Eqrem Çabej (1908 - 1980)

Dr. Skënder Demaliaj: Akademik, Eqrem Çabej, shkencëtari i madh e mendjemprehtë në shërbim të kombit të vet

Një fjalë e mençur arabe thotë: “Boja e shkencëtarit është po aq e çmuar sa edhe gjaku i martirëve”. Askujt nuk i shkon për shtat më mirë se Akademik Eqrem Çabejit. Studimet e tij të thelluara lidhen me probleme themelore të kombit: me prejardhjen e shqiptarëve, autoktoninë e tyre, me historinë e gjuhës shqipe e të kulturës së shqiptarëve.

Që të bëhesh shkencëtar duhen pesë gjëra: të heshtësh, të dëgjosh, të meditosh, të veprosh dhe të studiosh. Të gjithë këta elementë i gjejmë në veprimtarinë shkencore të tij.

Aftësia shumë e mprehtë dhe e madhe e të vërejturit, të mësuarit si një nga bazat më të fuqishme për zhvillimin e aftësive e të talentit, interesat e gjera dhe të shumta, të menduarit e të gjykuarit kritik, formimi shkencor, mendor, kulturor, moral dhe estetik, pasioni i zjarrtë për të thënë e për të shkruar të vërtetën, intuita shkencore, imagjinata aktive – e bëjnë atë një shkencëtar të madh, mendjemprehtë që dijet e tij i vuri në shërbim të kombit të vet. Fjalimi i tij i mbajtur mbi varrin e Bajo Topullit tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve, jo vetëm për elokuencën, fjalët e zgjedhura për patriotin e madh, por i dha atij certifikatën e atdhetarit që i vlerëson ata që luftojnë e punojnë për Atdheun. Foli në emër të Djalërisë, e cila po e merrte stafetën e rilindësve, duke çuar më tej veprën e tyre e duke ngritur lart e më lart emrin e Shqipërisë. Porosia e tij për nxënësit pas pushtimit italian ishte: “Sa më shumë të jenë njerëzit që e njohin gjuhën shqipe, aq më shumë do të jenë ata që do ta mbrojnë atë nga eliminimi i saj”. Ai konsiderohet nga autoritetet fashiste italiane drejtor i rrezikshëm i gjimnazit të Tiranës, i cili duhet shkarkuar nga detyra, sepse deri më sot nuk ka treguar asnjë shenjë afrimi me politikën fashiste. Refuzimi i detyrës së Ministrit të Arsimit në kohën e pushtimit gjerman e përforcojnë akoma më shumë qëndrimin e tij të palëkundur në mbrojtje të lirisë e të pavarësisë së Atdheut. Në letrën e datës 27.09.1942 drejtuar kryetarit të Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare, ai kërkon të mos jetë anëtar i këtij Instituti, sepse figuron edhe emri i At Fulvio Cordignano, i cili botërisht njihet si armik i rreptë i racës shqiptare.

Artikujt “Kundër pseudofilogëve”, “Për pastërtinë e gjuhës” janë kambanë alarmi për të ruajtur të pastër gjuhën shqipe. Shqetësimet e tij janë aktuale edhe në ditët e sotme. Për të “Gjuha është sendi më i çmuar i një populli dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar! Dhe mos e ngani thesarin me duar tuaja zotërinj diletanta!”

Njeriu i madh, i ditur dhe me interesa shkencore të gjera

Eqrem Çabej është gjuhëtar i madh, hulumtues i të folmeve arbëreshe të Italisë, studiues i autorëve të vjetër: Buzuku e Budi, i folklorit, i letërsisë shqiptare, shqipërues. Intelektual i madh, sepse e kishte formuar fizionominë e vet intelektuale dhe pavarësinë në gjykime, në vlerësime dhe në zgjidhjen e problemeve të rëndësishme për kombin. Si ekspert i dijes në shumë fusha, ai analizoi dukuri të gjuhës shqipe, të letërsisë e të kulturës në mënyrë të paanshme, i pandikuar nga interesi i momentit as i tij si individ e as atyre që kishin pushtet. Servilizmi ndaj pushtetit për përfitime personale e bën të pamundur analizën e paanshme. Interesat e tij shkencore si gjuhëtar kanë të bëjnë me studimin e thelluar të gjuhës shqipe në evolucionin e saj historik, me prejardhjen e kësaj gjuhe ballkanike, vendin ku është folur dhe që zë në familjen e gjuhëve indoeuropiane, marrëdhëniet e saj me këto gjuhë. Është autor i teksteve mësimore: “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, “Fonetika historike e shqipes”, i “Fjalorit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, i studimeve “Parashtesat e gjuhës shqipe”, “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (në bashkëpunim me Aleksandër Xhuvanin). Ka studime rreth etimologjisë së gjuhës shqipe, në fushën e dialektologjisë e të gramatikës historike. Me këto punime ai mbetet një gjuhëtar i papërsëritshëm i shqipes. Teksti “Elementë të gjuhësisë e të literaturës shqipe” (1936), monografia “Për gjenezën e literaturës shqipe” (1939), artikujt “Kënga e Lenorës në poezinë popullore shqiptare” (1934), “Kostandini i vogëlth dhe kthimi i Odiseut” (1937) dëshmojnë për njohuritë e thella të tij në fushën e letërsisë shqipe dhe të folklorit. E veçanta e këtyre artikujve është se ka dhënë mendime të vyera mbi vjetërsinë dhe shtresimin kohësor të këngëve popullore shqiptare, duke nënvizuar pikat e takimeve midis legjendës së Odiseut dhe asaj të Kostandinit. Artikujt e tjerë “Diana dhe Zana”, “Disa figura të besimeve popullore shqiptare” janë modeli i studimeve në fushën e etnografisë. Dua të veçoj artikullin “Disa aspekte të kulturës popullore shqiptare në vështrimin gjuhësor” (1977), ku ai trajton disa çështje themelore të historisë së kulturës popullore shqiptare lidhur me vendbanimin, ushqimet, veshjet, të vështruara e të analizuara këto në lidhje të ngushtë me emërtimet përkatëse në gjuhën shqipe. Pra Akademik Eqrem Çabej është një kontribues real në fushën e studimeve për kulturën popullore.

Shkrimet “Mbi poezinë e Lasgush Poradecit”, “Fan Noli ynë”, “Vatra dhe bota në poezinë e De Radës” janë shembulli se si duhet të zhvillohet kritika letrare në letërsinë shqipe. I thellë në mendime, parashikues i saktë për ata krijues që do ta çojnë në majat më të larta letërsinë shqipe, lakonik dhe mjeshtër i fjalës shqipe mbetet në analizat e tij për letërsinë shqipe.

Libri “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, një ese e shkruar në vitin 1936 është vlerësuar nga studiuesit si një tekst themeltar për kuptimin dhe shpjegimin e historisë dhe të mentalitetit shqiptar. Janë trajtuar elementë të ndryshëm që ndikojnë në formimin e karakterit të një populli dhe të kulturës së tij. Në ese janë përshkruar karakteristikat gjeografike të vendit, është analizuar origjina e emrit të popullit, forcat centrifuge në karakterin shqiptar, si edhe ndikimet e huaja, pra çdo gjë që e bën Shqipërinë një udhëkryq midis Perëndimit dhe Lindjes.

Ka shqipëruar tingëllimën  e Dantes kushtuar Beatriçes, vjershat “Kënga e mbrëmjes” e H. Von Fallersleben, “Një fletë e blertë”, “Hije të rënda”, “Dora e gruas” të Th. Storm. Gjithashtu ka përkthyer nga gjermanishtja romanin për fëmijë “Bambi” të shkrimtarit austriak Feliks Salten.

Mësuesi i Popullit Eqrem Çabej

Eqrem Çabej ishte student në degën e gjuhësisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Vjenës, nga më të mirët dhe me një traditë të vyer. Ishte i shkëlqyer në mësime, njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të huaja. Në moshën 25 vjeçare mori gradën “Doktor” nga universiteti i Vjenës me vlerësimin shkëlqyeshëm. Njohuritë e fituara, metodat bashkëkohore mësimdhënëse dhe mësimnxënëse dhe të kërkimit shkencor, komunikimet e tij të lirshme, miqësore me profesorët, veçanërisht me Norbert Joklin do ta ndihmonin atë për të qenë një mësues i dashur me nxënësit dhe i suksesshëm, fillimisht në Gjimnazin e Shkodrës, pastaj në Normalen e Elbasanit, në Gjimnazin e Gjirokastrës, të Tiranës, shkolla elitë për kohën në vendin tonë. Pas çlirimit dha mësim në shkollën e lartë lëndët: “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, “Fonetika historike e shqipes”, hartues i këtyre teksteve, tekste që janë në përdorim edhe sot. Eqrem Çabej bashkë me pedagogët atdhetarë: Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipoja, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Mahir Domi ishin në ballë të punës për zhvillimin dhe konsolidimin e arsimit të lartë. Shumë prej nxënësve dhe studentëve të tyre u bënë shkencëtarët e ardhshëm dhe e çuan përpara veprën e tyre. Eqrem Çabej dhe bashkëpunëtorët e tij që i përmendëm më sipër janë modeli i mësimdhënësit dhe i kërkuesit shkencor njëkohësisht. Për dekada të tëra ata dhanë leksione në auditoret e universiteteve dhe zhvilluan kërkime shkencore të një niveli të lartë. Gjuhësia shqiptare ishte në pararojë të shkencave të tjera, arriti maja të larta dhe konkuroi me dinjitet me vendet e Ballkanit dhe të Europës. Në sajë të këtyre shkencëtarëve të mëdhenj, qendra e studimeve albanologjike u bë Tirana. Shembulli dhe vepra e tyre është frymëzim për studiuesit dhe shkencëtarët e rinj shqiptarë.

Burri i madh për burrat e mëdhenj

Në shkrimet e Akademik Eqrem Çabejt gjejmë vlerësime për Lasgush Poradecin, Petro Luarasin, Fan Nolin, Aleksandër Xhuvanin, Norbert Joklin, Paul Kreçmer, Maksimilian Lamberc. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Burri i madh vlerëson burrat e mëdhenj. Emëruesi i përbashkët i gjithë këtyre personaliteteve bashkë me Akademikun Eqrem Çabej është: kontributorë të rëndësishëm në studimin e gjuhës shqipe, në zhvillimin e kulturës shqiptare. Intelektualë të guximshëm, me vullnet që mbrojtën të vërtetë dhe vetëm të vërtetën, krijues e studiues, të cilët sollën vlera origjinale në veprimtarinë e tyre shkencore dhe letrare.

Që në vitin 1929 me botimin e vjershave të para të Lasgushit, ai e kuptoi dhe e vlerësoi talentin e tij: “Ç’e ndryshon nga të parët, është thellësia. Është vjershëtari më i thellë që ka shkruar në shqipe… një fat i mirë duket sikur ja ka falur Shqipërisë që të bëhet ai shkrimtar, të cilin Shqipëria do t’ia falë njëherë botës”. Për të patrioti e mësuesi Petro Luarasi nuk është vetëm mësuesi i parë i shkollës shqipe, por ka ndihmuar në historinë e formimit e të zhvillimit të shqipes si gjuhë shkrimi. Ai ka vënë një gur në ndërtesën e gjuhës letrare. Titulli “Fan Noli ynë” shpreh afërsi, ngrohtësi, vlerësim maksimal për Fan Nolin. Është i yni dhe vetëm i yni, s’ia lëmë askujt. Për Çabejin ai nuk është poeti i lartësive etirike, por është shkrimtari i plisit të dheut, është një Ante i letërsisë sonë që i merr fuqitë prej mëmës tokë… Ai na paraqitet si një lis i moçëm e plot gëdhenj, lis i vetmuar, por me rrënjët ngulur mirë në të thellat e dheut.

Profesor Aleksandër Xhuvani është pjesë e kolanës së tij të vlerësimit. E quan “humanist, ndjekës i idealeve më të larta të njerëzimit, një nga ata burra që kanë vendosur nga një gur themeltar në ndërtesën e studimit të gjuhës shqipe nga ana e shqiptarëve”.

E vlerëson Norbert Joklin për mjeshtërinë e madhe, për frymën e re në gjerësi e në metodë, të cilat i dhanë mundësinë të zgjerojë e të thellojë qenësisht njohjen gjuhësore të shqipes. I trishtuar nga vdekja tragjike dhe e parakohshme e tij, ai pohon se puna e këtij dijetari të shquar mbeti e pakryer.

Fjalori etimologjik i shqipes dhe Gramatika krahasimtare e gjuhës shqipe të Joklit mbetën të papërfunduara. Fatkeqësisht këto vepra mbetën të papërfunduara edhe nga Eqrem Çabeji, sepse edhe ky u nda nga jeta para kohe. Kështu nuk mundi ta çojë deri në fund amanetin e Joklit. Edhe Paul Kreçmer ka ndihmuar në studimin e gjuhës shqipe, duke mbrojtur dhe përforcuar mendimin e Gustav Mayer, i cili thotë se shqipja paraqet fazën më të re të njërit nga dialektet e moçme ilire. Shkrimet e tij, të bazuara në një material të pasur janë vlerësuar nga Eqrem Çabej.

Duke u ndalur në monografinë e Maksimilian Lambercit për ciklin e këngëve të Mujit e të Halilit, pra të këngëve të kreshnikëve që këndohen në Veri të Shqipërisë, Profesor Çabej thekson: “Ky studim shquhet për paraqitjen e gjallë të atmosferës, ku lëvizin figurat epike. Në anën tjetër të habit analiza e thellë dhe e gjithanshme që i bëhet mjedisit shqiptar nga kanë dalë këto këngë, mjedis që autori e njeh më së miri”.  Gjithashtu, Lamberc në pjesën e dytë të librit të tij ka përkthyer në gjermanisht 19 rapsodi, të cilat i japin mundësi botës të njohë drejtpërdrejt eposin popullor shqiptar. Kjo e gëzon pa masë Çabejin, sepse me anë të këtij studimi poezia epike shqiptare hyn dhe zë vendin e saj brenda poezisë së popujve të tjerë të Evropës.

Akademiku Çabej gëzohet pamasë kur dëgjon fjalë të mira për shqiptarët, hidhërohet kur hedhin baltë mbi ta. Pena e tij e mprehtë dhe mëndje-ndritur i godet pa mëshirë, me argumente, me objektivitet e realizëm. Është kjo arsyeja që e themi me krenari, me bindje, me plot gojën: “Ai ishte dijetari dhe njeriu i madh i shqiptarëve”.

Kontrolloni gjithashtu

Isuf Ismaili: Një melodi e ëmbël e shqiptarësisë sonë në Lugano të Zvicrës

Isuf Ismaili: Një melodi e ëmbël e shqiptarësisë sonë në Lugano të Zvicrës

(Manifestim kulturor e artistik nga vatra “Shkolla Shqipe” Ticino,  për 7 Marsin – Ditën e …