Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Politikat proteksioniste dhe domosdoshmëria e mbrojtjes së prodhimit vendor në Kosovë

Kosova vazhdon të mbetet një ekonomi e brishtë dhe tejet e varur nga importi. Në vend që të ndërtojmë një ekonomi të qëndrueshme mbi prodhimin vendor, tregu ynë dominohet nga mallrat e huaja, ndërsa prodhuesit vendas po përballen çdo ditë me vështirësi gjithnjë e më të mëdha. Në një kohë kur inflacioni në muajin prill ka shënuar rritje prej 6.7% krahasuar me periudhën paraprake, nevoja për forcimin e prodhimit vendor nuk është më vetëm një opsion ekonomik, por një domosdoshmëri kombëtare.

Rritja e çmimeve ka goditur drejtpërdrejt fuqinë blerëse të qytetarëve. Familjet kosovare po përballen me kosto më të larta për ushqim, energji dhe produkte bazike, ndërsa pagat vazhdojnë të mbeten pothuajse të pandryshuara. Në këtë situatë, shteti duhet të ndërhyjë me politika proteksioniste që mbrojnë prodhuesit vendorë dhe stimulojnë prodhimin e brendshëm.

Një nga sektorët më të goditur është ai i blegtorisë dhe prodhimit të qumështit. Zbritja e çmimit të qumështit nga 48 cent në vetëm 30 cent për litër është një goditje e rëndë për fermerët dhe blegtorët kosovarë. Me këto çmime, prodhuesit vendorë mezi arrijnë të mbulojnë shpenzimet bazë të ushqimit për bagëtinë, energjisë dhe mirëmbajtjes. Nëse kjo situatë vazhdon, shumë fermerë do të detyrohen të mbyllin aktivitetin e tyre, duke rritur edhe më shumë varësinë e Kosovës nga importi.

Mbrojtja e prodhimit vendor nuk nënkupton izolim ekonomik, por krijimin e kushteve të barabarta për prodhuesit tanë. Shteti duhet të subvencionojë sektorët strategjikë, të kontrollojë importet që dëmtojnë prodhimin vendas dhe të krijojë politika fiskale që favorizojnë produktet “Made in Kosova”. Vetëm përmes forcimit të ekonomisë prodhuese mund të luftohet inflacioni dhe të ruhet fuqia blerëse e qytetarëve.

Çdo litër qumësht i prodhuar në Kosovë, çdo produkt vendor i konsumuar dhe çdo fermer i mbështetur është investim në ekonominë dhe sigurinë tonë kombëtare. Pa prodhim vendor të fuqishëm, Kosova do të mbetet gjithmonë e varur nga tregjet e huaja dhe e pambrojtur ndaj krizave ekonomike globale.

Koha për veprim është tani.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: NUK DUHET TË PRITET SI STRUÇI (Makushi) ME SQEP NË RËRË

Letër e hapur!  Çka na sjell 16 shtatori i këtij viti?! Si do të veprojnë …