Drama, “Shtëpia në ankand”, shënon një sukses të radhës të dramaturgut dhe regjisorit të njohur, Fadil Hysaj

Premiera e shfaqjes ”Shtëpia në ankand”, e cila u dha në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Prishtinë, shënon një sukses të radhës të dramaturgut dhe regjisorit të njohur, Fadil Hysaj, i cili deri tani ka vënë në skenë  47 shfaqje teatrore dhe ka shkruar 15 drama.


Drama,  “Shtëpia në ankand” e regjisorit Fadil Hysaj  trajton një temë aktuale të realitetit të përditshmërisë sonë, në kushte dhe rrethana të një shthurjeje morale e shoqërore, e cila rrjedhë si pasojë e mbretërimit të raporteve konfliktuale, jo vetëm brenda një familjeje të caktuar, sikur është me këtë rast familja Kelmendi, por edhe të marrëdhënieve  të përgjithshme politike e shoqërore, që po mbretërojnë aktualisht në Kosovë.


Drama në paraqitje ka një syzhe të thjeshtë, një rrëfim nga përditshmëria, që i ka dhënë lëndë të mjaftueshme dramaturgut për të vënë përballë realitetit një botë, që po shembet dhe po tret buzë greminës dhe degjenerimit, në kushte dhe rrethana kur morali patriarkal po thuajse po jep shpirt, ndërsa morali i ri, modern, evropian, paraqitet edhe me anën e shëmtisë dhe degjenerimit, që ka prekur palcën e familjes në vendin tonë, pavarësisht prejardhjes së saj patriarkale, tradicionale. Për të pasqyruar këtë botë në shthurje e sipër, dramaturgu ngjarjen e vendos në një familje tipike të kohës, e cila mundohet të mbijetojë, ashtu si mundet dhe si di. Konflikti në këtë dramë vendoset mes raporteve të vëllezërve, që jetojnë në një shtëpi, dhe të cilët bëjnë përpjekje  të mbijetojnë secili në mënyrën e vetë, por në mungesë të  shprehur të  harmonisë së duhur të marrëdhënieve vëllazërore, brenda-familjare.


Nderimi, është një politikan sikur i rënë nga vakti, por i lidhur emocionalisht me zyrtarët ndërkombëtarë, ndaj të cilëve shpreh një servilizëm të neveritshëm, duke i konsideruar si mbizotër. Në anën tjetër vëllai i tij, Fitimi, është një përfitues  i paskrupull, një mashtrues i zhytur në borxhe, një imoral që shfrytëzon bashkësinë familjare për interesa të veta të ulëta. Me qëllim për ta kompletuar një familje të tillë tipike, dramaturgu, dy vëllezërve, Nderimit dhe Fitimit u vë përballë edhe dy vëllezërit e tjerë, njëri invalid i luftës dhe tjetri, Veba i shpallur i “çmendur”, për shkak se merr guximin ta thotë të vërtetën, e cila nuk zë vend, as merret fare seriozisht në një familje ku mbretëron, amoraliteti, shfrytëzimi, rrojtja mbi kurriz të njëri- tjetrit, servilizmi dhe vaniteti jetësor. Pikërisht për këtë, vëllai i madh, Nderimi,  e izolon dhe e dërgon një spital të çmendurish, me qëllim që të mos ia rrezikojë familjes marrëdhëniet me zyrtarët ndërkombëtarë dhe jetesën në batakun ku ka rënë dhe nga ku nuk mund të ngihet.


Këtij realiteti të shëmtuar, autori i vë përballë edhe zyrtarin e dikurshëm të UNMIK-ut, z. Gonzalo, i cili rikthehet po me atë mision, por tani në kuadër të EULEX-it. Ai fillimisht ka banuar në shtëpinë e vëllezërve Kelmendi, ndërkohë që sërish kthehet, tani duke marrë në shfrytëzim një kat të shtëpisë. “ Vendoset në të njëjtën shtëpi si dhjetë vite më parë dhe katin ku do të banojë e shndërron në zyrë pune ku e punëson si sekretare Artën, vajzën e pronarit të shtëpisë sikurse nënën e saj (Haven) dhjetë vite më herët. I zoti  shtëpisë Nderimi, i bindur se duke i ofruar mikëpritje Gonzalos bënë gjënë e duhur për çështjen e Kosovës, zbret me familjen e tij të banojnë në katin poshtë te babai dhe dy vëllezërit e tij. Gjendja acarohet më shumë kur në shtëpi vjen Veba , vëllau i tretë i Nderimit i cili ikë nga spitali neuropsikiatrik dhe si pronar i katit ku është vendosë Gonzalo kërkon prej tij t’ia lirojë katin e tij. Nderimi, për ta ruajtur raportin miqësor me Gonzalon thërret spitalin që të vijnë ta marrin Vebën. Duket se më në fund qetësia vendoset serish në shtëpinë e Nderimit, vijnë njerëzit e bankës dhe lajmërojmë se shtëpia e tyre do të dalë në ankand shkaku se Fitimi, vëllai i Nderimit nuk e ka paguar pjesës më e madhe e kredisë. Gonzalo për të “shpëtuar” familjen e Nderimit të mos ngele në rrugë shpreh gatishmërinë ta blejë shtëpinë e tyre nga banka me zotimin se ata do të mund të vazhdojnë të jetojnë aty pa qira derisa  ta blejnë shtëpinë prej tij”.


Gonzalo, përshkruhet me tiparet e një pushtetari të gjithëfuqishëm i cili shfrytëzon mikëpritjen e një shqiptari fodull, që beson verbërisht në ndershmërinë e mikut ndërkombëtar, edhe pse ai është e kundërta e nderit dhe moralit, ai është përfitues dhe shfrytëzues e fondeve ndërkombëtare, të cilat i keq përdor për qëllime individuale dhe karrieriste.


Duke ballafaquar personazhet, që ka nxjerrë nga realiteti faktik i kohës, në të cilën po jetojmë, dramaturgu, Fadil Hysaj ka arritur t’i përshkruajë me besnikëri dhe realizëm plagët tona shoqërore, që ka shkaktuar robëria shekullore dhe që aktualisht po i shkaktojnë edhe mujsharët e Evropës, me qëllim për të krijuar një komb hibrid, në Kosovë, anacional, të pandjeshëm kombëtarisht dhe të ngatërruar  në vetveten e tij në mungesë perspektive, duke frenuar me qëllim zhvillimin e ekonomik dhe duke e kushtëzuar atë me pranimin pa kusht të rendit të  ri, i cili thirret në vlerat evropiane, në fshirjen nga truri të së kaluarës dhe në klonimin e një njeriu të ri, me identitet të quajtur “evropian”, i cili do të jetë amorf dhe i pa perspektivë, ashtu  sikur ish-identiteti jugosllav, në vitet ’80 të shekullit XX.


 


Marrë në tërësi, drama “Shtëpia në ankand” është realizuar në mënyrë brilante, në të gjitha segmentet, që përbëjnë një tërësi krijuese, qoftë për nga tema e  trajtuar dhe e  zgjedhur  me afinitet nga aktualiteti, që ka bërë dramaturgu, Fadil Hysaj, pastaj loja e përkryer e aktorëve, të cilët kanë krijuar individualitete origjinale të një niveli mahnitës, ku secili spikat veçantitë interpretuese, të përmbushura me dinamizëm, plasticitet dhe afinitet skenik. Roli më kompleks dhe më i vështiri për t’u realizuar ka qenë ai i Vebës. Aktori ka arritur të demonstrojë me një fuqi mahnitëse një personazh tejet kompleks, te i cili, ai ka depërtuar në të gjitha poret shpirtërore. Interpretimi i tij brilant, dinamik, fjalori i pasur dhe tejet ekspresiv, lëvizjet e harmonizuara në skenë, gjendja shpirtërore me hope emocionesh shpërthyese, karakteristike për persona të tillë me dinjitet të fuqishëm, por të nëpërkëmbur nga familja dhe shoqëria, paraqitja diskrete dhe tejet e motivuar në skenë,  lënë mbresa të një aktori, që ka arritur të prek majat e aktrimit, para spektatorëve. Me një trupë të tillë interpretësh të skenës, Kosova lirisht mund të konkurrojë në skenat teatrore të rajonit e pse jo edhe të Evropës. Shfaqjen e kanë begatuar edhe skenografia e përzgjedhur dhe e realizuar me kujdes, kostumografia dhe përzgjedhja muzikore.


“Shtëpia në ankand” është mirë të shfaqet kudo në qytetet e Kosovës dhe në trevat shqiptare, në mënyrë që shqiptarët  ta shohin dhe ta “prekin” nga afër, atë anën lakuriqe dhe të shëmtuar të jetës, të asaj jete, e cila në një mënyrë ose tjetër është e pranishme në shumicën e familjeve tona urbane, edhe pse, shumica prej nesh kemi prirje të lindur për ta fshehur dhe për ta paraqitur ndryshe. Kjo madje hetohet edhe në dramë, ku kreu i familjes sikletoset për së tepërmi, me faktin se “miku i huaj” po i zbulon mosmarrëveshjet dhe shthurjen, që po u ndodh në familje, duke menduar dhe besuar se ai vjen nga një mes i emancipuar dhe shumë i kulturuar.


Regjisori dhe dramaturgu, Fadil Hysaj, ka dëshmuar se i njeh, i kupton dhe di t’i  trajtojë në mënyrë krejtësisht realiste, plagët shoqërore të kohës përmes mundësisë, që ofron arti, në këtë segment skena. (A.Q.)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …