leoni

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në përkujtim të këngëtarit dhe luftëtarit të lirisë, Jeton Kuçi

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në përkujtim të këngëtarit dhe luftëtarit të lirisë, Jeton Kuçi

Jeton (Qazim) Kuçi, u lind në Deçan me dt. 29.01.1979, u lind dhe u rrit në familjen e Metë Sylëve (Kuçi) në Deçan, familje kjo e njohur në këto anë si familje e madhe, punëtore, e ndershme dhe atdhetare. Shkollimin fillor dhe të mesëm Jetoni i përfundoj në Deçan, vazhdoj studimet në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, Fakulteti i Arteve – në drejtimin Pedagogji e Muzikës, studime këto të cilat nuk i përfundoj.

Jetoni më këngën filloj të merrej shumë herët, si fëmijë e donte muzikën dhe këngën folkorike. Ai fillimisht filloj të përgatitej si instrumentalist me çifteli, sharki dhe me instrumenta tjerë muzikor, pastaj edhe si këngëtar. Jetoni do jetë edhe anëtar (udhëheqës) i grupit artistik – muzikor të shkollës, me shokët e tij të gjeneratës do të krijojnë grupin e tyre muzikor, ku do marrin pjesë në programet artistike që organizoheshin ato kohë në shkollë, në Deçan, etj.

Duke parë talentin dhe interesimin që kishte për muzikën dhe këngën shqipe, Jetoni shumë shpejt do të aktivizohet në grupe muzikore, si fëmijë do të shkojë në Shoqërinë kulturore të Carrabregut, prej vitit 1992 si anëtar në kuadër të SHKA “Jusuf Gërvalla” në Deçan dhe prej vitit 2004 anëtar i Grupit të Folklorit “Dervish Shaqa” në Deçan. Jeton Kuqi, me punën dhe vullnetin e tij për muzikën edhe pse i ri në moshë shumë shpejt do të bëj emër në muzikë, do të jetë emër i respektuar në muzikën e mirëfilltë shqipe në Deçan dhe me gjerë. 

Jetoni, anëtar i SHKA “Jusuf Gërvalla” në Deçan

Nga  viti 1992, Jetoni do të jetë anëtar në grupin muzikor të Shoqërisë Kulturo Artistike “Jusuf Gërvalla” në Deçan, Shoqëri kjo e themeluar më 1 qershor të vitit 1991 nga veprimtari Rasim Selmanaj me bashkëveprimtarë. Kohë të vështira këto, vështirë të jetohej, e jo më të merreshe me këngën dhe aktivitetet tjera patriotike e atdhetare të kohës. 

Në këtë grup muzikor, Jetoni me punë dhe angazhim maksimal shumë shpejt do të bëjë vend të merituar në orkestrën e kësaj shoqërie si instrumentalist, si këngëtar grupi dhe si solo-këngëtar, më vonë gjatë viteve të 2000-ta do të jetë edhe vet udhëheqës i kësaj orkestre muzikore. Jetoni, pati fatin të këndoj më shumë artistë të njohur deçanas, këndoj edhe me Fatmir e Luan Nimanaj (tani dëshmorë të kombit).  Së bashku me anëtarët tjerë të grupit muzikor Jetoni do marrë pjesë në shumë manifestime që organizoheshin në ato kohë (vitet 90-ta), në festivale dhe koncerte tjera artistike. Si këngëtar dhe si udhëheqës i SHKA-së, sidomos pas luftës (vitet 2000), Jetoni së bashku me grupin muzikor do të jenë pjesëmarrës dhe fitues të shumë çmimeve në festivale folklorike anë e kënd Kosovës edhe në Shqipëri.

Jetoni, anëtar i Grupit të Folklorit “Dervish Shaqa” në Deçan

Edhe me këtë grup Jetoni do të jetë pjesë e sukseseve në jetën e tij artistike. Me paraqitjet para publikut në skena te festivaleve së bashku me rapsodët e mirënjohur, Ismet Mushkolaj, Hamëz Lokaj, Zenun Maksutaj, Mustafë Ramaj, Cenë dhe Skënder Vishaj, Januz Mushkolaj etj., nga juritë profesionale ata do marrin mirënjohje dhe çmime të ndryshme.

Me grupin “Dervish Shaqa” Jetoni do të marrë pjesë edhe në Festivalin gjithëkombëtar të folklorit në Gjirokastër në vitin 2015 (festival ky që ishte ëndërr për të gjithë artistët e këngës folklorike në Kosovë). Edhe në këtë grup muzikor Jetoni do të japë kontributin maksimal si instrumentalist dhe si këngëtar. Grupi i folklorit “Dervish Shaqa” nga Deçani, për vite me radhë do jetë pjesë e festivaleve dhe koncerteve folklorike anë e kënd trojeve shqiptare, po ashtu ky grup ndërkohë do të incizoj programe edhe emisione të shumta për TV të ndryshme në Kosovë.

Karriera dhe jeta artistike e Jetonit si këngëtar

Jetoni, pas luftës edhe më seriozisht dhe me përkushtim profesional vazhdon jetën e tij artistike. 

Jetoni si muzikant (instrumentalist dhe solist – këngëtar), me punën e tij të madhe, me dashurinë që kishte për muzikën (këngën dhe instrumentet) do të arrij që të ishte njeri ndër instrumentalistët me të mirë në Deçan e me gjerë në Kosovë. Ai luante bukur në çifteli, në sharki, kitarë etj. Kishte talent të lindur për lojë në veglat muzikore dhe muzikën në tërësi,

Me zërin e tij të pastër, shumë melodik në raste të caktuara edhe melankolik, ai do të arrij të jetë njëri ndër emrat e ri dhe më me perspektivë në estradën muzikore kosovare. Në karrierën e tij muzikore, ai rriti të editonte katër albume muzikore, me këngë, të zhanrit folklorik, popullor dhe atë të muzikës së lehtë. Albumin e parë me titull “Vasha nga Deçani” e realizoj në duet me Kadri Molliqaj dhe Sihana Lataj, albumet tjera: “Ik nga kënga ime”, “Ty të dua” dhe albumin e fundit “Mos harro”. Jetoni i këndonte jetës dhe dashurisë, i këndonte luftës dhe heronjve, i këndonte Deçanit dhe Kosovës. 

Jetoni do të jetë prezent në shumë dasma e ahengje familjare, në koncerte e festivale të ndryshme, në fushën muzikore do bashkëpunoj me shumë këngëtarë tjerë: Kadri Molliqaj, Hysni Zukaj, Jeton Zukaj, Nimon Ramosaj, Bekim Vishaj, Naim Islamaj, Ismet Imeraj, Jeton Zekaj, Sejdi Gërvalla, bashkëpunoj me orkestra dhe grupe tjera artistike. Ndërkohë do të bashkëpunoj edhe me muzicientin Kujtim Shala, Durim Tahirukaj, etj.

Jeton Kuçi, personaliteti dhe aktivitetet e tij në kohë …

Jetoni si i ri la përshtypje të një njeriu të mirë, familjari të mirë, të një miku dhe kolegu të mrekullueshëm. Edhe pse i ri, Jetoni do të ishte një person me personalitet të lartë, ai gjithë herë ishte i gatshëm të marrë detyra të reja pa marrë parasysh rreziqet që mund të dilnin, kushtrimit të atdheut Jetoni dhe mijëra tjerë të rinj i’u përgjigjen, ai ishte pjesëmarrës në protesta e demonstrata gjatë viteve të 90-ta. Pra, ishte aktivist i dalluar në ato vite të lavdisë. Jetoni e donte familjen, shoqërinë dhe atdheun, me fillimin e luftës çlirimtare në vitet 1998/1999, ai u bashkohet radhëve të UÇK-së,në prill të vitit 1998 shkoj në Shqipëri për armatim, së bashku me familjen – axhallarët dhe shokët e tij të luftës me pushkë në dorë do i dalin zot atdheut. Me plot meritë do fitoj statusin e veteranit të luftës se UÇK-së. 

Pas luftës dhe rifillimit të jetës artistike, Jetoni krahas angazhimit si këngëtar, ai do të merret edhe me aktivitetet e ndryshme kulturore që organizoheshin në Deçan, do jetë pjesë e tyre, njëri ndër udhëheqësit e SHKA “Jusuf Gërvalla”, anëtar i grupit “Dervish Shaqa”, anëtar i Bordit organizativ për organizimin e shumë edicioneve të Festivalit gjithëkombëtar të folklorit ”Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen” që mbahet në Deçan, etj.

Jetoni, më dt. 29 prill të vitit 2018 në një aksident në bjeshkët e Deçanit ndërroj jetë, ai la pas vetës familjen e tij, la këngën dhe iku përjetësisht nga kjo botë.

Si përfundim: 

Jetoni, sot do të kujtohet me respekt nga familja, shokët dhe rrethi i tij në Deçan e më gjerë në Kosovë. Do të mbetët gjallë në kujtesën tonë, si një djalë i mirë, i dashur dhe i respektueshëm.

-Jetoni, nga kolegët – ish ushtarë të UÇK-së dhe tani veteranë të UÇK-së, do të kujtohet si një djalë trim e luftëtar në frontet e luftës çlirimtare në Deçan e Dukagjin.

-Jetoni do të kujtohet gjatë nga kolegët e muzikës, si instrumentalist dhe si muzikant i shkëlqyeshëm, si këngëtar dhe koleg i papërsëritshëm ndër ne.

-Jetoni do të kujtohet edhe si aktivist në organizimin e ngjarjeve kulturore në Deçan.

-Jetoni dhe kënga e tij do të kujtohen gjatë ndër ne, kolegët, bashkëpunëtorët dhe dashamirët e artit muzikor (folklorit burimor dhe këngës popullore) do e kujtojnë gjithmonë me respekt.

Vargje kënge (nga kolegët e tij) kushtuar Jeton Kuçit.

Zemra shumë për ty mall ka,

syri jonë po don me t’pa,

sa t’jetojmë e këndojmë ne 

vendin bashkë me ne e ke …

Kontrolloni gjithashtu

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine lindi në Vithkuq të Korçës në vitin 1844. Mori pjesë në Lëvizjen e …