Sabit Syla

Dr. Sabit Syla: Faktori ndërkombëtar, nxitës apo frenues për bashkim kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore

Lufta e Dytë Botërore prishi ekuilibrat gjeopolitikë dhe kufijtë e shumë shteteve, realitet me të cilin nuk u pajtuan shtetet e koalicionit antifashistë. Gjatë periudhës së Luftës se Dytë Botërore përfaqësuesit e Aleatëve të Mëdhenj dhe të kombeve të tjerë antifashistë, hartuan plane dhe ndërmorën iniciativa për të arritur fitoren mbi Fuqitë e Boshtit dhe për të rindërtuar të ardhmen e tyre pas mbarimit të Luftës. Periudha e viteve 1944-45 ka qenë koha më intensive, gjatë së cilës u mbajtën takime të shumta të fuqive aleate. Vendimet e ndërmarra në takimet dypalëshe apo shumëpalëshe, në konferenca e protokolle patën ndikim në zhvillimin e luftës dhe të ardhmen e popujve pas përfundimit të saj.

Nga ana e vet edhe Fuqitë e Boshtit u munduan të aktivizonin dhe të siguronin mbështetjen e popujve të ndryshëm të pakënaqur nga Lufta e Parë Botërore, si dhe te atyre të ndarë nga kombet e tyre dhe gjithashtu të pakënaqur nga shtetet në të cilat ata ishin të detyruar të bashkëjetonin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, popujt ballkanikë bënë në një farë mase zgjidhje të detyruara, duke u rreshtuar përkrah njërit apo tjetrit koalicion. Bullgaria dhe Rumania ju bashkëngjitën Fuqive të Boshtit, Turqia qëndroi neutrale ndërsa Jugosllavia, Shqipëria dhe Greqia kombeve antifashiste të kryesuar nga Tre Aleatët e Mëdhenj. Por edhe brenda grupimit të tre shteteve ballkanike shkalla e rezistencës nuk qe e njëjtë dhe jo të gjitha forcat iu kundërvunë pushtimit. Brenda tyre pati bashkëpunëtorë të pushtuesve, por edhe luftë civile brenda luftës çlirimtare.

Brenda kësaj skeme mund të analizohen edhe zhvillimet në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore duke përfshirë edhe Kosovën. Populli shqiptar në përgjithësi dhe ai i Kosovës ne veçanti dëshironin çlirimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare, pra bashkimin me Shqipërinë. Përparësitë e vendosura nga forcat e ndryshme politike dhe ushtarake në Shqipëri dhe në Kosovë, përcaktuan shkallën e rezistencës ndaj pushtuesit por edhe bashkëpunimin me të. Vendimet e aleatëve të mëdhenj dhe të kombeve të tjerë antifashiste i dhanë me të drejtë përparësi çlirimit të vendeve të tyre, duke e lënë të hapur zgjidhjen e problemeve të tjera në periudhën e pasluftës. Ndërkohë, forcat nacionaliste në Shqipëri kërkuan garanci që gjatë kohës së luftës nga Aleatët e Mëdhenj që ata të shpreheshin për fatet e territoreve dhe të popullsisë shqiptare jashtë kufijve politike të shtetit shqiptar dhe e kushtëzuan në një farë mase rezistencën e tyre me dhënien e garancive për zgjidhjen e këtij problemi. Fuqitë e Mëdha antifashiste nuk i njohën pushtimet e Forcave të Boshtit dhe u shprehën për restaurimin e tyre pas luftës. Përmes Kartës së Atlantikut, Rusvelti dhe Çurçilli hodhën idenë e vetëvendosjes, e cila zgjoi shpresat e kombeve të pushtuara. Pra, çështja e Kosovës ishte problem i vet shqiptarëve të Kosovës, i forcave politike dhe ushtarake të Shqipërisë së pushtuar, i forcave politike dhe ushtarake te Jugosllavisë, por edhe i vendimeve të Aleatëve të Mëdhenj. Në kushtet kur pushtuesit italian dhe gjerman e bashkuan një pjesë të madhe të territorit shqiptar, për një pjesë të madhe të popullsisë shqiptare sidomos në Kosovë u përmbush një kërkesë kombëtare e shqiptarëve, por për fat të keq të tyre ajo mbeti një zgjidhje afatshkurtër, një zgjidhje jo e qëndrueshme dhe e realizuar me ndihmën e fuqive humbëse të luftës. Sidoqoftë, kjo zgjidhje e pushtuesve, nuk mund të thuhet se nuk pati efekt tek shqiptarët e Kosovës dhe tek rezistenca e tyre antifashiste. Këtu nuk mund te mos përmendet edhe fakti se një pjesë e madhe e territoreve etnike shqiptare mbeti nën sundimin e Bullgarisë fashiste dhe te Gjermanisë naziste që nga viti 1941, kur u ndanë sferat e interesit të forcave fashiste në Ballkan. Për sa i përket reagimit të forcave politike dhe ushtarake në Shqipëri, duhet thënë se ato ishin të ndara në qëndrimet e tyre.

Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe PKSH që e drejtonte atë, e konsideroi çështjen e Kosovës si një problem që do të zgjidhej pas lufte. Ajo e artikuloi atë gjatë periudhës së Luftës, por pa këmbëngulur në arritjen e saj, duke shpresuar tek Partia Komuniste Jugosllave dhe Tito si drejtues i saj, me të cilën ne vija të trasha ndante të njëjtën ideologji dhe filozofi për ndërtimin e shtetit të pasluftës, por dhe tek skemat e vendimet e Aleatëve të Mëdhenj. Nga ana tjetër, forcat nacionaliste shqiptare të tilla si, Balli Kombëtar apo Legaliteti e konsideronin një problem shumë të rëndësishëm të ardhmen e Kosovës dhe kërkuan nga Aleatët garanci, që Kosova të bashkohej me Shqipërinë pas mbarimit të Luftës. Këto garanci për të ardhmen e Kosovës nuk u dhanë nga Aleatët e Mëdhenj, ashtu si nuk u shprehën haptazi edhe për restaurimin e shtetit shqiptar në kufijtë e paraluftës. Por për një pjesë të shqiptarëve që bashkë qeverisën me pushtuesin, atashimi i Kosovës me Shqipërinë u konsiderua një realitet i mirëqenë dhe zgjidhje e duhur për shqiptarët në përgjithësi. Për ta problemi i Kosovës ishte një çështje që ishte zgjidhur në kuadrin e pushtimit italian apo gjerman.

Por, për të trajtuar e analizuar qëndrimet e forcave politike dhe ushtarake të Shqipërisë ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj, është e domosdoshme që të kemi parasysh rrethanat ndërkombëtare të krijuara gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në mbarim të saj, të tilla si vendimet e marra në konferenca, takime e protokolle të Aleatëve të Mëdhenj. Ndër to do të përmendnim: Kartën e Atlantikut të gushtit 1941, Konferencën e Teheranit, Deklaratën e Kombeve të Bashkuara, Konferencën e Jaltës etj. Në këto konferenca dhe takime të tjera të mbajtura gjatë Luftës u përcaktuan fatet dhe të ardhmet e kombeve, humbës apo fitues qofshin ata. Në vendimet e të mëdhenjve patën ndikimin e tyre jo të vogël edhe opinionet apo reagimet e anëtarëve të Misioneve Britanike e Amerikane në Shqipëri, si të dërguar në terren të Fuqive të Mëdha aleate. Vet pozita e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe imazhi i saj në arenën ndërkombëtare do të ishte një faktor ndikues në të ardhmen e Kosovës pas Luftës.

Gjerë në vitin 1941, Ballkani përveç Shqipërisë do t’i shpëtonte në përgjithësi efekteve direkte të Luftës së Dytë Botërore. Në pranverë 1941 Hitleri vendosi të pushtonte Ballkanin përpara se ai të shpallte sulmin mbi Bashkimin Sovjetik. Në pak javë ushtritë gjermane arritën të pushtonin Greqinë dhe Jugosllavinë, të cilat prireshin të refuzonin aleancën me Fuqitë e Boshtit. Harta politike e Ballkanit ndryshoi në shtete pro Aleatëve të Mëdhenj dhe në vende aleate të Fuqive të Boshtit.

Pjesë e hartës se re ballkanike qe edhe Kosova, përderisa ajo kishte qenë në kuadër të planeve italo-gjermane. Akoma pa u pushtuar ushtarakisht Shqipëria nga Italia fashiste, ajo kishte qenë ne qendër të vëmendjes së planit të kontit Çiano, për mënyrën e zgjidhjes të çështjes së saj. Në bisedimet që u zhvilluan në Beograd prej 18 deri 23 janar 1939, midis kryetarit të qeverisë Jugosllave Stojadinoviç dhe G. Çianos, për planet e pushtimit të Shqipërisë, në qendër të vëmendjes ishte edhe Kosova. Sipas marrëveshjes së arritur, Italia merrte përsipër që t’u epte fund manifestimeve nacionaliste shqiptare në lidhje me Kosovën dhe ta zgjidhte këtë problem në favor të Jugosllavisë. Në shkurt të vitit 1939, Çiano kërkoi mbështetjen e Jugosllavisë për pushtimin e Shqipërisë, duke i shpjeguar Stojadinoviçit përfitimet që do të kishte me këtë rast Jugosllavia nga pushtimi Italian i Shqipërisë, duke përmendur edhe faktin se: “Shqipëria do të pushonte së qenuri qendër e nacionalizmit, duke pasur parasysh kërkesën legjitime të saj për Kosovën”. Me rastin e pushtimit te Shqipërisë nga Italia fashiste e njohjen e këtij pushtimi nga qeveria jugosllave, kjo e fundit duke qenë e paralajmëruar rreth këtij akti, qe edhe e kënaqur me betimin e Duçes se Italia nuk do të shfaqte kurrfarë interesi për shqiptarët e Kosovës. Kjo çështje i ishte bërë me dije edhe me rastin e takimit të Çianos me ministrin e Jashtëm jugosllav Jovan Markoviç më 22 prill 1939 në Venedik, i cili kishte shpallur dhe siguruar edhe njëherë Jugosllavinë, për mosinteresim të çështjes së Kosovës. Po ashtu qeveria Italiane kishte deklaruar se: “nuk kishte interesa të veçanta në Kosovë si dhe nuk do të përqendronte forca në kufi me këtë vend”.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …