Dr. Shefqet Krasniqi: Diskriminimi i myslimanëve në Evropë

 


Me gjithë tolerancën që hasim gjithandej nëpër vendet evropiane, me gjithë demokracinë dhe garantimin e lirisë së të shprehurit si dhe mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe fetare, me gjithë thirrjet e shumta të organizatave të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare, duke përfshirë këtu edhe OKB-në, për të krijuar një klimë tolerance dhe për të demonstruar një respekt të ndërsjellë ndërmjet komuniteteve etnike dhe fetare, me gjithë këto, prapë, diskriminimi ndaj myslimanëve nuk di të ndalur. Thuajse demokracia dhe këto vlera nuk nënkuptojnë edhe myslimanët. Ato, siç demonstrohen praktikisht, janë ekskluzive vetëm për perëndimorët.


 


Kjo gjendje, me tërë këtë kapacitet mjerimi që ka, prapë nuk është për dëshpërim. E them kështu duke patur parasysh se Allahu i Madhëruar cakton shkaqe që e vërteta për Islamin dhe myslimanët, pavarësisht inatit dhe mërisë, urrejtjes dhe smirës së jomyslimanëve, të del në shesh pikërisht nga jomyslimanët, ata që të paktën nuk janë zhveshur nga njerëzia dhe humanizmi si shumë bashkëkombës të tyre (jomyslimanë.) Jo rrallë dëgjojmë zëra kundër këtij diskriminimi dhe këtyre padrejtësive, qoftë nga figura me ndikim, qoftë edhe nga institucione dhe organizata. Para pak ditësh, Organizata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Amnesty International, me seli në Londër, publikoi një raport rreth diskriminimit dhe shkeljes së të drejtave të muslimanëve në disa vende evropiane, duke filluar nga e drejta fetare e deri tek të drejtat tjera si qytetarë: arsimi dhe punësimi me theks të veçantë.


 


Organizata në fjalë u bëri thirrje disa qeverive evropiane të bëjnë më shumë për të sfiduar stereotipat negative dhe paragjykimet kundër Islamit në vendet e tyre. Raporti më tepër u fokusua tek ato vende që ndalojnë bartjen e shamisë ose në mbajtjen e simboleve fetare nëpër shkolla. Njëri nga ekspertët e kësaj organizate, Marco Perolini, shprehet duke thënë: “Në vend se ti luftojnë këto paragjykime, partitë politike dhe zyrtarët publik shumë e më shpesh i kanë lënë pas dore në kërkimin e tyre për vota”. Diskriminimi vërehet më shumë tek gjinia femërore për shkak të bartjes së shamisë, por këtij diskriminimi nuk i shpëtojnë as burrat për shkak të bartjes së mjekrës, ku jo rrallë herë edhe shkarkohen nga puna.   Punëdhënësve u është lejuar t’i ndalojnë simbolet fetare ose kulturore për arsye se ato do të fyejnë klientët ose ato bien ndesh me imazhin e kompanive të tyre. Organizata Amnesty tha se kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejt me ligjin e Bashkimit Evropian. Eksperti Perolini shton duke thënë: “Legjislacioni i BE-së i cili ndalon diskriminimin në bazë të fesë apo besimit në fushën e punësimit duket të jetë i padobishëm nëpër Evropë përderisa ne jemi duke parë një normë më të lartë të papunësisë në mesin e myslimanëve.” 


 


Është interesant se kjo organizatë në raportin e saj nuk cekë diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave që ju bëhet myslimanëve në Kosovë, kur dihet fakti se Kosova, edhe pse ka 96% të banorëve të saj autokton me përkatësi myslimane, zë vendin e parë në Evropë me shkeljen e të drejtave të myslimanëve, në veçanti të femrës myslimane të cilës po i mohohet e drejta e shkollimit dhe punësimit vetëm për shkak të bartjes së shamisë. Mos përfshirja e qeverisë së Kosovës në vërejtjet për diskriminim në baza fetare na habitë edhe më shumë kur dihet fakti se për këtë çështje ka pasur edhe protesta disa herë dhe ato janë përcjellë dhe shfaqur në media të ndryshme botërore.


