Brickos

Emsale Izjadin Frangu (5.2.1981 - 9.4.1999)

Emsale Izjadin Frangu (5.2.1981 – 9.4.1999)

Emsale Frangu lindi më 5 shkurt 1981, në Kaçanik. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Në mësime dallohej me sukses të shkëlqyeshëm. E donte shumë profesionin e mjekësisë por edhe duke parë nevojën e popullit ajo regjistrohet në shkollën e mesme të mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj. Mësimet në këtë shkollë i vazhdoi me sukses të shkëlqyeshëm por nuk arriti t’i përfundojë. Ndërpreu maturën dhe radhitet në radhët e UÇK-së, në Brigadën 162 “Agim Bajrami” në Kaçanik, më 20 mars 1999, luftëtare e lirisë në ekipet mjekësore, në pikën e luftës, në Rakoc të Kaçanikut.

Frymëzimin për atdhedashuri e kishte marrë nga prindërit, si dhe nga arsimtarët e sidomos nga profesori i respektuar Mejdi Dalloshi, dëshmor i kombit.

Gëzimin më të madh në jetë ajo e përjetoi ditën kur më 20 mars 1999 vesh uniformën e UÇK-së, kur puth flamurin kombëtar duke e dhënë hetimin e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke u radhitur në krah të shoqeve bashkëluftëtarë Lumnije Raka, Jehona Raka, Melihate Shehu, Sevdije Shehu, Kadrije Piliqi, Nevzat Qallaku, Avdurrahim Shehu e të bashkëluftëtarëve të tjerë, ndër të cilët edhe mjeku Nejazi Raka.

Kur flakët e luftës kishin përfshirë tërë Kosovën luftëtaret e lirisë nuk mund të rrinin në shtëpitë e boshatisura nga djemt dhe burrat, sepse ato nuk kishin lindur vetëm për t’i vajtuar vëllezërit e tyre të vrarë e të masakruar nga dora kriminele serbe por ato vendosën të radhiten në radhët e UÇK-së dhe të vendosura krah për krah me vëllezërit e tyre në vijën e parë të frontit. Ato luftuan krah për krah me vëllezërit e tyre në vijën e parë të frontit, duke ndjekur shembulin e dëshmorëve Xhevë LLadrovci, Fatime Hetemi, e të tjera.

Në mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, armiku kishte sulmuar me shumë forca ushtarake Rakocin e Kaçanikut. Synimi i armikut ishte që t’i mbante jashtë qytetit njësitet e UÇK-së, për të mos rënë qyteti në duart e tyre, me qëllim që ta siguronte Grykën e Kaçanikut për qarkullim të lirë të këtyre forcave. Mirëpo komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe njësitet e dinin rëndësinë e kësaj gryke historike, andaj edhe ishin gati të luftonin deri në Hijim. Beteja ishte e pa kompromis. Luftëtarët e Brigadës 162 e posaçërisht njësitet e Batalionit të II dhe një njësite të policisë ushtarake nuk u tërhoqën para asnjë rreziku. Emsalja bashkë me Jehonën dhe Lumnijën ishin në detyrat e tyre luftarake. Sulmi i egër serb e detyroi popullatën e qytetit të Kaçanikut të tërhiqet në malet mbi Kaçanik që të strehohej nga granatimet armike. Në një kolonë që po tëhiqej në Përroin e Rakocit ishte edhe Emsalja bashkë me jehonën dhe Lumnijen si dhe me bashkëluftarë të tjerë.

Duke mbrojtur popullatën civile në tërheqje, filloi një betejë e ashpër në mes UÇK-së dhe forcave serbe. Në krye të kësaj detyre bien heroikisht Emsale Frangu me
bashkëluftarët: Nehat Çaka, Muhamet Zeneli, Faruk Dogani, Ilir Zharku, Nethush Elezi, Lumnije Raka, jehona Raka. Po në këtë ditë në këtë luftë heroike nga njësitet e Batalionit të Dytë bien edhe dëshmorët: Mukadeze Lika, Reshat Shehu, Daut Rakoci, Adem Rakoci, Kjani Bela, Nethi Fera, Shefket Fera, Nevzat Qallaku, Kadri Trena, dhe Abdurrahim Shehu, kurse plagoset polici ushtarak Rrustem Dema, Besnik Bajra e Nethedin Bruti. Nga radha e popullatës civile martirizohen Xhemajl Brodi, Izjadin Frangu, Nebi Topojani, Xheli Rexha, Hamide Rexha, Nerzike Dogani, Mine Gashi, Tefik Nallbani, Menduh Nallbani, Maksut Nallbani, Nebi Livoreka, Osman Livoreka, Hamide Shehu, Gili Raka, Ekrem Raka, Haxhi Livoreka, Bajrush Axhami, Jonuz Bajra, Murat Raka, Izahir Çaka dhe lrfete Çaka. Po ashtu u plagosën ndërsa nga popullata civile u plagosen Xhemal Sopa dhe Hazbije Nikaj-Koxha. Po të njetën ditë, vritet edhe babai i Emsales, Izjadini kurse gjyshi Xhemal Haziri (Brodi) merret peng.

Trupi i dëshmores Emsale Frangu dhe i disa të rënëve të tjerë u varros nga bashkëpuntorët dhe forcat e armikut, në varrin masiv, te varrezat e qytetit, më 10 prill të vitit 1999, kurse me 22 shtator 1999 u organizua rivarrimi i tyre në varrezat e dëshmorëve të Kaçanikut. Në vendin e rënies, në altarin e atdheut, Emsalës, 18 dëshmorëve dhe 22 martirëve u është ngritur lapidari i përbashkët, në Rakoc të Kaçanikut.

Emsalja kishte prirje edhe për krijimtari poetike. Si maturante, me fillimin e luftës në Kosovë shkroi poezi për dëshmorët e parë.

Familja eEmsale Frangut në Kaçanik për bijën dëshmore ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së nga Ministria e Mbrojtjes të QPK-së nga Komanda e Zonës, nga
Komanda e Brigadës, nga Këshilli komunal i Kaçanikut dhe nga shoqatat e dalura nga lufta e UÇK-së. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …