Dy vëllezër martirë të lirisë: Adem Avdyl Gashi dhe Xhafer Avdyl Gashi

Dy vëllezër martirë të lirisë: Adem Avdyl Gashi dhe Xhafer Avdyl Gashi

Adem Avdyl Gashi ( 12. 2. 1946 – 30. 4. 1999)

Adem Avdyl Gashi u lind në fshatin Vërboc të komunës së Drenasit, ish-Gllogovc, më 12 shkurt të vitit 1946. Babai, Avdyli kishte qenë luftëtar i lirisë në radhët e Komandantit të luftës çlirimtare të Drenicës, Shaban Palluzha, në janar, shkurt  të vitit 1945.

Në pamundësi për të mbijetuar ekonomikisht, si pjesëtar i një familjeje që konsiderohej armike e pushtetit të Jugosllavisë, Ademi në moshë të re merr rrugën e kurbetit, me qëllim për të punuar dhe për ta ndihmuar ngritjen e  familjes, duke ndihmuar edhe shkollimin e vëllezërve.

Në fillim të vitit 1998, duke qenë në njohuri me zhvillimet luftarake në Kosovë Adem Gashi lë Gjermaninë ku kishte punuar për shumë vjet, dhe  pas një kohë kthehet në vendlindje.

Ademi me vëllanë e tij Xhaferin  kanë ndihmuar logjistikën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Asokohe, rrezja e veprimit luftarak të Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci” e Zonës Operative të Drenicës shtrihej në një pjesë të Qyqavicës, prej Kronit të Mbretit, në Vasilevë,  pastaj në Drenas, Verboc, Shtuticë, Baks, Qirez, Marinë, Dashevc, Prekaz, Polac, Prelloc, Skënderaj e deri në Tërnac.

Në prill të vitit 1999, forcat okupatore serbe të goditura ashpër nga aeroplanët e NATO-s mllefin dhe zemërimin e tyre  e kishin  derdhur  kundër popullatës civile, duke pushkatuar e masakruar kudo ku ata bënin përpjekje të mbijetonin, në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt. Popullata liridashëse e Drenicës gjallonte nëpër gryka malesh, nëpër lugina lumenjsh dhe shpeshherë nën qiell të hapur dhe jetonte nën breshërinë e pandërprerë të zjarrit të forcave ushtarake e policore serbe.

Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Komandanti i Brigadës 114, Ilaz Kodra niset për t’i shkuar në ndihmë popullatës. “Atë mbrëmje isha edhe unë me të, – thotë bashkëluftëtari i tij i ngushtë, Zenun Kodra. Ditën që shkuam atje ishte vonë. Komandanti më urdhëroi që të ndaloja në Shtuticë ndërsa vetë me disa bashkëluftëtarë u nis për në Vërboc. Në mëngjes herët, rreth orës 5.30 fillon breshëria e sulmit nga forcat armike, të cilat kishin rrethuar vendin në formë patkoi. Ilaz Kodra, në luftë ballë për ballë kundër forcave serbe, bie në altarin e lirisë më 30 prill të vitit 1999, në fshatin Shtuticë”.

 

Pas një beteje disa ditore, në Zonën Operative të Drenicës, më 30 prill të vitit 1999, në mbrojtje të popullatës, të cilën po e masakronte  mizorisht ushtria dhe policia serbe  kanë rënë dëshmorët e UÇK-së: Komandanti i Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci” në zonën Operative të Drenicës,  Ilaz Ismail  Kodra,  pastaj Antigonë Fazliu, Lutfi Avdush Musiqi, Bajram Mehmet Aliu, Ferat Xhafer Dvorani, Hamdi Kadri Ferati,  Hysni Xhafer Dvorani, Imer Fazli Dvorani, Isa Adem Ferati, Nuhi Lan Dvorani,  Sejdi Smajl Kralani, Afrim Krasniqi e shumë  e dëshmorë  e martirë të tjerë.

Po atë ditë, më 30 prill të vitit 1999 janë ekzekutuar nga  serbët,  Adem Avdyl Gashi dhe Xhafer Avdyl Gashi. Ata ranë  në vendlindjen e tyre në fshatin Verboc të Drenicës, ku serbët vranë e masakruan edhe qindra pjesëtarë të popullatës civile, e cila ishte strehuar në male.

Xhafer Avdyl Gashi ( 21. 7. 1954 – 30. 4. 1999)

Xhafer Avdyl Gashi u lind më 21 korrik të vitit 1954, në një familje të varfër, por me tradita të shquara atdhetare e liridashëse.

Babai i tij, Avdyl Gashi  ka qenë luftëtar i radhëve të rezistencës së Shaban Palluzhës, në Drenicë,  në vitin 1945.

Xhaferi shkollimin fillor e kreu në fshatin fqinj, Tërstenik, ndërsa Shkollën Normale në Prishtinë. Pastaj ka kryer edhe Akademinë Pedagogjike, po në Prishtinë.

Punën e mësuesit e filloi në vitin 1981 në  shkollën e Tërstenikut, por nuk e vazhdoi gjatë, pasi  e larguan nga puna për shkak të  bindjeve të tij  politike, por edhe për shkak se vëllai i tij, Muhamet Gashi, kishte marrë pjesë në protestat dhe demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981 dhe ishte dënuar për vepër penale kundër rendit shoqëror të RSFJ-së, ashtu si mijëra demonstrues të tjerë, sidomos në Kosovë por edhe në viset e tjera shqiptare, nën regjimin jugosllav të kohës.

Mirëpo meqë shkolla shqipe e kohës kishte nevojë për kuadro dhe Xhaferi ishte i kualifikuar me shkollimin dhe arsimimin përkatës,   pranohet në punë, në shkollën “Ali Gashi”, në Çikatovë të Re, ku ka ushtruar për  një kohë në profesionin e tij të  mësimdhënësit.

 

Pas një beteje disa ditore, në Zonën Operative të Drenicës, më 30 prill të vitit 1999, në mbrojtje të popullatës, të cilën po e masakronte  mizorisht ushtria dhe policia serbe  kanë rënë dëshmorët e UÇK-së: Komandanti i Brigadës 114, Fehmi Lladrovci në zonën Operative të Drenicës,  Ilaz Ismail  Kodra,  pastaj Antigonë Fazliu, Lutfi Avdush Musiqi, Bajram Mehmet Aliu, Ferat Xhafer Dvorani, Hamdi Kadri Ferati,  Hysni Xhafer Dvorani, Imer Fazli Dvorani, Isa Adem Ferati, Nuhi Lan Dvorani,  Sejdi Smajl Kralani, Afrim Krasniqi e shumë  e dëshmorë  e martirë të tjerë.

 

Po atë ditë, më 30 prill të vitit 1999 në altarin e lirisë së Atdheut janë ekzekutuar  edhe dy vëllezërit:  Xhafer Avdyl Gashi dhe Adem Avdyl Gashi. Ata ranë  në vendlindjen e tyre në fshatin, Verboc të Drenicës, ku serbët vranë e masakruan edhe qindra pjesëtarë të popullatës civile, e cila ishte strehuar në male.

Xhafer Avdyl Gashi ka lënë pas vetës, bashkëshorten dhe tre fëmijë.

 

(Redaksia e emisioneve për martirët e lirisë)

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Dërgut Bajraktari, 1908 - 1945

Bajram Dërgut Bajraktari, 1908 – 1945

Familja Bajraktari e Drenasit, (ish-Gllogovc) i takon fisit të Elshanëve, njëri ndër fiset antike të …