 


Si do që të jetë, ne do vazhdojmë edhe më tej ta ngremë zërin për t’i fituar të drejtat tona elementare dhe për ta larguar njëherë e përgjithmonë diskriminimin fetar që po bëhet në Kosovë. Po kështu do të punojmë që të vëmë kontakte edhe me këtë organizatë për të pasqyruar gjendjen e vërtetë të lirisë dhe të drejtave të individit, duke mbetur me shpresë se në raportet vijuese të saj, organizata do ta përfshijë edhe Kosovën, dhe kësisoj, raporti i saj do të jetë një trysni ndërkombëtare për garantimin dhe ushtrimin e lirive dhe të drejtave të myslimanëve në Kosovë.


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: KRIMI NUK KA PËRKATËSI


 


Ky shkrim është me shkas. Është një reagim ndaj tentativave për të përshkruar me vrazhdësi çdo gjë që është islame, që ka të bëjë me myslimanët apo që ndodhë në vendet e tyre. Para pak ditëve një nga mediat tona përcillte me shqetësimin më të madh një lajm nga Arabia Saudite për fatin e një gruaje nga Srilanka, të cilës i kanosej dënimi me vdekje për shkak të dyshimit për bërje të magjisë.


Lajmi paraqitej aq vrazhdë dhe aq fyes saqë të jepej përshtypja sikur Arabia Saudite është një bishë a një egërsirë që do vetëm gjak derisa -qëllimshëm-harronte faktin se një mëkat sikur magjia, jo vetëm që në Islam është i madh, por edhe në të gjitha fetë qiellore, sikur që Islami nuk është legjislacioni i parë që ka aplikuar dënimin me vdekje për këtë krim të madh. 


Kam bindjen se mediat janë duke bërë një fushatë të egër kundër kulturës orientale, duke përfshirë këtu dhe Islamin si burim dhe referencë kryesore e kësaj kulture. Këtë, përveç tjerash, e dëshmon edhe fakti se në Evropë dhe SHBA kryhen me dhjetëra krime të tilla, madje ka raste kur edhe ekzekutohen, ndërsa gjërat paraqiten krejtësisht ndryshe. Punohet shumë që krimi të lokalizohet deri në minimum, tek individi. Pra, nuk fajësojnë shoqërinë dhe  as vlerat kulturore por për këtë fajin ia lënë individit. Breiviku vrau 77 persona ndërsa, megjithëqë ai deklaron se nuk është i sëmur mental, mediat për të mos njollosur “të shenjtën” kulturë perëndimore, e akuzojnë për të çmendur, për psikopat, etj. Raste tjera kur vetëm raportohet lajmi me kujdesin që të mos ndizet shumë opinioni. P.sh. para pak ditësh pirësish në mediat tona ishte një lajm për një mësuese amerikane, e cila kishte kryer marrëdhënie intime me 28 nxënës të saj. Apo rastet kur bashkëshorti vret gruan dhe fëmijët, prindi për vite të tëra dhunon dhe abuzon seksualisht me të bijën, i dashuri vret, e djeg dhe e han të dashurën, etj. Paramendoni ç’bujë e madhe do të bëhej sikur protagonistët e këtyre krimeve të ishim myslimanë nga vendet islame. E tërë bota do të ngrihej në këmbë duke e akuzuar Islamin se është fe e kësaj e asaj…


Ne, sigurisht se me këtë nuk duam të justifikojmë shkeljen e të drejtave porse duam të shpjegojmë se krimi nuk ka ngjyrë, racë, gjuhë, fe…Krimi çdoherë dhe në çdo vend është krim. Magjia është krim i madh dhe unë si një jurist mysliman, nuk kam si të mos e mbështesë veprimin e autoritete të atjeshme, pavarësisht se sa e ‘tmerrshme’ tingëllon kjo për mediat tona që përlotin rrejshëm sytë kinse për drejtësinë. Breiviku, të cilit mund t’i hiqet liria për vetëm 21 vite, nuk ndalet së kërcënuari se do të vazhdoj me krimet e tij. ajo që drejtësia bën në këtë rast është që shoqërinë të mos e ruajë përherë por vetëm për një kohë, derisa Breiviku të përmbledh veten, të bëjë plane më të detajuara, që ndoshta, siç edhe ka thënë vet, këtë numri dyshifror ta shndërrojë në treshifror.


Defekti tek mentaliteti bashkëkohor është njëanshmëria. Merren shumë me dorasin dhe të drejtat e tij ndërsa e lënë anash viktimën, shikojnë dënimin  krimit ndërsa jo vet krimin. Magjia është shumë mëkat i rëndë. Sa njeriu është duke vuajtur sot shkaku i magjive të zeza. Sa shpirtkeqi ia nxin njeriut jetën vetëm pse e xhelozon apo ia ka inat. Gjithmonë magjia ka qenë një dukuri e shëmtuar, e cekur në Kur’an dhe në librat tjera të shenjta, që nga koha e Musasë [alejhis selam], Sulejmanit [alejhis selam] e deri tek Muhammedi [alejhis salatu ves selam]. Kurrë askush magjisë nuk i ka thënë e mirë. Dhe për shkak të dëmit të madh që ka, Islami e ka radhitur atë në shkallë të parë të krimeve pas mohimit të Zotit të Madhëruar. Atë vepër nuk e bën tjetër kush pos njerëzve të ligë, të cilët kanë tendenca për ta shkatërruar shoqërinë dhe rrethin ku jeton. Kryerësi i asaj vepre  është një virus i cili helmon shoqërinë dhe infekton atë, andaj duhet larguar, apo eliminuar sa më parë që të jetë e mundur.


Islami nuk ka synim vetëm ta pastroj anën shpirtërore dhe ta rregulloj lidhjen e robit me Zotin, por synon ta krijojë një shoqëri të shëndosh e të mbrojtur nga çdo dukuri negative,  e për ta bërë këtë patjetër se duhet sjellë edhe dispozita të cilat në shikim të parë ndonëse mund të shihen si të “vrazhda”, por në realitet janë të domosdoshme, në veçanti kur dihet se gjithmonë ka pasur njerëz të ligj, të cilët janë të krijuar për të bërë keq. E të atillëve po ua lëshove rrugën e helmojnë tërë shoqërinë. Dikush duhet tua ndal rrugën.  Ne jemi duke dëshmitarë se si në vendin tonë njerëz që nuk ka frikën e Zotit dhe as përgjegjësinë para ligjit nuk ndalen së kryeri krime nga më të ndryshmet dhe më të mëdhatë. Andaj është tepër me rëndësi që njerëzit të vetëdijesohen, të informohen për peshën e rëndë të krimit, në këtë dhe në botën tjetër.


Allahu na çoftë në hair të gjithëve, na drejtoftë e na udhëzoftë! Mirë u takofshim javën e ardhshme! Deri atëherë, Selam alejkum!



 


Dr. Shefqet Krasniqi: Prindërit mes respektit dhe arrogancës


 


Një konflikt i para pak ditëve në Kosovë, epilog tragjik i të cilit ishte vrasja e dy vetave, baba dhe vëlla të dorasit, jo vetëm që tmerroi shoqërinë dhe u bë lajm dhe bisedë e javës, porse shtroi edhe pikëpyetje të shumta para një numri të madh çështjesh që kanë të bëjnë me shoqërinë.


Çfarë është duke ndodhur në vendin tonë?


Cili është orientimi i kësaj kulture, apo ku na shpie ajo?


Ç’fat do të kemi ne kur të plakemi, do të respektohemi nga pasardhësit tanë apo do të mbarojmë në shtëpi pleqsh?


Sa respektohen prindërit sot?


Ku apo cilat janë shkaqet që, pa dashur të paragjykojmë për rastin në fjalë, bëjnë që prindi, njeriu, respektin e të cilit feja e sjell në rend të dytë, menjëherë pas respektit për Allahun, vritet qoftë edhe për një copë toke djerrinë?


Ajo që më bën të vuaj më shumë është se kjo temë (mos respektimi i prindërve) është duke u konceptuar çdoherë e më shumë si pjesë e kulturës moderne, apo më thjesht, është duke u trajtuar si “normale.” Janë mësuar tashmë me perëndimin, i cili është përplot shtëpi pleqsh ngase fëmijët nuk kanë kohë t’i përkushtohen prindërve të tyre.  Njëherë një djalosh gjerman erdhi në Kosovë dhe gjatë bisedës më tha: ‘Unë në shtëpinë time kam nënën të shtyrë në moshë për të cilën përkujdesem. Por e tërë shoqëria ime më përqesh dhe më thonë pse nuk po e dërgon në shtëpi të pleqve, sepse shteti e ka për detyrë të kujdeset ndaj të vjetërve e jo fëmijët, andaj mos humb kohë me të.’ 


Subhanallah! Çfarë zamani ka ardhur për njerëzimin!


Ne si popull jemi shquar për tradita dhe kulturë, pjesë qenësore e të cilave ka qenë patjetër edhe respekti dhe nderimi i prindërve. Jemi edukuar në frymën e respektit për nderimin e tyre, për dëgjueshmërinë ndaj tyre dhe përfilljen e këshillave dhe porosive të tyre. Nuk kemi ngritur zërin ndaj tyre dhe nuk ia kemi toleruar vetës hidhërimin me ta, pavarësisht situatave dhe gjendjeve. Babai ka qenë njeriu më i madh në tokë, fjala e të cilit nuk është kthyer mbrapsht. Urdhri i tij duhej të shkonte në vend. Bile ka qenë e njohur se edhe nëse babai e rrah djalin e tij burrë të martuar nuk është marre, se lëre më me i bërtit apo me e qortuar. Dhe krejt kjo kulturë e edukatë e shqiptarëve të vjetër ka qenë rezultat i besimit të tyre, ka qenë kulturë e tyre fetare dhe islame, e cila me shekuj e ka ruajtur familjen, e ka ruajtur shoqërinë, e ka ruajtur kombin.


Po të nderuar, prindi ka një tretman të veçantë, ka një shkallë shumë të madhe dhe të veçuar nga çdo njeri tjetër. Kështu Zoti ka dashur e ka urdhëruar. Ai e ka bërë respektin e prindit paralel me respektin ndaj Lartmadhërisë së Tij duke thënë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve…” (el-Isra:23)


E fakti se pas urdhrit për ta adhuruar vetëm Atë, ka radhitur respektin ndaj prindërve jep me kuptuar se çfarë rëndësie ju ka kushtuar. Bile respektin ndaj prindërve apo të fituarit e kënaqësisë së tyre e ka bërë kusht për kënaqësinë e Vet ndaj robit të tij, siç ka thënë Muhamedi a.s. “Të fituarit e kënaqësisë së Allahut, është në të fituar të kënaqësisë së prindërve. Dhe hidhërimi i Allahut është në hidhrim të prindërve”.


Zakonisht, fitimi i kënaqësisë së prindit arrihet kur ai të plaket, lodhet dhe ka nevojë për përkujdesjen e fëmiut të tij. Për këtë arsye thotë Kur’ani: “Nëse njërin prej tyre (prindërve), ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).” (el-Isra:23)


Kështu, nëse është haram që prindit ti thuhet “of” në shenjë pakënaqësie, atëherë a thua si qëndron puna e atij që i bërtet prindit, pastaj atij që e qet prindit jashtë shtëpie, e mos të flasim për atë që e rrah prindin apo e vret, Allahu na ruajt! Mos respekti ndaj prindit është shenjë e arrogancës, është shenjë se mileti është prishur, është shenjë e kiametit. Zaten pa u prish mileti nuk bëhet kiameti.


Mos respekti i prindit në njëfarë mënyre është edhe rezultat i përkujdesjes së prindit ndaj fëmijës së tij në aspektin e kulturës, edukimit, etj. Disa djem të rinj më ndalen në xhami e më pyetën për rastin e fundit në komunën e Deçanit, sesi është e mundur që fëmija të shtij dorë në prindin e tij?! Unë iu thash, ndër shumë faktorë të mundshëm, është edhe ai se disa prind nuk e kanë dert a e ushqejnë familjen e tyre me hallall apo me haram. E si të jetë barku i mbushur me haram, veshmbathja me haram, atëherë edhe fëmijët kanë me dal haram. Pastaj edukata jo e mirë, mos lidhja e fëmijëve me Zotin xh.sh. Të gjitha këto dhe të tjera ndikojnë shumë që fëmija mos ta ketë dert  babanë e tij, bile më shumë të kujdeset për ndonjë mik apo shok që ka interes të dynjasë prej tij sesa për babanë e tij.


Andaj, të nderuar, nëse nuk angazhohemi të gjithë së bashku për ta ruajtur pozitën dhe vlerën  e prindit tek fëmijët dhe pasardhësit tanë, me siguri se dikur do të na kushtoj shtrenjtë, siç është duke ju kushtuar pleqve perëndimorë.


Ne kemi qenë me fat që kemi këtë fe, respekti për prindër në të cilën është vërtet i një rëndësie të madhe, andaj ta lusim Allahun që të na ruajë këtë fe dhe këto tradita e këtë kulturë. Këtu po ndahemi me këtë temë tepër prekëse dhe të ndjeshme për tu takuar serish javën tjetër, inshallah. Deri atëherë selam alejkum!



Dr. Shefqet Krasniqi: Kaloi një vit që kur filloi revolucioni në Siri


 


Kaloi një vit që kur filloi revolucioni në Siri, revolucion që me gjithë çmimin  e lartë – u derdh shumë gjak, u vranë shumë të pafajshëm – nuk arriti ende qëllimin e tij. Presidenti famëkeq, Beshar Esedi, ende vazhdon të qëndrojë në krye të shtetit dhe politika e tij hegjemoniste ende vazhdon të udhëheq vendin.


Në fakt, me fillimin e protestave dhe intensifikimin e tyre, gjendja vetëm sa është tensionuar. Për çdo ditë me dhjetëra e qindra civil të vrarë e të masakruar, shumica prej të cilëve gra, fëmijë e pleq. E të gjithë ata sipas qeverisë siriane janë “terroristë” të cilët meritojnë të luftohen ashpër.


Kurrë nuk ka qenë e njohur që fëmijët të jenë terroristë. Nuk besoj se mund ta gjesh këtë shprehje në ndonjë fjalorë të ndonjë gjuhe që është përmendur se ka ekzistuar më parë, që nga dita kur Zoti krijoi tokën dhe qiellin. Ndërsa në këtë shekull çdo kush mund të jetë “terroristë”, mund të jenë nga plaku i vjetër i shtrirë në shtrat e deri tek foshnja, kuptohet nëse janë myslimanë.


Ndoshta Serbia në periudhën para luftës kur ndërmori fushatë për mbytjen e të gjitha lopëve tona, mund të jetë bazuar në këtë se “lopët e terroristëve janë terroristë”. Marrëzira shkuar marrëzirave!


Sido që të jetë, në Siri lufta ndaj të pafajshmëve nuk po ndalet. Skenat me të plagosur, të vrarë dhe refugjatë që ikin nga shtëpitë e tyre janë bërë lajm pothuajse në të gjithë botën. E tërë bota ka mësuar se kush është viktima e kush është fajtori, por, për çudi hapat e ndërmarrë për zgjidhjen e këtij problemi janë shumë të paktë. Nuk di a nuk e vlerësojnë gjakun e myslimanit apo kanë ndonjë interes me kriminelët. Vështirë t’i besosh kësaj bote.


Këshilli i Sigurimit, ndonëse pati debate të shumta rreth kësaj teme, nuk arriti të materializon asnjë nismë. Tash së fundi ka filluar të flitet shumë për iniciativën e Kofi Ananit si i dërguar special i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, e që shumë pak edhe prej kësaj iniciative pritet, ngase Siria ka përkrahës shumë të fortë në vendimet e saj për ti luftuar “terroristët.” Ka Iranin me tërë potencialin e saj që e ka, e që është një shtet mjaft i fortë dhe me ndikim të madh, pastaj ka Hiszbullahin e Libanit të cilët përkrahin në çdo mënyrë partinë Bass dhe pushtetin e Beshar Esedit. Gjithashtu ka Rusinë dhe Kinën.


