj!

Veprimet e protestuesve nuk kanë ngjashmëri me traditat tona kombëtare. Sjellja e dhunshme gjatë protestave, në ditë feste, nuk i ngjan aspak traditës sonë. Ishte një veprim i dëmshëm dhe i shëmtuar!

Zakon i shqiptarit nuk ka qenë kurrë që hasmin ta sulmojë në dasmë, në festë familjare apo as në mort.

Këso veprimesh na i kanë bërë armiqtë. Ata na kanë sulmuar në festa fetare, familjare e kombëtare dhe nuk na kanë lënë as t’i varrosim të vdekurit!

Keqardhje që po degjeneron që në lindje kjo lëvizje e re revolucionare!

Këta duhet ta fitojnë përkrahjen e popullit, ta bindin atë se janë në shërbim të së mirës së tij, e jo t’ia prishin festën!

Veprimi kundër festës mbjell frikën se këta kundërshtojnë vlerat, duke treguar se janë kundër çdo gjëje që përbën vlerë kombëtare!

Festa nuk është e Qeverisë. Ngritja e Flamurit dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë janë festa e lindjes së shtetit shqiptar!

Protestuesit nuk është dashur të protestojnë kundër shtetit, edhe nëse kanë një mijë arsye për të protestuar kundër keqqeverisjes!

E parandiej se dora e zgjatur armiqësore është shtrirë deri te protestuesit!

Uroj që ata që udhëheqin dhe organizojnë protestat të distancohen sa më parë dhe sa më qartë nga këta të papërgjegjshëm që prishin festën dhe cenojnë vlerat kombëtare, të cilat i feston i gjithë populli shqiptar!

Ne shqiptarët, nën pushtimin e hekurt të Serbisë dhe Jugosllavisë, këtë festë dhe të gjitha festat kombëtare i kemi kremtuar fshehurazi, larg syve të shtetit. Nëpër shtëpitë tona kemi vendosur Flamurin Kombëtar dhe jemi mbledhur me dhjetëra e qindra patriotë. Kemi folur për ata që kanë bërë sakrifica dhe kanë vënë themelet e shtetit e të simboleve tona. I kemi uruar njëri-tjetrit festat, kemi aspiruar dhe jemi përpjekur që në programet shkollore dhe në librat e historisë të përfshihet çdo ngjarje me vlerë për atdheun, për shtetin shqiptar dhe për të gjithë shqiptarët!

Nëse Berisha mendon ta kthejë Shqipërinë në pikën zero, ashtu siç ka vepruar kur erdhi në pushtet, duke i ndryshuar dhe mohuar festat, si dhe të arriturat historike, atëherë kjo është çështje që duhet trajtuar me përgjegjësi.

Udhëheqësit e protestave duhet të distancohen sa më shpejt dhe sa më qartë nga veprimet antishtetërore!

Nëse, nën maskën e rrëzimit të Qeverisë nga pushteti, synojnë ta zhbëjnë shtetin, do të përfundojnë në humnerë!

Ky nuk është populli i shekujve të kaluar që të mashtrohet! Kujdes me shtetin dhe mos dilni kundër popullit!

29 Nëntor 2026

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Sylejmani: NË LLAPUSHNIKUN HEROIK, ATY KU U THYE SERBIA PUSHTUESE, PËRJETËSOHEN TRI EPOKA TË LAVDISË KOMBËTARE, GJERGJ KASTRIOTI, PJETËR BOGDANI DHE ADEM JASHARI

Faleminderit për ftesën, i nderuari shoku, miku dhe bashkëluftëtari ynë trim e sypatrembur, Ismet Sopi-Marini! …