Sabit Syla

Dr. Sabit Syla: Faktori ndërkombëtar, nxitës apo frenues për bashkim kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore? II

Pas pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, propaganda fashiste Italiane filloi të përpunonte opinionin publik shqiptar me anën e fushatave për bashkimin e Kosovës dhe  Çamërisë me Shqipërinë. Kështu Çiano dhe Musolini hodhën në tregun e politikës çështjen e Kosovës, duke ngritur e përkëdhelur nacionalizmin shqiptar për Kosovën e në anën tjetër, duke siguruar Jugosllavinë se nuk interesohej për Kosovën. Madje konti Çiano qysh më 21 prill 1939 pat theksuar se: “Politika Italiane duhet të merret në mënyrë të gjallë me çështjen e Kosovës, sepse kjo do të çonte në një problem irredentist në Ballkan, ku më të angazhuarit do të jenë shqiptarët e kjo kishte për të qenë thikë në shpinën e Jugosllavisë”. Një llogaritje e tillë sipas diplomateve Italiane më 1941, ishte se: “Kosova e cila ishte e pushtuar nën Jugosllavinë, përfaqësonte popullsinë absolute shqiptare e përqendruar në trojet e veta etnike, por pa të drejta elementare njerëzore, politike dhe kombëtare”. Prandaj, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, konti Çiano, kishte përmendur se Italia do të përkujdesej që Shqipëria do të realizonte aspiratat e saj më të thella, duke e përfunduar fjalën e tij të shkurtër me një “Viva la grande Albania”, (Rroftë Shqipëria e Madhe).

Italia e Musolinit nuk mundi ta realizonte këtë projekt të vetin. Situata e rrjedhave ushtarako-politike ndryshoi me sulmin e Gjermanisë ndaj Jugosllavisë dhe pushtimin e saj, në prill të vitit 1941. Hitleri si armik i betuar i hartës së Versajës, në kuadrin e ndryshimeve me dhunë që kreu në mbarë Evropën, e copëtoi Mbretërinë e Jugosllavisë. Mbi bazën e Marrëveshjes së Vjenës (18 prill 1941), Kosova u nda në tri zona pushtimi, zonën gjermane, italiane dhe bullgare. Në zonën pushtuese gjermane mbeti rrethi i Mitrovicës, i Vushtrrisë dhe rrethi i Podujevës (Llapi), në zonën bullgare mbeti një pjesë e rrethit të Gjilanit, në veri të Pasjanit, Kaçaniku dhe Rrafshi i Siriniqit. Ndërsa pjesa tjetër e Kosovës me qytetet kryesore që sot janë në kuadër të Maqedonisë Perëndimore si, Dibra, Kërçova, Gostivari, Struga e një pjesë e Prespës, me dekretligj mbretëror dhe me dekret të mëkëmbësit të mbretit (Italisë) Nr. 264, datë 12 gusht 1941 iu bashkua Shqipërisë, që në këtë rast i përkiste Italisë. Kjo gjendje u ruajt deri në shtator të vitit 1943 me ç’rast Italia fashiste kapitulloi dhe vendin e saj e zuri Gjermania naziste.

Kosova duke qenë edhe pjesë e planit gjerman, në bisedimet e 21 dhe 22 prillit (1941), në Vjenë në mes ministrit italian Konti Çiano dhe Rybentropit-ky i fundit kishte deklaruar, se: “Hitleri dëshiron zvogëlimin sa më të madh të Serbisë, për arsye se territoret e saj do t’u epen SHPK (Shtetit të Pavarur Kroat) dhe Shqipërisë”. Po ashtu para kapitullimit të Italisë fashiste më 9 shtator 1943, në bisedimet e zhvilluara në Beograd më 5 shtator, ndërmjet Xhafer Devës dhe dr. Herman Neubahuer u precizua që Kosova dhe viset e tjera shqiptare të bashkoheshin me shtetin amë. Kjo marrëveshje u arrit në bazë të analizës së Shtabit të Vermahtit ku thuhej se: “shqiptarët kërkojnë pavarësi shtetërore dhe për ta ai shtet, që do t’u sillte pavarësinë, do të ishte miku i tyre”.