Të gjitha këto, në një anë dhe dëshira e flaktë e Beshar Esedit për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, në anën tjetër, e bëjnë atë që të sakrifikoj çdo gjë vetëm e vetëm për t’ia zgjatur vetes jetën në pushtet. Andaj duhet një angazhim shtesë i të gjithë dashamirëve të paqes e të lirisë dhe një sensibilizim i tyre për të arritur rezultat të kënaqshëm në atë vend.


Thënë të drejtën, as myslimanët në nivel qeverish, nuk kanë bërë sa duhet për Sirinë, ani pse janë shënuar takime, mbledhje, organizime, nisma, por praktikisht, përveç ndihmave dhe solidarizimit, nuk është ndërmarrë asgjë. E në këtë kontekst, pra të ndihmave dhe solidaritetit, punë më së shumti kanë bërë dijetarët.


Këto ditë, pas konferencës ndërkombëtare për Sirinë në Stamboll, ku morën pjesë politikanë nga vende të ndryshme të botës, u mbajt edhe një konferencë tjetër, por e karakterit fetar. Më konkretisht, nga data 4-5 Prill 2012, Kryesia e Ligës së Dijetarëve Botërorë Myslimanë në bashkëpunim me Organizatën Islame të Sirisë organizoi një konferencë, pjesëmarrës në të cilën, në cilësinë e anëtarit të Kryesisë së DBM-së, isha edhe unë.


Gjatë dy ditëve radhazi u zhvilluan shumë debate e biseda ndër më të ndryshmet, të cilat kishin për qëllim informimin e dashamirëve të paqes se çka është duke ndodhur brenda në atë shtet, pastaj gjetja e mënyrave dhe rrugëve për t’iu ndihmuar atyre njerëzve. Ngase Siria është një vend ku ende shtypi dhe mediat janë shumë të kufizuara.


Në atë konferencë kishte edhe sirianë që kishin ardhur nga vatrat e luftës e që tregonin për masakrat që janë duke u bërë atje nga pushteti sirian dhe bashkëmilitantët e tyre. U kërkua ndihmë e madhe për nga ana mjekësore për t’i mjekuar të plagosurit, u kërkua ndihmë për jetimët, të cilët tashmë janë me mijëra, u kërkua ndihmë për refugjatët brenda dhe jashtë vendit, ngase mbi dy milion refugjatë deri më tani janë vetëm brenda Sirisë. U kërkua, po kështu, që të lobohet edhe më shumë gjithandej nëpër botë, në mënyrë që të shtohet presioni i botës tek qeveria e Besharit për ta ndal luftën dhe për ta dorëzuar pushtetin.


E, në fund të ditës së dytë, u hap edhe mundësia për të dhënë ndihma humanitare për popullin e Sirisë. Njerëzit filluan të japin, filluan me nga dhjetë mijë euro deri tek pesëqind mijë euro. Pastaj telefonatat filluan të vijnë edhe nga jashtë, ngase konferenca ishte e mbuluar me media të forta botërore, si Al Jazeera, të cilat transmetonin drejtpërsëdrejti takimin.


Telefonatat nuk kishin të ndalur. Lajmëroheshin myslimanë të shumtë duke ofruar secili një ndihmë dhe kontribut material për lëvdatë. Nga të gjitha këto telefonata dhe këto donacione, më e çuditshmja, më interesantja dhe më mbresëlënësja për mua ishte ndërhyrja e fundit e një djaloshi të ri, i cili pa leje të askujt doli në foltore dhe kërkoi fjalën, ku pasi ia dhanë të drejtën e fjalës, tha: ‘O ju njerëz, gjendja në Siri është ajo çka kuptuam deri më tani, ata njerëz kanë nevojë të madhe për ne, për ndihmën tonë. Unë nuk kam pasuri, me përjashtim të dy shtëpive dhe një are (kopshti), andaj, kam vendosur për hir të Allahut t’i jap të dy shtëpitë, e ti nxjerri gratë e fëmijët e mi prej tyre dhe së bashku të dalim me qira. Merrni dhe shitni shtëpitë dhe kopshtin tim ndërsa të hollat ua shpërndani vëllezërve në Siri”!


Deklarata e tij na shokoi të gjithëve, ngase nuk prisnim të bënte dikush këtë lloj sakrifice. Nuk është lehtë ta japësh shtëpinë e t’i nxjerrësh fëmijët në rrugë. Këtë nuk mundë ta bëj askush përveç një njeriu që ka lidhje të fortë me Allahun, një njeri i cili shumë beson në rëndësinë të ndihmuarit nevojtarëve. Këtë nuk mund ta bëjë kush pos një njeriu i cili do ta blej xhenetin me pasurinë e tij.


Njerëzit kur dëgjuan këtë deklaratë të këtij djaloshi filluan të marrin tekbir “Allahu ekber” dhe filluan të qajnë, sepse vërtet ishte shumë prekëse. E për ta bërë këtë edhe ma interesante të nderuar – e jo për t’i mbushur rreshtat – pasi përfundoi mbledhja dhe falëm namazin bashkërisht, u ngrit në këmbë një njeri dhe tha: “Të nderuar, kam një informatë të shkurtër. Personi, i cili më herët i dha dy shtëpitë e tij për popullin sirian dhe vendosi të banojë vet me qira, inshallah nuk do të del, ngase ne do t’ia blejmë atij shtëpitë shumë më shtrenjtë sesa çmimi real i tyre, në mënyrë që atij t’ia kthejmë prapë paratë që të blejë shtëpi për veti, e paratë e tjera do t’i japim për popullin sirian”.


 


Kështu, dëshira dhe sakrifica e tij shkuan në vend, ndërsa ai nuk humbi asgjë. Këso lloj çudish di të bën vetëm sinqeriteti! Të gjithë xhemati filluan të thonë “Allahu ekber” dhe ta falënderojnë këtë person, që në fakt as nuk e njihnim.


Ky ishte përfundim shumë i ëmbël i cili na kënaqi të gjithëve, na freskoi dhe na dha shpresë të madhe se forca e ummetit për të nxjerrë burra të mëdhenj, figura të rralla dhe heronj të pamposhtur ende është e madhe.


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Na njohin sikur jemi dhe kështu duhet të prezantohemi


Mënyra se si lidershipi ynë politik e prezanton veten dhe mënyra si të tjerët i marrin është vërtetë për tu çuditur. Ekziston një kontrast, një kundërthënie e plotë, gati e shkallës së paradoksit. Politikanët dhe intelektualët tanë laikë me gjithë mundin dhe përpjekjet e tyre që të distancohen nga përkatësia e tyre dhe identiteti i tyre fetar, madje në disa raste duke e bërë këtë dhunshëm apo duke u shfaqur ‘më katolik se papa’, respektivisht duke mos u ndalur së hedhuri breshëri akuzash e fyerjesh ndaj atyre që ishin shkak për këtë identitet tonin, megjithëkëtë, mundi i tyre po


shkon huq. Të tjerët nuk po na njohin siç këta po dëshirojnë, apo thënë më mirë janë më transparent me këtë popull se vet paria e tyre. Madje bota perëndimore pikërisht Kosovën dhe popullin e saj i merr si shembull për të argumentuar qëllimet e saj politike karshi muslimanëve, se ata kanë ndihmuar një shtet me shumicë absolute myslimane dhe se vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe tash pas çlirimit. Liderë dhe figura me nam në politikën amerikane dhe evropiane, si ish-presidentët Bush dhe Klinton, ish-sekretarja e shtetit znj. Albright de sekretarja e tanishme znj. Klinton, ish-kryeministri britanik Bleri, e shumë e shumë të tjerë kanë shprehur këtë qëndrim.


 


Nëse Presidentes sonë nuk i pati rënë ndërmend ta vizitoj BI-në për urimet e Bajramit, presidenti amerikan, Obama, nuk kishte harruar t’ia përkujtoj asaj, në fakt ta uroj atë, si myslimane, dhe popullin e saj për këtë festë. Bile ambasadori amerikan në Kosovë, Delli, Kosovën e pati vlerësuar për model të shtetit islamik ku vlerat perëndimore dhe ato islame bashkëjetojnë paqësisht. Madje amerikanët vazhdojnë me këtë klasifikim të Kosovës si shtet islam. Këto ditë, mediat amerikane, respektivisht Huffington Post-i, duke bërë një


përzgjedhje të top dhjetë femrave myslimane më të fuqishme në botë, ndër to përmend edhe presidenten tonë, znj. Jahjaga. Madje atë e radhit paralel me personalitete të mëdha të botës islame, si kryeministret e Bangladeshit dhe Malit dhe femra tjera, që mbajnë poste të rëndësishme. Të gjitha këtu na bëjnë të kuptojmë se Presidentja e vendit tonë njihet në botë si myslimane dhe presidente e një vendi mysliman.


 


Për fat të keq, presidentja jonë, aq sa unë di, kurrë nuk e ka pranuar një gjë të tillë publikisht, madje për të injoruar disi këtë identitet gjen kohë dhe hapësirë për të vizituar kisha e katedrale, brenda dhe jashtë vendit, për çudi edhe në Amerikë, e cila po e cilëson për myslimane, por jo edhe për të vizituar xhamitë në vendin e saj. Ne nuk jemi kundër shkuarjes së saj nëpër kisha, sepse krishterimi është identitet fetar i një pjesë të popullit tonë, por jemi kundër anashkalimit total të komunitetit islam, komuniteti më i madh në vend dhe komuniteti i më shumë se një etnie. Ajo që duam ne dhe që kërkojmë nga lidershipi ynë është që të ndalen së injoruari myslimanët dhe që të mos e fshehin identitetin e tyre të vërtetë, ndryshe do të shfaqen me fytyra që nuk i kanë, me imazhe të huaja, më emra të huaj. Konsideroj se nuk ka diç që mund t’i bëj të turpërohen prej këtij identiteti, përkundrazi. Kërkoj prej tyre, në emrin tim dhe të xhematit islam, që Kosova të prezantohet origjinal ashtu siç është, me këtë kulturë dhe traditë të cilën e kemi trashëguar nga të parët dhe me të cilën shumë mburremi.


 


Jam shumë i bindur se lidershipi ynë politik do të ndërrojnë qëndrimet, ndryshe askujt më keq se vetes nuk do t’ia bëjnë. Nuk do të kenë mundësi kurrë ta fshehin një identitet të varur në qafën e 96% të banorëve të Kosovës. Po kështu nuk do të mund t’i konvertojnë shqiptarët në asnjë fe a ideologji tjetër ngase janë ditët ato që më së miri po argumentojnë se shqiptarët nuk gjejnë dot zgjidhje të problemeve të tyre shpirtërore e shoqërore veçse në Islam.


 


I bëj thirrje lidershipit tonë politikë që të jenë të sinqertë me myslimanët dhe kërkesat e tyre, ngase nëse sot i injorojnë dhe mundohen të shfaqen më katolik se papa, kur të vjen koha e zgjedhjeve dinë të bëhen më mysliman se hoxha. Ne muslimanët vërtetë jemi tolerantë, jemi të hapur për bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë jemi që këtë vend për të cilin kemi luftuar dhe në të cilin kemi të drejta sikur gjithë të tjerët, ta çojmë përpara. Nuk ia kemi mbyllur dyert askujt por le të mos na i mbyllin dyert as neve. Nuk jemi për


imponime, dhunë, shkelje të të drejtave të tjerëve por as antiislamizmin si çakall në emër të lirisë së shprehjes nuk do ta lejojmë. Ka mbaruar koha e komunizmit ndërsa ateizmi veç sa nuk ka perënduar fare. 


Edhe një herë ftoj politikanët tanë që ta shprehin identitetin e tyre islam dhe të punojnë me komunitetet fetare në vend, ngase kështu do të ruhet pafundësisht toleranca për të cilën shquhemi në nivel botëror. Mirë u takofshim javën tjetër!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …