Kur isha fëmijë në shtëpinë tonë vinte shpesh Selim Zenun Malaj, babai i Nuredinit. Një burrë atdhetar, orator, me një kujtesë të veçantë dhe shumë shakaxhi. Jetoi një shekull. Kur nipi i tij për ditëlindje e uroi të bëhej 100 vjet, Selimi me seriozitet, por edhe me shaka i tha: “Sa shumë më dashke, unë edhe për dy vjet bëj 100”. Të gjithë qeshën dhe e uruan të jetonte sa më gjatë. Bashkëshortja e Selimit ishte kushërirë e babait. Selimi shkonte shumë mirë me djemtë e Haxhi Mehmetit. Respektin dhe mirënjohjen për ta e kishte përcjellë edhe te djemtë e tij. Me krenari të ligjshme ata deklaronin se jemi stërnipa të shtëpisë së Haxhi Mehmetit. Rasti e solli që Nuredini erdhi në vitet `70 shef i shëndetësisë në Brigadën e Këmbësorisë në Tropojë. Xhaxhai im, Shabani u mjekua për një sëmundje të rëndë të pashërueshme, me pak shpresa për jetën. Ai vendosi që ditët e fundit t’i kalonte në vendlindjen e tij, në Pac. Kur ai erdhi, mjeku Nuredin Malaj vinte çdo ditë në Pac për t’i dhënë ndihmën mjekësore. Në shtëpinë tonë u vendosën aparatura mjekësore dhe u caktua edhe një infermier në dispozicion të tij 24 orë, Zeqir Mulgeci. Ishte ky momenti që unë e njoha nga afër Nuredin Malajn. Marrëdhëniet e mia me të vazhduan, por ato u përforcuan, veçanërish pas viteve `90, kur unë erdha në Tiranë. Takohesha shpesh me të, pinim kafe, bisedonim për çështje të ndryshme. Ishte i këndshëm, me humor, i sjellshëm, intelektual i vërtetë.
Nuredin Malaj lindi më 3 janar 1940. U nda nga jeta, më 1 dhjetor 2011. Është titulluar oficer në vitin 1959. Punoi fillimisht ndihmësmjek në nëndetëset në bazën detare të Pashalimanit. Mbaroi fakultetin e mjekësisë dhe u emërua shef i shëndetësisë në Brigadën e Këmbësorisë në Tropojë, më vonë në Korpusin Pukë, komandant i Shkollës së Lirë Mjekësore Tiranë, instruktor dhe pedagog në shkollat ushtarake, në drejtorinë e Shëndetësisë në Ministrinë e Mbrojtjes, shef i shëndetësisë në Divizionin e Tiranës dhe shef shërbimi i Përgatitjes dhe Gatishmërisë Shëndetësore në Spitalin Ushtarak. Dha ndihmën mjekësore në fushën e luftës, për luftëtarët e UÇK-së në vitet 1998-2000. Ndihmoi në modernizimin dhe standardizimin e mjekësisë fushore, si një nga më të vështirat dhe të domosdoshme në mjekësinë ushtarake dhe në sigurimin shëndetësor të trupave. Doli në pension në vitin 2001. Është dekoruar më shumë Urdhëra dhe medalje pune. Është “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Bajram Currit. Një rrugë në Laprakë, ku ai i kaloi vitet e fundit të jetës mban emrin e tij.
- Mjek i palodhur dhe i përkushtuar në shërbim të njerëzve
Në thelb, misioni i mjekut shkon përtej një profesioni të thjeshtë. Ai është një angazhim mjekësor për të zbutur dhimbjen njerëzore dhe për të mbrojtur jetën me profesionalizëm dhe integritet. Mjekësia është shkenca dhe arti që prek jetën me dije, me shpirt e me shpresë. Mjekësia është përkujdesja dhe trajtimi shëndetësor për të gjithë, nëpërmjet integrimit në një sistem të vetëm të nivelit më të lartë të profesionalizmit, të arritjeve më të larta të shkencës dhe të teknologjisë, si dhe duke u udhëhequr nga parimet më të larta të humanizmit. Pjesë e këtij sistemi ishte edhe mjeku Nuredin Malaj. Pra mjekësia nuk është vetëm një profesion, por një mision i shenjtë për mbarë shoqërinë, një betejë e përditshme për të parandaluar dhe trajtuar sëmundjet dhe për të shpëtuar jetë njerëzish. Ky profesion kërkon përkushtim, punë të palodhur dhe një shpirt të lartë njerëzor. Të jesh mjek do të thotë të përballesh çdo ditë me vuajtjen, por edhe me shpresën, të kërkosh dije të reja, t’i duash dhe t’i ndihmosh njerëzit në momente të vështira e kritike për jetën. Të gjitha këto cilësi dhe virtyte i kishte mjeku Nuredin Malaj dhe i shpalosi në punën e tij të përditshme dhe në marrëdhëniet me njerëzit.
Studjo, guxo, eksperimento dhe shëro – ishte motoja e punës së tij. Ishte mik i librit. Frekuentonte rregullisht bibliotekat, blinte libra nga literatura mjekësore. Ishte dhe mbetet i vërtetë në gjithë veprimtarinë e tij si mjek dhe si njeri, në përditësimin e njohurive përmes leximit sistematik. Ishte njerëzor, serioz, duke iu dhënë të sëmurëve, jo vetëm analiza dhe barna, por kurajo, vullnet, shpresë dhe dashuri për jetën. I besonte forcës së faktit, që do të thotë të kuptosh se është urgjente nevoja për të marrë një vendim në kohën e duhur. Të krijosh një perceptim për atë çfarë do të bësh në të ardhmen. Pikërisht mbështetja në fakte, në raste të përditshme e ka ndihmuar dhe orientuar të gjejë drejtimin e duhur, zgjidhjen më të mirë. Kredibiliteti i drejtuesit lidhet me dy faktorë: kompetencën dhe besueshmerinë. Të dyja këto i gjejmë te Nuredin Malaj. I besonin se punonte për të mirën e njerëzve dhe ishte në dispozicion të tyre. Përballoi sfida të mëdha, punë intensive, ditën e natën, në zona të thella malore, pati momente lodhjeje, u ndesh me raste të vështira në repart e jashtë tij, por nuk u dorëzua. “Ndihesh mirë, i qetë dhe i lumtur kur ke ndihmuar njerëzit të shërohen e të jetojnë më gjatë” – thoshte Nuredini. Figura e tij si mjek rrezatoi mirësi e profesionalizëm.
Puna e tij si pedagog dhe në Spitalin Ushtarak të Traumave në Tiranë e ndihmoi të arrijë një standard të ri në fushën e mjekësisë. Ky institucion shëndetësor të krijon mundësi për veprimtari studimore, kërkimore dhe shkencore, të ndihmon në studimin, përpunimin dhe botimin e doktrinave, manualeve dhe materialeve të tjera për mbështetjen shëndetësore në funksion të edukimit shëndetësor të efektivave dhe personelit shëndetësor të Forcave të Armatosura. Nuredinit iu dha rasti dhe e shfrytëzoi me sukses këtë mundësi.
- Jo vetëm i aftë profesionalisht, por edhe menaxher i suksesshëm
Mjeku Nuredin Malaj, siç e thekova edhe më lart pati edhe funksione të larta shtetërore në sektorin e shëndetësisë, në nivel Brigade, Korpusi dhe Ministrie. Ai u dallua si menaxher i suksesshëm, në përcaktimin e objektivave dhe koordinimin e punëve brenda dhe jashtë strukturave ushtarake. I aftë për atë që do të bënte, por edhe për të ndihmuar dhe trajnuar të tjerët.
Menaxhimi është një proces që përfshin një sërë veprimtarish të pandërprera, që kërkon përqendrim, aftësi teknike, ndërpersonale, aftësi konceptuale. Kërkon veprimtari të lidhura me detyrën, me njerëzit, veprimtari që lidhen me ndryshimin, strategji të reja, vizion të ri, marrjen mbi vete të rriskut për realizimin e ndryshimit. Ndryshimi është një proces dinamik, i cili përfshin shumë elemente të ndërvarura dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Boshti i ndryshimit qëndron në mënyrën sesi e përballon secili realitetin. Ndryshimi është një fakt i jetës, përndryshe do të zhvillohet një shoqëri statike. Të arrish të realizosh ndryshimin në punë e pozicionin që ke kërkon kujdes, përkushtim, pasion, si edhe njohuritë intelektuale të nevojshme. Të gjitha këto cilësi i kishte Nuredin Malaj. Ai ishte njeri i ndryshimit, që ndryshoi veten, por edhe të tjerët. Lider në grup, i aftë për të organizuar punën në grup, për të shpërndarë përgjegjësitë e për të menaxhuar burimet njerëzore. Kjo metodë pune ndikon edhe në aspektin psikologjik të anëtarëve të grupit. Ata ndihen më të sigurtë e për rrjedhojë janë edhe më të motivuaar dhe bashkëpunues. Kështu krijohet mundësia që secili të japë ndihmën e tij në realizimin e detyrave, duke përfitur më shumë edhe nga njëri-tjetri. Nuredin Malaj dha përvojën e tij te bashkëpunëtorët, por edhe përfitoi prej tyre. Puna në grup krijon mundësi të reja për të përvetësuar stile të ndryshme komunikimi. Duke vepruar kështu, komunikimet janë më të natyrshme, më të lirshme, më të shpeshta, larg ironizimeve e banalizimeve. Po kështu edhe diversiteti i mendimeve vlerësohet si pasuri në komunikim. Një metodë e tillë pune rrit iniciativën dhe përgjegjësinë e të gjithëve. Përvoja botërore ka treguar se suksesi arrihet kur punët realizohen me njerëz me një vështrim të përbashkët dhe realizimit të zotimeve të ndërsjellta. Kohët moderne dhe shoqëritë moderne kërkojnë menaxhim shkencor të shoqërisë, me barazi dhe drejtësi. Nuredin Malaj ishte njeri i ditur, i drejtë, i thjeshtë, i dhënë pas punës, jo pas privilegjeve dhe vlerësimeve të pamerituara. Nuk rendi pas parasë edhe pse pozicionet drejtuese që kishte ia krijonin këtë mundësi. Frederik William thoshte: “Në një vend, ku mendja dhe kultura i jep prioritet parasë, ta dini se xhepat thyhen dhe mendjet zbrazen.”
Nuredin Malaj besoi te suksesi dhe e arriti atë. Pas çdo arritjeje ishte përsëri i pakënaqur, synonte dhe vepronte për më shumë sukses. Nga vit në vit u rit personaliteti i tij. Pati aftësinë për të qenë personalitet magnetik me njerëzit që punonte. Në mënyrë të thjeshtë, por kuptimplote e ndryshoi metodën e punës, duke e bërë atë më koherente me vlerat e tij themelore. Vendosmëria dhe mundësia e zhvillimit u përputhën më njëra-tjetrën. Ishte modeli i kontrolleve të gjithanshme, të thella, konstruktive. Nuk merrej me vogëlsira. Mbi të gjitha ndiqte në vazhdimësi detyrat e lëna. Përfundimi i një kontrolli shënonte fillimin e kontrolleve të tjera, që lidheshin drejtpërsëdrejti me realizimin me cilësi e në kohë të detyrave të lëna. Ishte transparent dhe i sinqertë, i hapur për të thënë çfarë funksionoi mirë e ku u gabua, çfarë duhej bërë për korrigjimin e të metave. U fokusua mbi arritjet, jo mbi normat si diçka të palëvizshme e të përjetshme.
Epilogu
Familja e Nuredin Malajt bëri emër në katër breza dhe zë vend nderi në rregjistrin themelor të familjeve të njohura në Malësinë e Gjakovës për atdhetarizëm, dije, fisnikëri, besë e bujari. I kaloi nga brezi në brez pritshmëritë.
Rrugën e hapi Selim Zenun Malaj – brezi i parë, i luftës dhe i punës, nëpunës inteligjent, me vullnet dhe i vendosur. Pastaj vijnë djemtë e tij, Nuredini dhe Xhevdeti, të dy “Qytetarë Nderi” të Bashkisë së Bajram Currit. Ky është brezi i dytë. Respektin dhe dashurinë që ata patën për prindërit e tyre i transmetuan edhe te djemtë, nipat dhe mbesat. Kjo vlerë ishte e shenjtë për ta. Brezi i tretë përfaqësohet nga Petrit Malaj, i cili bashkë më bashkëshorten dhanë mësim në Universitetin e Arteve në Tiranë, ku Petriti ishte dekan dhe rektor, aktor me një seri të gjatë filmash. Aktualisht është Ambasador i Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Dy djemtë e Petritit, Erioni dhe Darti – brezi i katërt mbaruan studimet e plota universitare në Itali me rezultate shumë të mira. Erioni është deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Nuredini ishte modeli i bashkëshortit dhe i prindit. Falë mbështetjes së bashkëshortes së tij, Elidës u ndie i qetë dhe komod në realizimin e punëve dhe detyrave të tij. Bisedonte lirshëm me fëmijët, me nipat dhe mbesat, argëtohej bashkë me ta, i vlerësonte, kur ata shprehnin me sinqeritet problemet dhe shqetësimet e tyre, i lavdëronte kur bënin diçka të mirë, e repsektonte privatësinë e tyre, u jepte liri mendimi, i këshillonte e i ndihmonte si të përmirësoheshin, i vlerësonte idetë e tyre. Nuk bënte dallime të fëmijët, djalë apo vajzë, nip apo mbesë. Siç shprehej dhe vetë ai, më shumë nga të gjithë e donte vajzën.
U shoqërua me njerëz që të ndihmojnë të mendosh ide të reja, me njerëz të interesave të ndryshme profesionale dhe shoqërore. Ia shtoi vlerat gjërave, vetes dhe njerëzve të tjerë. Kombinoi dijen me dëshirën ta transmetonte atë edhe te të tjerët, aftësinë e të menduarit me aftësinë e memorizimit të fakteve. Pranoi shansin e dhënë për të bërë më shumë dhe u përqendrua se si do ta bënte më mirë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