Me të mbërritur në Shqipëri njësitet ushtarake të komandës gjermane deklaruan: “Ushtarët e Rajhut të Madh gjerman vijnë porsi miq e dashamirë të popullit shqiptar, me e mbrojt atë nga armiku e me e ruajt prej komunizmi…, Rajhu Gjerman nuk do t’i shikoj ma hatrin tradhtarit italian, është i gatshëm t’i dale para dëshirave te shqiptareve, që të bëhet zot i tokës vet. As gja ma nuk do t’a pengoj pamvarësin e popullit shqiptar. Me të hymet e ushtrisë gjermane në token e Juej, pamvarësia e Shqypnisë do të jetë e sigurueme. Porsi garant do të qëndrojë Rajhu i Madh gjerman dhe ushtria ngadhënjyese e tij e cila kundrejt tokës Juej s’ushqen kurrfarë aspiratash…, Dëshira juaj për pavarësi do të realizohet përmes ndihmës qe t’ia shtrini ushtrisë gjermane…”. Gjermanët krijuan përshtypjen se vetëm tani (pas kapitullimit të Italisë) me ardhjen e tyre mund të realizohej bashkimi i vërtetë i Kosovës me Shqipërinë, çështje të cilën sipas tyre Aleatët me qëllim nuk e përmendnin, me synim të vetëm për t’i kaluar ajo përsëri Jugosllavisë. Kosova duke qenë në qendër të vëmendjes gjermane, ata vazhduan të theksonin, se një fitore e forcave partizane nënkuptonte humbjen e sigurt të Kosovës.

Ne planin gjerman përfshihej krijimi i “Shqipërisë etnike”, ata jo vetëm që njohën bashkimin e krijuar më herët (1941), por edhe premtuan se do t’i bashkonin Kosovës, Mitrovicën e disa vise të tjera të cilat deri atëherë ishin lënë jashtë saj. Me miratimin e  Hitlerit në shkurt të vitit 1944 u krijua divizioni SS Skënderbeu, i cili do të shërbente vetëm në Kosovë dhe të mbronte Shqipërinë etnike. Megjithatë edhe me ardhjen e pushtuesit gjerman u ruajt gjendja ekzistuese e pushtimit si më parë, përderisa nuk u bënë ndryshime administrative-territoriale në të mirë të shtetit amë, pra duke mos lejuar bashkimin e viseve etnike shqiptare që ishin nën administrimin e Serbisë së Nediçit – por u mjaftua me një autonomi të dhënë.

Koalicioni Antifashist Botëror, ndryshe nga Italia dhe Gjermania, do të mbanin  një tjetër qëndrim. Më 14 gusht 1941, presidenti i SHBA Franklin Rusvelt dhe kryeministri i Britanisë së Madhe Uinston Çërçill, shpallën Kartën e Atlantikut, me të cilën u bashkuan edhe Bashkimi Sovjetik dhe shumë shtete të tjerë. Dy aleatët e mëdhenj deklaronin se vendet e tyre nuk kërkonin të zmadhonin territoret e tyre; se nuk dëshironin të shihnin ndryshime territoriale që nuk ishin në përputhje me dëshirat e shprehura lirisht të popujve të tyre; se ata do të respektonin të drejtën e gjithë popujve, për të zgjedhur formën e qeverisjes dhe se ata duan të shohin të rivendosur të drejtat e tyre sovrane dhe vetëvendosjen, nga të cilat janë privuar. Thelbi i Kartës së Atlantikut e bënte të qartë se nuk do të njiheshin ndryshimet territoriale të bëra nga Fuqitë e Boshtit, pra nuk do të njihej pushtimi i Shqipërisë nga Italia më 1939, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë dhe as pushtimi e copëtimi i Jugosllavisë. E për rrjedhojë në parim presupozohej të respektoheshin kufijtë e paraluftës, me arsyetimin se pas saj çështjet nacionale do të zgjidheshin në bazë të parimit të vetëvendosjes. Megjithëkëtë, pranimi i parimit të vetëqeverisjes deri në vetëvendosje linte vend për të shpresuar për të ardhmen, pra për një zgjidhje të dëshiruar nga vet populli shqiptar i Kosovës dhe i Shqipërisë. Por, duhet të themi se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, pavarësisht se nën pushtim ishte një realitet konkret, i shoqëruar me disa zhvillime pozitive për shqiptarët. Në këtë mënyrë ai do të merrej në konsideratë dhe do të ishte i mirëqenë për një pjesë të madhe të popullit shqiptar në Kosovë, për qeveritarët shqiptarë nën pushtim në veçanti si në Kosovë dhe në Shqipëri.

Në të njëjtën kohë edhe Komiteti Ekzekutiv i Kominternit, në direktivat e lëshuara prej tij mbështeste idetë e Kartës së Atlantikut dhe deklaronte se nuk e njihte ndryshimin e kufijve të bërë nga pushtuesit fashistë, dhe se do të respektoheshin kufijtë e paraluftës. Madje edhe porosiste, që të shmangeshin çështjet të tilla delikate e të diskutueshme, si çështja e kufijve, pasi kjo çështje ishte lënë për t’u gjykuar e për t’u zgjidhur pas mbarimit të luftës, në bazë të vetëvendosjes së lirë. Internacionalja Komuniste përveç se nuk njihte asnjë ndryshim kufijsh të bërë prej Gjermanisë, do të deklaronte se, “tanësia jugosllave duhet të mbesi siç qe”. Edhe Deklarata e Kombeve të Bashkuara e 1 janarit 1942, e firmosur nga 26 shtete, ndër të cilët SHBA, BS, Britania e Madhe dhe Kina, e cila hodhi themelet e aleancës antifashiste, rikonfirmoi edhe njëherë Kartën e Atlantikut dhe parimet e saj.

Konferenca e Moskës e cila u mbajt nga 19 deri 30 nëntor 1943, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të SHBA, Anglisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, do të theksonte: “Mbas mbarimit te konfliktit ata (Fuqitë e Mëdha) nuk do të përdorin fuqitë e tyre ushtarake në territoret e shteteve tjera, me përjashtim të rasteve të parapara nga kjo Deklaratë dhe mbas konsultimeve të përbashkëta”. Po ashtu në Deklaratën e tri fuqive të mëdha, të bërë në konferencën e Teheranit (26 nëntor -1 dhjetor 1943, të përfaqësuar nga  Stalini, Çurçill-i e Ruzvelti) do të thuhej se: “Ne shikojmë me mirëbesim ditën kur të gjithë popujt e botës do të jetojnë të lirë, jetët e tyre të lira e të paprekura nga tirania ashtu siç i dëshirojnë ata vetë dhe ashtu si ju thotë ndërgjegjja e tyre”.

Megjithatë asnjëra prej këtyre akteve ndërkombëtare të lartpërmendura nuk parashikonte ndonjë gjë të veçantë për statusin dhe të ardhmen e Kosovës, pavarësisht se shqiptaret shihnin të mishëruara aspiratat e tyre sidomos tek Karta e Atlantikut. Madje Konferenca e Teheranit, godiste rëndë statusin dhe të ardhmen e Kosovës. Kështu në njërën anë ajo kishte miratuar Deklaratën e lirisë se popujve, ndërsa në anën tjetër kishte vendosur që Jugosllavia të përtërihej si shtet me pavarësi dhe me integritet të plotë territorial, ndërsa nëse ajo do të  kërkonte, asaj do t’i lejoheshin sipas frymës e  propozimit të kryetarit të SHBA-ve më 1919, revidime kufitare në perëndim, pra kah Italia.

Në përputhje me Kartën e Atlantikut, as Aleatët Anglo-Amerikanë dhe as  misionet e tyre në Shqipëri nuk i njohën pushtimet e bëra nga nazifashizmi, dhe nuk dhanë garanci që pas luftës Kosova do të bashkohej me Shqipërinë. Misionet aleate të akredituara qoftë pranë shtabeve të LNÇSH-së, apo edhe pranë njësiteve nacionaliste, për sa i përket Kosovës dhe statusit e pozitës se saj te ardhshme nuk premtuan asgjë më shumë sesa forcat kundër nazifashiste, përkatësisht komuniste, shqiptare e jugosllave. Ata as nuk u angazhuan, në mënyrë të veçantë për Kosovën, me anë të një deklarate që të mos përkraheshin pretendimet e Jugosllavisë ndaj Kosovës, që çështja e saj të lihej në vullnetin e popullit të saj, që do të ishte në pajtim me 14 pikat e Willsonit të Luftës së Parë Botërore, e me parimet e Lidhjes së Kombeve dhe parimet e tjera ndërkombëtare. Megjithatë në disa raste anëtarë të Misioneve Britanike apo amerikane në Shqipëri u kanë kërkuar qendrave të tyre që të shpreheshin për vetëvendosjen e Kosovës pas lufte, por propozimet e tyre nuk u mbështetën nga qeveritë e tyre.

Oficerë të ndryshëm aleatë si Julian Amery, major Bill McLean (oficerë britanikë të SOE në Shqipëri, S. S) etj, ishin në dijeni të pretendimeve jugosllave për  Kosovën. Philip Brod thoshte: “Kufijtë për të përfituar Shqipëria nuk duhen njohur por duhen njohur kufijtë e vendosur ne konferencën e fundit të paqes. Përderisa të mos jetë arritur ndonjë marrëveshje midis Shqipërisë dhe qeverisë jugosllave, unë jam dakord që ne nuk duhet të njohim përfshirjen e Kosovës në Shqipëri”. Ndërsa diplomati D. S. Laskaj, më 1 nëntor 1944, do të shkruante: “Qeveria jugosllave, përderisa mbetet kryesisht partizane, mund ta lejonte Shqipërinë të mbante Kosovën. Por siç është sugjeruar ne Athinë, ata mund të kërkojnë si shpërblim që Shqipëria të hyjë në ndonjë formë të Federatës jugosllave. Për sa i përket Shqipërisë unë mendoj se një çmim i tillë ja vlen të paguhet”. Me të vërtetë sipas këtij diplomati ia vlente, përderisa edhe Komanda supreme e Aleatëve, duke mbështetur Mareshalin Tito dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare jugosllave në luftë ndaj gjermaneve, u premtonte atyre përfshirjen e Kosovës në të ashtuquajturën Serbi e Madhe. “Serbë! Kur së bashku do të kemi fituar luftën, atëherë SHBA dhe Anglia do t’ju ndihmojnë ju të krijoni Serbinë e Madhe, të re e të fortë, të tillë që ju të bëheni populli më i fortë i Ballkanit, më i fuqishëm se kurdoherë”.

Aleatët anglo-amerikanë, përgatitën disa studime për rregullimin e kufijve të pasluftës, në të cilat përfshihej kufiri shqiptaro-jugosllav dhe Kosova. Departamenti i Shtetit hartoi dy studime për Shqipërinë, në nëntor 1943 dhe në mars 1944. Studime nuk mund të konsiderohen të  kënaqshme përderisa në asnjërën prej tyre nuk përfshihej e tërë Kosova në kuadër të Shqipërisë. Sipas këtyre studimeve më tepër ruhej kufiri i Jugosllavisë së paraluftës si dhe ndryshime në favor të saj, po ashtu lihej i hapur edhe opsioni i kufirit në favor të Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …