Dr. Zenun Gjocaj: Drejt shtegtimeve të reja e më të thella poetike

(Me rastin e botimit të librit “Shpirtndrituri” i autorit, Mehmet Bislimi)


 


Nga shkaku i veprimtarisë atdhetare, përndjekjes dhe vuajtjes së dënimit nga pushtuesi sllav, sa i përket veprimtarisë letrare, M. Bislimi, megjithatë, e arriti hapin e kohës. Në mënyrë intensive me veprimtari artistike ai u mor që në vitet tetëdhjeta, sidomos kur u deshtë të mërgohet në Zvicër, nga shkaku i përndjekjeve të pushtuesit, ku jeton edhe sot e kësaj dite. Shkrimet e para të tij botohen së pari në “Bota e re” më 1986. Ndërkaq, me botime veprash, filloi që në fillim të këtij shekulli, pikërisht më 2002, ku pothuaj për çdo vit botoi nga një vepër të zhanrit të ndryshëm, sidomos poezisë.>>>


 


Veprat e tij poetike shprehin veçoritë e botës së modeluar poetike, përdegëzimet metonimike të shprehjes evokative, një imazh magjeps të hapësirës lirike. Te fundi, edhe shkrimtari Borges e dokumentoi se vetë imagjinata e poetit është poetike.


Në poezitë e tij, në përgjithësi, M. Bislimi shquhet për intuitë të veçantë krijuese, intonim të theksuar lirik, të thurura përmes një shprehjeje të kursyer lakonike. Andaj, konteksti i tij lirik e lakonik zgjon asociacione të ndryshme kuptimore-metaforike, gjithnjë më të thelluar në krahasim me përmbledhjet e më parme, ku fshehtësia e magjisë dhe domethënia e verbit nuk mund të rroket gjithaq lehtë.


Poenta kryesore e mesazhit poetik të autorit, apo parimi bazë krijues i tij, është lidhja e fortë emocionuese me atdheun, kohën dhe realitetin. Në këtë kontekst, shpirti i poetit përmban poezinë e jetës tjetër, që përthyhet nëpër artin poetik. Përmes kësaj, autori shpalos metaforën e mendësisë më tej se etnike.


Si pjesëmarrës aktiv i lëvizjes çlirimtare, që e vuajti më lëkurë, në poezi autori e shpreh dramën kombëtare nëpër shtërgata shekujsh, ku shfletohet historia e këtij trualli etnik dhe stuhia e saj simbolike. Kështu në ciklin “Madhështia e yjeve” ai poetikisht i skalit ca figura dhe çerdhe të rëndësishme historike kombëtare që kryen funksionin triumfues ose gjenden ende në shkallëzimin e mëtejshëm të piedestalit historiko-etnik, siç ishte heroi legjendar A. Jashari, Remzi Ademaj, Luan Haradinaj, pastaj, Kruja, Vlora, “Çamëria”, Prishtina (“Hyrje në Pranverë”) etj., ku pos tjerash, M. Bislimi e poetizon legjendarin Adem Jashari, “me syrin pishë e zemrën prush”, ky hero:


 


 


”…më i bukuri yll gjithësie


kërthizë e atdheut lidhur nyje


mbaje fort në gji birin tënd


si lum për ty Shqipëria nënë!”


 


pastaj: Remzi Ademin / Petrit Kodrën, që “tokës sonë arbërore / përjetësisht / po i bëjnë dritë”, mandej “pas kushtrimit / gjithë një zëri/ Luan ishte vetëm njëri”, është kjo gjetje e papërsëritshme e autorit për Luan Haradinajn, si dhe qindra dëshmorë tjerë që nxorën Kosovën nga kthetrat e bishës serbe.


Vetë brumi i poetizuar në këtë përmbledhje, nxjerr në shesh metaforën epike të një lloji të veçantë, si risi në poezinë tone, siç është poezia “Ndër shekuj”, ku “pushtuesi e ka ngrënë kokën e vet”, pastaj si në ëndërr, ku vëllai e mban besën e dhënë motrës, motiv ky i zgjeruar në poezi folklorike, artistike dhe në prozën më bashkëkohore, sidomos te I. Kadare, pastaj “Vatër krenare”, “Rreze dielli”, “Pika loti”, “Hyrje në pranverë” (shpërthimi i demonstrative në Kosovë më 1981-9), pa i lënë anash edhe plagët po aq të mëdha, siç është “Çamëri”, “Vlora” etj. Të gjitha këto me synime të realizimit të aspiratës shekullore për një Shqipëri etnike, të përmbyllur përmes Krujës skënderbejane, Lidhjes shqiptare me seli në Prizren, Vlorës, Prishtinës së 81-shit, dhe së fundi Prekazit, të reflektuar përmes udhëtimit të flamurit me buzë në gaz. Aty shpaloset edhe harta metaforike e dhembjes së lashtë iliro-dardane, dinjiteti lirik përballë dramës së etnisë, duke krijuar situata të përthyera përmes fitores së jetës ndaj vdekjes metaforike, deri te rrezet e diellit që s’e lënë poetin të vdesë, pa i parë ato. Andaj, sipas poetit, ende nuk kanë dalë rrezet e vërteta të lirisë, përderisa: “…gjaku im / Preshevë / Medvegjë / Bujanoc / Çamëri / Ulqin,  janë krenari e gjallë, që presin ditë më të mira në hapësirën  etnike; atje ku:


 


 


këngës ia thotë shqiptari …


ku ka jetuar i pari


i rrënjës sonë të patretur


i rrënjës sonë të vjetër


nga Ulqini në Janinë


nga Medvegja në Prishtinë


 


 


(Vatër krenare)


 


 


       Janë këto disa nga tufat subjektive të strukturës poetike të veprës së M. Bislimit, ku sitet drama tronditëse e përsëritur ndër shekuj, e fiksuar në hapësirën e fatit. Pos tjerash, bie në sy se autori sikur e njeh mirë pafundësinë e ëndrrës etnike, përgjithësisht njerëzore. Si i tillë, ai i shfrytëzon me mjeshtri nuancat më të rralla të fjalës e shprehjes poetike, të shkrira në një simbiozë metaforike.


       Në vazhdim bie në sy një shkallëzim më cilësor i nervit poetik të autorit në shkallë refleksive, një peshë më e matur shprehësie poetike. Në ciklin: “Urtarë mjekërbardhë” autori, pos tjerash, e modernizon shprehësinë e ideve poetike të “Shqypnisë së robnueme” të Vaso Pashës, e shkruar gati një shekull e gjysmë më parë, duke u bazuar se na ka bërë një nënë. Nuk është motiv i përsëritur apo i vjetruar. Vetë mosrealizimi i dëshirave të kërkuara kombëtare për një Shqipëri etnike që atëherë, fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite, është e pakryer. Andaj, pothuaj, të gjitha poezitë e këtij cikli i shërbejnë bashkimit shpirtëror e kombëtar në kornizat e së drejtës dhe të vërtetës njerëzore, se “s’ka gjë më mirë / kur s’kemi përse të frikohemi nga e vërteta e guximi / për t’i thënë gjërat me emrin dhe mbiemrin e vet. (E gjeta). Sipas poetit, kjo është “Bujari njerëzore”, madje edhe kur ata gjithçka dhanë për të tjerët dhe ndërruan jetën me lirinë, për ta gëzuar të tjerët (Botë e përtejme)


       Aty haset malli i kursyer për atdhe, sepse, sikur autori duket se është shfryrë në përmbledhjet e më parme, por edhe pse i duket se nostalgjisë tashmë i ka kaluar koha, tani në kushtet e komunikimit bashkëkohor. Megjithatë, paksa prekëse, metaforike është edhe poezia “Të urtës nënë”, që mbetet në pritje për t’iu kthyer bijve të vet. Është një mall i metaforizuar i dhembjes së gjatë shekullore përcjellë me gjak e lot.


       Autori di ta gdhend vargun e metaforën me një mjeshtri të rrallë poetike. Ai tashmë e ka kapërcyer pragun e sprovave dhe e ka formuar individualitetin e vet poetik, me shtyllat: Zanoret e bardha, Malli i përflakur, Lirikat e fjetura, Tingulli i gërvishtur dhe së fundi Kumbim kambanash, të përcjella me kontekstin e frymëzimeve poetike.


       Poezia e M. Bislimit vjen nga zjarri i zemrës, gërshetuar me realitetin jetësor dhe e shkrirë me metaforën e këndshme të stolisur me fshehtësitë e shpirtit të shprehur përmes tablosh poetike të kohës, jetës dhe të poezisë. Kështu:


 


 


burrat e motit


fjalën e dhënë për liri


nuk e mohuan,


me gjithë sakrificat.  


                                               


(Sprovë)


 


 


       Madje, as sot e kësaj dite, ata burra unin e vet nuk e qesin në lojë (Nuk erdha). Jepet një laryshi e begatshme temash poetike e pikturimesh shpirtërore të skalitura me mjete të pasura stilistike-poetike. Poezia e tij bulon atje ku syri i mprehtë i frymëzimeve shpirtërore vlon jo vetëm përmes  reflekseve patriotike, por për të gjitha rrezet jetësore që e freskojnë lirinë njerëzore, madje edhe e shërojnë nga mungesat jetësore-kombëtare. Kështu, poeti thur lirika të së sotmes, qofshin ato të këndshme a të hidhura për kohë dhe njerëz, gjithnjë duke kërkuar zgjidhjet fatlume, përkundër poezisë së Rilindjes, ku kryesisht kishin melodi vajtuese, duke mos kërkuar gjithaq shtigje për të dalë nga ajo amulli, me ca përjashtime te Naimi, Çajupi etj. 


       Vargjet poetika të M. Bislimit kanë një figuracion të pasur poetik e stilistik, mjaft të kursyer, të cilët me të shprushur, qesin flakë. Janë poezi të motivuara e të frymëzuara, që burojnë nga thellësitë e shpirtit dhe shkrihen në frymëmarrjen e kohës, madje dhe më tej se në truallin arbëror.               


       Shpirti poetik e atdhetar i poetit është i shkrirë në universin njerëzor të qenies kombëtare që synon tani një formësim të ri artistik e kombëtar, përgjithësisht njerëzor, kur kombi ende gjendet në një kryqëzim të një rendi të ri shoqëror ende të pakompletuar, ndërsa i kërkohet të mos e kthejë kokën prapa, me gjithë copat e lëna jashtë truallit, për të hyrë e për t’u shkrirë në vallen e madhe të një bashkësie me mungesa gjymtyrësie tokësore, kombëtare, shpirtërore etj. Për këtë, poeti porosit:


 


 


kohë dhe njerëz


ngritni zërin


mos heshtni kur gjëma mbi tjetrin bie


kur ngriheni në mëngjes


thoni me sa zë keni


o qafën e theftë


kurrë mos paftë ditën e vet


bukë e besë shkelësi


 


 


(Zërin e ngrita)


 


       Ndërkaq, kjo pritje e gjatë shekullore, “… atë ditë / kur tek kjo derë / do bëhet i zoti / …do thahet loti (Pritje). Realiteti i sotëm na tregon se ende jemi me sy të përlotur, por poezia po tregon rrugën e daljes nga kjo përlotje.


       Pos tjerash, vetë malli i përflakur edhe si cikël më vete, sipas poetit, është rrjedhë e një gjendje jetësore kombëtare në rrugëtim të dhimbshëm, që kërkon një kahe të përskuqur edhe për të tjera dhembje. Prej këndej poeti na tregon “Portën e përgjakur”: “…po kthehemi të përgjakur me lëmshin e mbledhur në grykë / po rikthehem / unë birit yt i tretur / flokë bardhë  / e plak me mjekër / po kthehem tek pragu yt / me lëmshin e mbledhur në grykë…” (Porta ime e lashtë)


       Në ciklin e fundit “Kumbim kambanash” poeti tubon poezi të zhanrit të ndryshëm, në mes tjerash:


 


“Stublla e gurtë


Stublla e murtë


në tokë kur Krishti zbriti s’pari


ku


e priti shqiptari.


 


 


i ndanin tokat e shqiptarisë


reliev gunga-gunga


të tkurri kaq shumë koha


të tkurri dhuna


toka që vazhdon të thërrasë


ku jeni o burra


 


 


(Tkurrje)


 


 


       Cikli “Lirikat e fjetura”, përbëhet nga poezi kryesisht me motive intime, ku poeti (mos i ngjaftë me jetë) sa janë të perënduara si lirikat e tilla të Migjenit (nga koha e kaluar e asaj shkalle rinore), po aq e njomin veprën me ndjenja intime të një stili të mëvetësishëm poetik. Po ashtu edhe cikli “Tingull i gërvishtur” përbëhet kryesisht prej poezive satirike, me theks kryesor:


 


për bijtë e lakmisë


çakërritur me gishtërinjtë e thatë


tapitë e humbjes së dekadave


po mbanin në duar


 


 


       Në këtë vepër poetike, M. Bislimi përdor stil konciz me pasuri fjalësh e shprehjesh të figurshme e të spikatura. Figurat janë të lidhura me tematikën, gërshetuar me asociacione imazhesh. Poeti gjendet në rrugën e pasurimit të tipareve të individualitetit poetik, ecje drejt një shkalle gjithnjë më cilësore, krijuese i semantikës poetike, begatuar me një figuracion të goditur e vetjak, me ritme e rima të larmishme.


       Motivet e tij janë përcaktues të rrugës së tij poetike, gjithnjë në kërkim të individualitetit të tij, në bazë të burimit të pashtershëm frymëzues, në qasje me rrjedhat e kohës, brumosur me material jetësor, kombëtar, shpirtëror e refleksiv, që synon një sintezë të shkrirë me elementet estetike e metaforike, sidomos tani pas një gjumi të rëndë e të gjatë robërie, kur duhet luftuar për mëkëmbje, dhe për pavarësinë e pjesëve të mbetura etnike nën zgjedhë të huaj…


       Te autori vërehen edhe prurje elementesh të reja poetike, në krahasim me krijimtarinë e tillë të mëparshme, gjë që flet për ambicie serioze, këmbëngulëse dhe avancuese të shkallëzuar me një talent në zhvillim e sipër. Ka edhe figura befasuese. Përdor një figuracion të thellë e të larmishëm metaforik, në harmoni me stilin konciz. Temperamenti impulsiv i poetit M. Bislimit është i gjallërishëm, ku detaji luan rolin kryesor organizues.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …