Emrush Xhemajli

Emrush Xhemajli: Në Kosovë po shkelen të drejtat dhe liritë e njeriut

10 Dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, ndërsa edhe në këtë vit  Kosovën e gjen me të paraburgosur e të dënuar politikë.

Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Lirive dhe e të Drejtave të Njeriut e gjen Kosovën pa sjellë drejtësi për plagën më të dhimbshme të pasluftës, vrasjen e aktivistit politik, studentit të shkëlqyeshëm, Astrit Deharit, në burgun e Prizrenit.

Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Lirive dhe e të Drejtave të Njeriut po i gjen në burgje dhe të dënuar aktivistët politikë të vendit tonë Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha. Gjykatësit shqiptuan dënimet politike me akuzë për “terrorizëm” pa sjellë asnjë provë kundër tyre.

Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut e gjen në paraburgim për arsye politike ideologun e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, deputetin Albin Kurti, aktivisten politike, deputeten Donika Kada, ndërsa vazhdon përndjekja gjyqësore kundër aktivistes, deputetes Albulena Haxhiu dhe aktivistit e deputetit Faton Topalli. Është ironike, por e vërtetë: Ata u burgosën në detyrë dhe nën betimin e deputetit, në mbrojtje të Kushtetutshmërisë, Shtetit, Republikës së Kosovës. Duke mos dhënë rezultat formë tjetër e kundërshtimit, ata hodhën gaz lotsjellës për ndaljen e dy marrëveshjeve kundër Kosovës: Asociacionit (“zajednicës”) që e rrëzoi më vonë Gjykata Kushtetuese e Kosovës (konstatoi shpërputhje dhe lëndim të Kushtetutës 23 herë), dhe Demarkacionit të vijës kufitare me Malin e Zi, që ekspertët provuan se është bërë gabim. Gjykimi kundërkushtetues, që po mbahet tash kundër deputetëve, do të mbahet mend si gjykimi politik më i madh i pasluftës. Në të prokurori sillet si qeveritar, gjykatësi si kryeparlamentar, ku favorizohen gjatë diskutimit deputetët dëshmitarë të pozitës dhe u merret fjala e përjashtohen nga seance gjyqësore të akuzuarit e opozitës. Kur dëgjon përmbajtjen çka flitet në gjykim nuk është vështirë të konstatosh se në fakt debati parlamentar është zhvendosur në gjykatë. Ndërsa nënshkruesit e marrëveshjeve, që bënë rrëmujën dhe sollën Kosovën buzë greminës nuk duken askund. Drejtësia ata nuk i thirr në përgjegjësi as si të akuzuar as si të dyshuar as si dëshmitarë.

Dita Ndërkombëtare për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut e gjen Kosovën me të burgosurin e mendimit të lirë, profesorin universitar, dr. Sadri Ramabajën. Pasi fshehtas ju bastis biblioteka e shtëpisë po bëhen gati dy muaj që ai po mbahet në paraburgim pa fakte me akuzë për “terrorizëm”. Gjithë jeta dhe vepra e Sadri Ramabajës, puna publike dhe punimet shkencore të tij provojnë të kundërtën nga ajo që akuzohet Ai.

Dita Ndërkombëtare për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut e gjen Kosovën me shkelje masive të të drejtave të pjesëtarëve të UÇK-së. Në burgje  janë dhjetëra ushtarak të UÇK-së, si në rastet e Grupit Drenica, Kiçina e të tjerë. Të akuzuarit qëndrojnë të paraburgosur e të pagjykuar për shumë vjet dhe shumë të tjerë të dënuar pa ju provuar fajësia, në mesin e të cilëve dhe ish- Komandanti i UCK-së Sylejman Selimi.

Dita Ndërkombëtare për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut e gjen Kosovën me shkelje masive të të drejtave të punëmarrësve nga punëdhënësit që nga mosrespektimi i orarit të punës, puna pa sigurimet shoqërore e deri te plagosjet dhe vdekjet në vendet e punës.

Drejtësi Për Astritin! Liri për Frashërin, Atdheun, Egzonin dhe Adenë! Liri për Albinin dhe Donikën! Liri për Sadri Ramabajën! Liri për ushtarakët e UÇK-së!

Prishtinë, më 10.12.2017.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …