Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka ndarë një mesazh të fuqishëm shprese nga Haga, duke publikuar një fotografi që, sipas tij, simbolizon optimizëm dhe besim në drejtësi. Përmes këtij postimi, ai ka shprehur pritjen dhe shpresën për përfundimin e procesit gjyqësor dhe kthimin e babait të tij në liri. “Optimist. Duke i numëruar ditët kur nga ky objekt do të dalë babi dhe shokët e tij. Dielli do të lindë përsëri”, ka shkruar Endrit Thaçi krahas fotografisë, një mesazh që brenda pak minutash është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ka nxitur reagime të shumta nga qytetarë, mbështetës, figura publike dhe ish-bashkëluftëtarë. Postimi i tij është parë si një thirrje për durim dhe besim në drejtësi, në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdon të mbetet temë e ndjeshme dhe e debatueshme në opinionin publik. Shumë komentues kanë shprehur mbështetje për familjet e të akuzuarve, duke theksuar se koha e gjatë e paraburgimit ka qenë e rëndë si për ta, ashtu edhe për shoqërinë kosovare në përgjithësi. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me bashkëluftëtarë të tjerë, po mbahet në Hagë tash e më shumë se pesë vite. Ata po përballen me proces gjyqësor në kuadër të Gjykatës Speciale të Kosovës për krime lufte, proces i cili ende nuk ka përfunduar dhe vazhdon të përcillet me interes të madh publik, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
