Dr. Lec Bislim Leci (27.5.1954 – 24.9.1998)

Dr. Lec Bislim Leci (27.5.1954 – 24.9.1998)

Kur shpërthei lufta në Drenicë, në mesin e luftëtarëve të lirisë u radhitën edhe shumë mjekë dhe infermierë shqiptarë, edhe pse Ushtria jonë Çlirimtare kishte nevojë shumë të madhe për këtë kuadër. Njëri ndër ata mjekë të rrallë të Drenicës, i cili pa hezitim iu bashkua, që në orët e para radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte edhe dr. Lec Gradica.
Lec Leci lindi më 27.5.1954 në fshatin Gradicë të Drenasit nga nënë Elhemja dhe babë Bislimi. Ai rrjedh nga një familje me tradita të lashta atdhedashurie. Ishte stërnip i luftëtarit popullor Lec Gradica , i cili së bashku me Avdull Selimin dhe disa komitë të tjerë, në vitin 1918, gjatë rrethimit që i kishte bërë xhandarmëria serbe, në Zabelin e Gradicës, e përkrahur edhe nga disa hafije shqiptarë, rezistoi duke iu shkaktuar forcave armike shtatë të vrarë. Gjatë përleshjeve,Lec Gradica ishte plagosur për vdekje. Luftëtarët e kësaj familjeje morën pjesë në radhën e luftëtarëve të Mehmet Gradicës dhe të Shaban Palluzhës në dimrin e vitit 1945 kundër forcave partizane çetnike. Leci qysh i ri, nga babai Bislimi dhe nga xhaxhai Selimi, kishte mësuar historinë e lavdishme të familjes. Ishte krenar edhe për faktin se kishte trashëguar me nder këtë emër të njohur të historisë sonë kombëtare, duke ia ripërtëritur edhe një herë famën këtij trimi të Drenicës. Shkollën fillore Leci e kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në Dobroshec, ndërsa shkollën e mjekësisë “Ali Sokoli”-në Prishtinë. Ishte i zellshëm në mësime dhe të gjitha klasat i kreu me sukses të shkëlqyeshëm. Në vitin 1979 kreu Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë , si student i dalluar. Pasi i kreu edhe studimet pasuniversitare, fitoi titullin “specialist i mjekësisë së përgjithshme”.
Tërë veprimtarinë e vet profesionale e humanitare dr.Lec Gradica e zhvilloi në territorin e Drenicës. Ai nuk kursei asgjë për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të këtyre anëve atëherë kur e kishin më së vështiri, kur plagët u kullonin gjak dhe kur qindra syresh dergjeshin nëpër male. Dr. Leci iu kishte përkushtuar me tërë qenien profesionit që e kishte zgjedhur. Punonte natë e ditë, vetëm e vetëm që t’i shëronte luftëtarët e lirisë dhe të gjithë ata që kishin nevojë për ndihmën e tij. Etika mjekësore dhe përkushtimi kombëtar e obligonte atë që të merrej edhe me lindjet e nënave shtatzëna, ndërsa krah të fortë në këtë punë e pati bashkëshorten e vet -infermieren Emine, e cila nuk iu nda për asnjë moment dhe e ndihmoi atë që gjatë luftës të kryejë deri në 300 lindje, pa komplikime. Duke qenë se kishte sjellje të njerëzishme dhe të afërt me pacientët pa dallim gjinie e moshe, andaj me të drejtë edhe quhej mjeku më popullor i Drenicës.
Me rastin e fillimit të luftës çlirimtare në Drenicë, dr. Lec Leci fillon aktivitetin e tij atdhetar në shërbim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fillimisht ndihmoi me barna dhe iu shëroi plagët trimave të lirisë, ndërsa në fund të majit të vitit 1998, doktor Leci definitivisht futet në radhët e mjekëve të luftës. Në fund të majit të atij viti doktor Leci vë kontakt me komandantin e mirënjohur Fehmi Lladrovci, pastaj me Xhevë Lladrovcin, Asllan Fazliun, bashkëfshatar i Lecit dhe luftëtar i dalluar i UÇK-së, mjekët Shpëtim Robaj, Ilir Tolaj e shumë të tjerë.
Oda e Bislim Lecit, babait të tij, dhe tërë shtëpia e Lecëve të Gradicës u bënë strehë e sigurt shërimi për dhjetëra luftëtarë të lirisë, të plagosur dhe pacientë të tjerë. Siç rrëfen babai i Lecit,Bislimi, me një rast Fehmi Lladrovci i kishte thënë dr. Lecit: “Sa të jem unë në pikën Te Shavarinat ti puno lirisht këtu me pacientë,se pa kaluar mbi trupat tanë, serbët nuk mund të futën kurrë aty”.Doktor Leci asokohe kishte pajisur ambulancën e tij të luftës me barna të shumta. Ishte kudo ku e kërkonte nevoja. Aktiviteti i tij bën jehonë dhe për këtë dëgjojnë edhe forcat serbe, të cilat ishin pozicionuar rreth Qyqavicës.
Më 22 shtator të vitit 1998, fillon ofensiva e koordinuar e forcave ushtarake dhe policore serbe kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të barrikaduar në tërë Qyqavicën. Popullata e zhvendosur, e grumbulluar fillimisht në Gradicë, bën tutje maleve të Qyqavicës. Në mesin e tyre trajtonte dhe ndihmonte të plagosurit sidomos Lec Leci dhe ekipi i tij mjekësor. Më 24 shtator, duke qenë se forcat serbe kishin vënë në rrethim popullatën e zhvendosur, nga frika e ndonjë masakre të tmerrshme, popullata e zhvendosur kishte filluar të dyndej në drejtim të Vushtrrisë dhe të fshatrave përreth. Në pasditën e 24 shtatorit, dr. Leci, vëllai i tij, Ajeti e disa persona të tjerë, qëndrojnë në malet e Qyqavicës.
Pas rënies, dr. Leci është varrosur në oborrin e shkollës së vjetër të Gradicës, ndërsa më 23 gusht 1999 u bë rivarrimi i trupit të tij së bashku me 59 dëshmorë në Varrezat e Dëshmorëve, në Polac të Drenicës.
Dr. Leci la pas vete bashkëshorten, Eminen, fëmijët Besartin, Lavdinë, Njomzën dhe Besnikun, si dhe vëllezërit Ganiun, Skënderin, Rexhepin dhe Ajetin, motrat Azizen, Fetien, Naxhien e Kadën.
Pas rënies, familjes së dr. Lecit i janë dhënë një mori mirënjohjesh nga institucione e shoqata të ndryshme.
Qeveria e Përkohshme e Kosovës -Ministria e Mbrojtjes-i ka dhënë Nderim;
Unioni i Studentëve i Universitetit të Prishtinës , post mortum, i ka dhënë dr. Lecit Mirënjohje. Kjo mirënjohje tani jepet për çdo vit dhe mban emrin dr. Lec Leci-Gradica; Batalioni 40 i Mjekësisë i Trupave të Mbrojtjes të Kosovës ka marrë emrin “Dr. Lec Leci-Gradica”;
Shoqata e Mjekëve të Kosovës, me rastin e 10-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Pavarur të Mjekëve të Kosovës, i ka dhënë Mirënjohje;
Kryqi i Kuq i Kosovës i ka dhënë Mirënjohje dr.Lecit që flijoi jetën për çështje kombëtare dhe humanitare;
Shoqata humanitare bamirëse e Kosovës “Nëna Tereze” i ka dhënë Mirënjohje dr. Lecit për kontribut të posaçëm në mbrojtjen e shëndetit të popullatës kosovare;
Zona Operative e Drenicës-Batalioni I i brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” i ka dhënë Mirënjohje; Këshilli Komunal i Drenasit i jep Mirënjohje dëshmorit Lec Gradica, për gjakun e dhënë për lirinë e Kosovës; Shtëpia e Shëndetit në Drenas i jep Mirënjohje dëshmorit dr. Lec Gradica, për mundin dhe sakrificën në mbrojtjen shëndetësore të popullatës .
Për veprën patriotike të dr. Lec Lecit-Gradica kanë shkruar një mori gazetash dhe janë dhënë emisione dokumentare në mediat elektronike të vendit dhe të huaja. Ne po i veçojmë, ndër të tjera, këto gazeta e revista: “Prakxis Medica”, nr.1, Prishtinë 1998, “The Guardian”, 1 mars 1999, “Zëri i Kosovës”, 2000, “Rilindja”, 25.9. 1999, “Flaka”, fejton, qershor 1999, “Çlirimi”, 29.11.1999, Prishtinë, “Zëri”, 1998, etj. (Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Lulëzim Shaip Guta (28.3.1980 - 28.9.1998)

Lulëzim Shaip Guta (28.3.1980 – 28.9.1998)

Lulëzim Guta u lind më 28 mars të vitit 1980, në Therandë (ish-Suharekë), në një …